Mustafi dhe Kozniku: ‘Punojmë për të qenë më të mirë”
Drejtori sportiv i Shkëndijës, Nebi Mustafi dhe shefi i stafit teknik, Ardian Kozniku kanë folur me optimizëm para gazetarëve në një press konferencë të organizuar sot nga skuadra ‘kuqezi’. Njëzëri vlerësohet pozitivisht puna e bërë gjatë afatit kalimtar, besohet se përgatitjet në Antali do të shfrytëzohen maksimalisht për tu përgatitur sa më mirë, ndërsa në pranverë pritet një Shkëndijë e vërtetë që do të lujë futboll kualitativ.
“Tani më të gjithë e dijnë se Shkëndija pretendon të rritet ngadalë në një kolektiv të mirëfilltë profesional dhe kjo sigurisht se kërkon kohë. Ne jemi duke punuar për të çuar klubin në rrugën e duhur dhe në këtë periudhë kemi tentuar të përforcohemi me lojtarë kualitativ në pozitat ku kemi pasur nevojë, ndërsa vlerësojmë se në këtë moment kemi konkurencë të shëndoshë dhe të paktën nga dy futbollistë në çdo pozitë. Tani duhet që ekipi të komponohet në ndeshjet që do të zhvillojmë në Antali, ku jemi munduar të zgjedhim kundërshtarët sipas nevojës tonë. Fillimisht me ekipe kushtimisht thënë më të lehta, ndërsa dy ndeshjet e fundit do jenë me rival kualitativ. Në të njëjtën kohë cilësia e kundërshtarëve është zgjedhur në bazë të nivelit të cilësisë që shpesh kemi përballë në ndeshjet e para të kualifikimeve në Ligat Evropiane. Besoj të shfrytëzojmë si duhet këtë periudhë dhe të jemi gati për të realizuar planet në vazhdim të kampionatit”, deklaroi mes tjerave drejtori sportiv i Shkëndijës, Nebi Mustafi.
Ndërkohë edhe shefi i stafit teknik, Ardian Kozniku, premtoi shumë punë nga ai dhe asistentët e tij, ndërsa beson se me përforcimet e sjella Shkëndija në pranverë do të tregojë fytyrën e saj të vërtetë.
“Ne si klub tentojmë të realizojmë me përpikmëri plan-programin e hartuar prej më parë. Përgatitjet sipas planit i nisëm më 13 janar dhe ditët e para kishim testime të ndryshme mjekësore dhe fizike. Ngadalë kemi kapur rritmin e punës dhe kështu do të vazhdojmë deri më 25 janar. Nga 26 janari shkojmë në Antali ku vazhdojmë përgatitjet, ndërsa përveç seancave të rregullta stërvitore do të zhvillojmë 6 ndeshje kontrolluese. Këto takime pres që të na shërbejnë për të komponuar ekipin dhe për të gjetur formën optimale. Kemi shumë futbollistë të ri në skuadër, kryesia ka sjellë përforcime në pozitat ku kemi menduar se kemi nevojë dhe unë si trajner pres që angazhimet e reja të vërtetojnë kualitetin dhe potencialin e tyre. Shumica janë emra të njohur që kanë pas vete karrierë të pasur dhe ne do të ishim të kënaqur nëse vazhdojnë rendimentin e tyre pozitiv edhe në skuadrën tonë. Dua me këtë rastë të falemenderoj kryesinë dhe pronarin e klubit z. Lazim Destani që bënë të mundur të kemi në skuadër një lojtar të kalibrit të Idrissou-t, për të cilin është e tepërt të flitet dhe nga ai presim që përveç të jetë përforcim i madh për ne, gjithashtu të jetë shembull për tjerët Besoj të përgatitemi mirë në Antali dhe të gatshëm të presim fillimin e kampionatit. Sa i përket sezonit pranveror, unë si gjithmonë jam optimist, pres një Shkëndijë të vërtetë si që dëshirojnë pronarët dhe tifozët tanë, besoj në shumë fitore dhe në përmirësim të pozitës momentale”, deklaroi mes tjerash trajneri ‘kuqezi’, Ardian Kozniku.
Të pyetur nga gazetarët, Mustafi dhe Kozniku deklaruan se për Shkëndijën afati kalimtar është mbyllur, ndërsa edhe pse ekipi ngec 8 pikë nga vendi i parë, Shkëndija në asnjë moment nuk dorëzohet nga lufta për titullin e kampionit, deri sa egziston edhe mundësia më e vogël teorike. Ndryshe Shkëndija nga 13 janari ka nisur aktivitetet, fillimisht me kontrolle mjekësore, ndërsa më pas me seanca stërvitore. Kështu do të vazhdohet deri të dielën, ndërsa të hënën (26 janar) udhëtohet për në Antali ku do të qëndrohet për 20-të ditë dhe përveç stërvitjeve të rregullta do të zhvillohen 6 ndeshje kontrolluese. Ndërkohë ndryshim i vogël në orarin e ndeshjeve kontrolluese të KF Shkëndija në Antali. Më 30.01.2015 në vend të Dordoi-t nga Kyrgyzstani, Shkëndija do të përballet me kampionin e Turkmenistanit, Altyn Asyr. Së shpejti pritet të mësohet emri i rivalit të fundit për miqësoren e 15.02.2015, pasi takimin kontrollues e anuloi FV Pohang Steelers nga Korea Jugore.




