Ja cilat janë kushtet e pesë deputetëve ‘rrebelë’ të BDI-së për të përkrahur Kushtetutën
|
Pesë deputetët e BDI-së të cilët janë jashtë kontrollit të VMRO-DPMNE-së, kanë vendosur të parashtrojnë disa kushte, nga plotësimi i të cilëve do të varet përkrahja e tyre për ndryshimet kushtetuese që i ka propozuar qeveria, merr vesh “Lajm”.
Kushti kryesor është që votimi me shumicë të Badenterit të aplikohet jo vetëm në Kuvend, por edhe gjatë miratimit të vendimeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Është momenti BDI të kushtëzojë që vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese të bëhet me shumicë Badenteri, për ato ligje të cilat në Parlament miratohen me shumicë Badenteri. Për këtë arsye duhet të ndryshojë Neni 131 i Kushtetutës. Nuk guxojmë të na përsëriten situata siç ishte ajo kur me mbivotim kjo gjykatë abrogoi ligjin për përdorimin e simboleve”, marrim vesh se kanë thënë deputetët rebelë në takimet që kanë pasur me disa diplomatë të huaj. Ata kanë bë të qartë se pa pranimin e këtij kushti, nuk do të përkrahin në asnjë mënyrë ndryshimet kushtetuese.
Ndryshe, në opinion janë publikuar emrat e tre deputetëve të BDI-së që kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese dhe ata janë Hazbi Lika, Xhevat Ademi dhe Zilfi Adili. “Lajm” posedon edhe emrat e dy deputetëve tjerë të cilët përkrahin Likën, Ademin dhe Adilin, por për momentin ata refuzojnë që emrat të ju paraqiten në opinion. Për dallim prej tyre, pjesa tjetër e deputetëve të BDI-së nuk kanë shprehur kurrfarë vërejtje ndaj ndryshimeve kushtetuese të cilat nuk parashohin kurrfarë avancimi të statusit të shqiptarëve dhe për këtë arsye ata konsiderohen si deputetë “nën kontrollin e VMRO-së”.
Edhe pse depoutetët lojal ndaj VMRO-së janë më të shumtë në numër në krahasim me “deputetët rebelë”, në rastin konkret nuk i kryejnë shumë punë VMRO-së, sepse nuk i sigurojnë shumicën prej 82 deputetëve, që është e nevojshme për ndryshim të Kushtetutës.















