Si Edi Rama dhe Ilir Meta për pak e vranë Ali Ahmetin në 21 janar?
|
Kastriot Myftaraj
Si Edi Rama dhe Ilir Meta për pak e vranë Ali Ahmetin në 21 janar të këtij viti për shkak të luftës së fshehtë politike mes tyre
Gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni, Ali Ahmeti me siguri që nuk është ndodhur në ndonjë situatë aq të vështirë sa në 21 janar 2015, kur u gjend nën zjarrin e kryqëzuar të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Meta. Ekuivalenti i Betejës së Haraçinës, ku Ali Ahmeti nuk ishte i pranishëm, ndodhi për të në rrugën Kërçovë-Shkup, 14 vite pas përfundit të luftës.
Ali Ahmeti, kryetari i partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni, në 21 janar 2015 u bë njeriu i cili, pothuajse me çmimin e jetës së tij, zbuloi se lufta politike për jetë a vdekje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, vazhdon fshehtas edhe tani që Rama dhe Meta janë bërë aleatë. Meta, qëkurse ka bërë aleancën politike me Ramën, për të bërë kinse agjenda e tij e detyron të jetë jashtë Shqipërisë në këtë ditë, 2011çka duket se është e dëshirueshme për të dy palët. Kështu ndodhi edhe këtë 21 janar kur në Tiranë Kryeministri Rama merrte pjesë në një ceremoni dhe drekë përkujtimore për katër të vrarët e katër viteve më parë. Në 21 janarin e këtij viti, mungesa e Metës në Tiranë do të justifikohej me takimin me Ali Ahmetin në këtë ditë, në Shkup.
Meta nuk kishte asnjë dyshim se gjithçka do të shkonte sipas agjendës në vizitën e tij në Maqedoni. Por Edi Rama që nga Tirana kishte menduar për t’ i bërë një të papritur të pakëndshme aleatit të tij, të cilit i është betuar për një pakt aleance dhjetëvjeçare. Rama ushtroi trysni ndaj Ali Ahmetit që ky të gjente një shkak për të mos e takuar Metën atë ditë. Ahmeti u bind dhe në mëngjesin e 21 janarit i telefoni Metës në Shkup nga Kërçova, për t’ i thënë se takimi i tyre i planifikuar për në orën 11: 30 të asaj paraditeje nuk mund të bëhej, pasi moti ishte i keq, me mjegull, kështu që ai nuk mund t’ i përshkonte atë ditë 118 km që e ndanin nga Meta.
Ilir Meta reagoi ashpër ndaj fjalëve të Ahmetit. Duke e quajtur Ahmetin me nom du guerre, Abaz Gjuka, si për t’ i kujtuar sekretet e pakëndshme të kohës së luftës në Maqedoni, kur Meta pati qenë Kryeministër, ky i fundit i kërkoi që të nisej dhe të arrinte që atë moment dhe të ishte në Shkup në orën e caktuar për takimin, ndryshe do të zbuloheshin të vërteta të pakëndshme për të, për të cilat ai Ahmeti e dinte se Meta ishte në dijeni. Shkurt Meta i tha Ahmetit se gjallë a vdekur duhet të ishte në Shkup në 11: 30, nëse nuk donte që ndër të tjera të zbulohej e vërteta se si ndodhi që trupat e UÇK në qershor 2001 të dislokoheshin në pozicione aspak të përshtatshme në Haraçinë ku qenë shumë të ekspozuar ndaj rrethimit nga ana e forcave maqedone, çka bëri që maqedonët të arrinin një sukses të madh ushtarak që iu dha atyre kurajë dhe vetëbesim, në një kohë kur ishin të dëshpëruar. Fjalët e Metës e bënë efektin dhe Ahmeti u nis nëpër mjegull me shpejtësi të madhe në udhëtimin që për pak do ta çonte të vdekur në Shkup, duke e bërë kështu të vdekurin e pestë të 21 janarit. Dhe ironikisht Meta dhe Ahmeti u takuan në spitalin e Shkupit.
Pavarësisht se çfarë i tha Ahmeti Metës në takimin e tyre në dhomën e spitalit, ky i fundit e ka të qartë se pas asaj që ndodhi është Edi Rama, për të cilin tashmë u bë e qartë se nuk pajtohet dot me realitetin politik që ia imponon si të domosdoshme aleancën me Metën. Rama e ka parë aleancën me Metën si një pauzë në luftën me të dhe nuk e ka braktisur aspak qëllimin e tij konstant për eliminimin politik të Metës. Në 21 janar 2011 qëllimi i Edi Ramës ishte eliminimi politik i Ilir Metës. Këtë synim kishte ultimatumi publik që Edi Rama, në atë kohë kryetar i opozitës, i kumtoi Sali Berishës, në atë kohë Kryeministër, që nga emisioni “Top Story” i Sokol Ballës, në Top Channel në mbrëmjen e 20 janarit. Rama, pasiqë kishte deklaruar se të nesërmen do të mbahej një demonstratë për të cilën ai dhe partia e tij thanë se nuk mbante përgjegjësi nëse dilte jashtë kontrollit, i tha Berishës se ai kishte dy rrugë, ose të dëgjonte popullin (Populli i Partisë Socialiste kërkonte bllokun e Metës, domethënë kokën e tij), ose të shkelte mbi kufoma, domethënë ta mbronte aleatin e tij Metën, me gjak.
Në praktikë, Rama i kërkonte Berishës që të prishte aleancën politike me Metën, çka do të kishte si pasojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nëse Berisha do të kishte vepruar kështu, atëherë në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kishte aleancë Rama-Meta. PS e Ramës do të hynte në zgjedhje e vetme, me partitë aleate me peshë të papërfillshme, ashtu si PD e Berishës. Rama kishte marrë fjalën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, se nëse Berisha e braktiste Metën, atëherë ajo do të urdhëronte arrestimin e Metës. Sigurisht që për arrestimin e një deputeti kërkohej autorizimi i Kuvendit, por kjo e vinte fatin e Metës në dorën e Berishës, edhe pasiqë ky i fundit kishte prishur aleancën me të parin, për arsye se që Kuvendi të miratonte arrestimin e Metës duhej që të votonte pro edhe PD e Berishës. Sa për PS-në ishte e sigurt se ajo do të votonte për të autorizuar arrestimin.
Rama, i cili nuk arriti që të fitonte dot i vetëm zgjedhjet e vitit 2013, pas tetë viteve të Berishës në pushtet (Në grupin parlamentar të PS-së sot ka 64 deputetë, njëri prej të cilëve, Mark Frroku i përket një partie aleate), aq më pak mund të fitonte i vetëm zgjedhjet e vitit 2011. Berisha pak a shumë duhet ta dinte këtë gjë, kështu që nuk duhej të trembej se mos zgjedhjet e parakohshme sillnin Ramën në pushtet. Zgjedhjet qenë një luftë për jetë a vdekje për Metën i cili do të investonte për të fituar më tepër se katër vendet në parlament, që fitoi në 2009. Vështirë se do të fitonte aq vende në parlament sa në 2013, por me siguri që do të fitonte aq sa duheshin për të qenë i domosdoshëm në koalicionin qeverisës të paszgjedhjeve. Dhe në ato rrethana Meta mund të bënte koalicion vetëm me Berishën. Zgjedhjet e parakohshme të vitit 2011 do t’ i kishin sjellë gjërat pas në situatën politike të krijuar nga zgjedhjet e vitit 2009.
Berisha gaboi dhe me këtë i krijoi Ramës alternativën e aleancës me Metën në zgjedhjet e ardhshme. Rama nuk mungoi ta shfrytëzojë këtë alternativë për të marrë pushtetin në 2013. Por kjo jo vetëm nuk e zhduku, por e rriti dëshirën e Ramës për ta eliminuar politikisht Metën, në rrethana të përshtatshme. Kjo për disa arsye. Së pari, Rama pretendon një mandat moral për të qeverisur, përveçse elektoral dhe këtu aleanca me Metën është shumë kompromentuese, se protesta e 21 janarit 2011 u mbajt pikërisht kundër Ilir Metës, duke i kërkuar Berishës që të dorëzonte bllokun e shënimeve korruptive të aleatit të tij, të shfaqur në videoregjistrimin e Dritan Priftit. Së dyti, Rama nuk do të ketë kurrë pushtetin që dëshiron dhe po duket çdo ditë e më qartë se ai dëshiron pushtet të pakufizuar, sa kohë që pushteti i tij është i kushtëzuar nga një aleat i domosdoshëm dhe i fuqishëm si Meta. Përveç të tjerave, Meta mbetet gjithmonë një pol i dytë manjetik në botën e së majtës në Shqipëri, i cili mund të tërheqë të pakënaqurit që kanë nisur të shtohen në PS dhe Rama e di mirë pasojën e kësaj nëse ndodh vërtet.
Rama ka kohë që është duke e përgatitur me kujdes betejën e tij finale kundër Metës, e cila kërkon disa manovrime të ndërlikuara se Meta është faktor i ekzistencës së shumicës parlamentare qeverisëse. Prandaj Rama mund ta prishë aleancën me Metën vetëm pasi të jetë i sigurt se pjesa më e madhe e deputetëve të LSI do të jenë në anën e tij, kundër Metës. Rama e di se kjo gjë mund të ndodhë nëse arrestohet Meta dhe partia e tij nuk ka më shpresa se ai nuk do të mund të bëjë ndonjë kombinim politik me opozitën. Në këto rrethana, pjesa më e madhe e deputetëve dhe mbështetësit të Metës do t’ i bashkoheshin PS-së, qoftë edhe për interesat e tyre të ngushta. Nga kjo pikëpamje, lufta e Ramës me Metën ka si parakusht një marrëveshje të Ramës me Prokurorin e Përgjithshëm për arrestimin e Metës.
Por Rama nuk mund ta prishë aleancën me Metën para se të ketë realizuar dy objektiva imediatë për të cilët Meta është i domosdoshëm, fitoren në zgjedhjet vendore dhe ndryshimet në Kushtetutë. Vetëm pastaj Rama ka gjithë kohën e nevojshme për të çuar në fund luftën e tij me Metën para vitit zgjedhor 2017.
Nëse Meta kishte ndonjë dyshim mbi synimet e Ramës ndaj tij, ky duhet t’ i jetë larguar pas asaj që ndodhi në 21 janar të këtij viti, gjatë vizitës së tij në Maqedoni. A ka ndonjë alternativë Meta? Edhe nëse prish koalicionin me Ramën, Meta nuk e largon dot Ramën nga pushteti, se ky do të bëjë aleancë me BDI të Shpëtim Idrizit dhe disa deputetë të PD, që do t’ i sigurojnë së paku një mazhorancë qeverisëse minimale deri në zgjedhet e rregullta parlamentare të vitit 2017. Në pikëpamje afatgjatë, duket se Meta ka hyrë në kurthin e përkryer politik dhe ndoshta më tepër se kaq, me aleancën me Ramën dy vite më pare.







