SASHK: Greva po ndiqet 100% në Tetovë, Gostivar, Kumanovë,Strugë…
|
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka qëndrim lidhur me grevën e mësuesve të organizuar nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës. Nga ky dikaster heshtin dhe nuk duan të komentojnë kërkesat e mësimdhënësve. Nga ana tjetër, nga sindikata informojnë se presionet mbi anëtarët e tyre nëpër shkollat fillore dhe të mesme janë ashpërsuar. Ndërkohë greva, në mënyrë të pjesshme vazhdon thuajse në të gjitha shkollat e vendit. Mësuesit thonë se kërkesat e SASHK-ut janë reale dhe duhet të pranohen nga MASH-i.
“Kërkesa jonë kryesore është të hiqen dënimet e dala nga testimi ekstern pasi mendojmë se ato provime janë jo objektive. Kërkesë tjetër është rritja e pagave personale pasi duke marrë parasysh angazhimet që bëjmë në shkollat ku punojmë, mendojmë se për momentin këto të ardhura janë të vogla. Sot pjesërisht ka mësim, një pjesë e kolegëve tanë maqedonas janë kundër grevës, por një pjesë prej tyre i janë bashkangjitur grevës dhe po qëndrojnë në kabinete. Pjesa e profesorëve me mësim në gjuhën shqipe pothuajse të gjithë jemi në grevë”, deklaroi Enver Ajdini, përfaqësues i Sindikatës në SH.M ‘Arseni Jovkov’.
“Ne kërkojmë që vlerësimi ekstern të hiqet tërësisht pasi nuk është sipas asnjë norme pedagogjike dhe didaktike e cila do ta mbajë në stres tërë kohën mësuesin. Kërkesë tjetër është që ditari elektronik të hiqet pasi është punë shtesë që e bëjmë dy herë d.m.th njëherë plotësojmë ditarin e rëndomtë pastaj këtë elektronik, pra gjërat e njëjta i përsërisim, edhe shumë gjëra tjera që arsimin e kanë kthyer mbrapa 25 vjet”, tha Rexhep Alili, mësues SH.F ‘Dituria’ Saraj.
Mësuesit thonë se greva do të vazhdojë pavarësisht presioneve të ndryshme. Ata thonë se nuk janë të vërtetë zërat se greva ka dështuar.
“Greva e mësuesve të cilët janë 100% në bojkot të mësimit do të vazhdojë deri në momentin derisa arrihet qëllimi, plotësimi i 6 kushteve të parashtruara nga SASHK-u ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Ajo nuk është e vërtet, ato janë manipulime, unë mbrëmë dëgjoja lajme që gënjenin shumë thjeshtë, pasi thoshin se në një shkollë ka pasur bojkot vetëm nga një arsimtarë, çka nuk është e vërtet pasi nuk mund të quhet bojkot vetëm me një mësues, çka do të thotë se ai lajmë është gënjeshtër”, u shpreh Emrush Ramadani, mësues SH.F ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.
Sipas informatave të Sindikatës, 70% e shkollave në vend, pavarësisht presioneve të mëdha nga autoritetet, janë në grevë. Sipas SASHK-ut greva po ndiqet 100% në Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Komunën Qendër, Strumicë, Manastir, Strugë, si dhe në pjesën më të madhe edhe në Dellçevë e Çair. Pjesërisht, greva po mbahet edhe në Shkup, Veles dhe Kërçovë. Valmir Kuçi















