Porositë në Dibrë, ushqimi në Amerikë - tetova1.com

Porositë në Dibrë, ushqimi në Amerikë


callcenter
Kategoria: Diaspora / Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Mon, Jan 26, 2015





Në një moment kur në Komunën e Dibrës numri i të rinjve të papunë është i madh, aktivitete të kall qendrave të cilët funksionojnë nëpërmjet sistemit të internetit japin një kontribut të madh në zbutjen e papunësisë. Dy koll qendrat që funksionojnë në Dibër të themeluara nga mërgimtar dibran që jetojnë në SHBA, viteve të fundit pa dyshim ia kanë arritur qëllimit si në sferën e efekteve materiale për pronarët ashtu edhe në aspektin e punësimit, veçmas të të rinjve të papunë.
Koll qendrat e Dobrovës në pronësi të biznesmenit nga diaspora Atli Dobrova si dhe My pica në pronësi të Ilir Selës po ashtu mërgimtar nga SHBA, kanë më se 70 të punësuar. Është ky një numër shumë i madh dhe shumë domethënës për Dibrën. Pronarët e të dy kompanive të cilët merren kryesisht me porosinë të picave dhe ushqimeve të llojllojshme për kompani të ndryshme që veprojnë në Amerikë, faktikisht japin një kontribut shumë të madh për Dibrën dhe dibranët. Kjo është një mënyrë shumë korrekte e diasporës dibrane për vendlindjen thonë dibranët.
Amerikanët nëpërmjet koll qendrave në Dibër paraqiten përmes internet lidhjeve e pastaj piceritë dhe restorantet në SHBA dërgojnë ushqimin të kërkuar në adresat të caktuara. Kjo është një mënyrë shumë e preferuar e porosisë të ushqimeve thonë përfaqësues të kompanive që merren me këtë biznes.
Kur bëjmë fjalë për punësimin e të rinjve në këta biznese, mund të themi se bëhet fjalë për një potencial të fuqishëm kadrovik. Të gjithë bukur e flasin dhe e shkruajnë gjuhën angleze, por një pjesë e madhe e tyre janë të rinj të cilët kanë përfunduar studimet e larta. Është një potencial i cili garanton suksese edhe të bizneseve në fjalë në aspektin material. Është ky një biznes i njohur në botë të cilin e përdorin shumë kompani qofshin në SHBA ashtu edhe në Europë. Suksesi i këtij biznesi është i njohur dhe biznesmenët janë të kënaqur, meqë me më pak shpenzime ia arrijnë qëllimit të përfitimit më të madh, pasi që pagesa e të punësuarve është shumë më e ulët në krahasim me pagesën që kompanitë bëjnë në vend të veprimit.
Përfaqësues të diasporës dibrane theksojnë se ka gjasa që shumë shpejt në Dibër të hapen koll qendra të reja. Merret vesh se ka një interesim të theksuar për koll qendra jo vetëm në sferën e punësimeve, por edhe në veprimtari dhe sfera të tjera. Në botë atje ku veprojnë dibranët një pjesë e madhe e popullatës përfiton dhe jeton edhe me punën që kryhet nga shtëpia nëpërmjet internet lidhjeve. Dibranët në Amerikë thonë se Dibrën mund ta ndihmojnë edhe duke bërë punësime dhe duke angazhuar të rinj në aktivitete të këtilla. Për shkak të punësimeve që bëhen në këtë sferë ka një rritje të theksuar të interesimit jo vetëm të të rinjve, por edhe të moshuarve për të mësuar gjuhën anglishte. /Vjollca SADIKU-Koha/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net