Hashim Thaçi: Shqiptarët e Maqedonisë me më pak të drejta se serbët e Kosovës - tetova1.com

Hashim Thaçi: Shqiptarët e Maqedonisë me më pak të drejta se serbët e Kosovës


hashim_thaci1
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Fri, Jan 23, 2015





Serbët e Kosovës edhe pse janë në numër më të paktë, gëzojnë më shumë të drejta se shqiptarët e Maqedonisë që përbëjnë 30 për qind të popullatës së këtushme. Kështu ka konstatuar zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për emisionin “Rruga drejt”. Thaçi vlerëson se integrimi i shqiptarëve në vendim marrje do jetë jo vetëm në dobi të tyre, por edhe të vetë shtetit.

“Unë e kam thënë edhe më herët, e theksoj edhe sonte, qytetarët serb që jetojnë në Kosovë që janë shtetas të Kosovës, për fat të keq ende, nëse krahasojmë me qytetarët shqiptarë të Maqedonisë që janë 30 për qind, këta gëzojnë më shumë të drejta në kuptimin institucional sesa shqiptarët në Maqedoni. Por, ne kemi qenë shumë gjeneroz, kemi respektuar parimin afirmativ. Mendoj se sa më tepër që integrohen shqiptarët në institucionet në Maqedoni, sa më tepër dëgjohet zëri I tyre jo vetëm në të shprehur por edhe në vendimmarrje, aq më e fortë do jetë edhe Maqedonia”, u shpreh Hashim Thaçi, Ministër i jashtëm I Kosovës.

Mysafire në studion e emisionit Rruga drejt ishte edhe ministrja e mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, e cila nënvizoi rëndësinë e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ajo çka samiti I Uellsit nënvizoi është fakti se Maqedonia duhet të respektojë MO-në dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë edhe në konkluzionet e samitit të Uellsit. Shqipëria është këtu, do të jetë prezent me asistencën e saj, me suportin e saj, me mbështetjen e saj, për të mundësuar jo vetëm respektimin e kësaj marrëveshje kaq të rëndësishme të arritur 14 vjet më parë dhe jo të përmbushur plotësisht”, Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Kodheli pranon se shteti shqiptar nuk ka kushtuar vëmendje aq sa do të duhej për shqiptarët e Maqedonisë deri më tani. Por, ajo zotohet se ky do të jetë një obligim për drejtuesit aktual të Shqipërisë.

“Të ngremë në Tiranë një ngrehinë e cila do të ketë shumë porta, pa çelës, lehtësisht të hapshme dhe për të gjetur brenda projekte të përbashkëta sidomos për shqiptarët e Maqedonisë, sepse besoj që vitet që kanë kaluar kanë treguar se e kemi munguar shpesh herë, nuk kemi qenë prezent kur duhet të ishim”, tha Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Kodheli tha se Shqipëria mbështet procesin integrues të Maqedonisë dhe anëtarësimin e vendit në NATO, duke inkurajuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me Greqinë. Benjamin Arifi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net