Lëvizja BESA pro grevës të arsimtarve - tetova1.com

Lëvizja BESA pro grevës të arsimtarve


besa-logo
Kategoria: Arsim

Postuar më: Thu, Jan 22, 2015





Lëvizja BESA e përkrah dhe e inkurajon grevën e organizuar nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe njëherazi i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që, në vend të presionit që ua bën arsimtarëve e profesorëve që kanë vendosur që, përmes grevës, t’i kërkojnë të drejtat e tyre legjitime, të gjejë gjuhë komunikimi me SASHKU-n për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Tashmë kur është konfirmuar se mbi 800 mijë të punësuar në Maqedoni nuk arrijnë që me rrogën e tyre t’i mbulojnë harxhimet mujore, bëhet krejt e qartë sa është e drejtë e legjitime kërkesa e punonjësve të arsimit për rroga më të larta. Madje, kur kihet parasysh se ky pushtet me reformat e reja në arsim, e ka ngarkuar tejmase detyrën e arsimtarit, është për të ardhur keq që tash merr guximin edhe t’u bëjë presion pse ata e shfrytëzojnë të drejtën e tyre legjitime për të protestuar për më shumë mirëqenie në jetën e tyre.

Nëse Ministria e Arsimit i jep vetes të drejtë të bëjë me arsimin si ia ka ëndja ndonjë “eksperti” atje, shtrohet pyetja se pse nuk e sheh të arsyeshme të bëjë reforma edhe në rrogat e punonjësve të arsimit, por në vend të kësaj përdor metoda ndëshkimore – si ato të testimit ekstern, që e kanë dëmtuar rëndë arsimtarin dhe, madje, të përdor metoda moniste të presionit ndaj tyre vetëm sepse ata kërkojnë më shumë dinjitet njerëzor?

Për këtë arsye Lëvizja BESA e mbështet këtë grevë, konsideron se kërkesat e saj janë krejt të logjikshme, legjitime dhe të drejta dhe kërkon nga pushteti që mos të sillet me arrogancë e prepotencë ndaj atyre që përbëjnë shtyllën më të rëndësishme të edukimit të gjeneratave të reja.

Me këtë rast i drejtohet edhe faktorit shqiptar në këtë qeveri, që mos të shërbejë vetëm si dekor në planet e VMRO-DPMNE-së për arsimin, por ashtu si ka ditur t’i orientojë paratë e shqiptarëve për projektin famëkeq të betonimit të identitetit njëetnik maqedonas “Shkupi 2014”, të përpiqet të gjejë para edhe për një jetë më të mirë të qytetarëve të këtij vendi – në këtë rast të qytetarëve më meritorë për shoqërinë tonë.

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net