‘Risocializimi’, Kotevski: MPB-ja do të procedojë në bazë të Kodit Penal
Kundër të gjithë personave që kanë marrë dhe marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, Ministria e brendshme do të procedojë në bazë të Kodit Penal, kështu deklaroi Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski duke komentuar nismën e BFI-së për risocializimin e personave që marrin pjesë në luftërat jashtë vendit. Kotevski thotë se MPB-ja ende nuk është e njoftuar me përmbajtjen e nismës, por shpreh gatishmërinë për të mbështetur nismat për parandalimin e fenomenit.
“Nuk mund ta komentojmë propozimin, pasi që nuk e dimë se cilëve persona i dedikohet. Derisa bëhet fjalë për persona që kanë marrë pjesë në konflikte luftarake, gjegjësisht kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, pa marr parasysh çfarë luftë, atëherë neve ligji na detyron që të njëjtit ti ndjekim penalisht dhe përderisa është në fuqi Kodi Penal, MPB-ja do të procedojë në bazë të Kodit Penal. Jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo propozimi preventiv, për një fenomen të tillë”, tha Ivo Kotevski, Zëdhënës i MPB-së.
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi theksoi se plani i propozuar nga BFI-ja nuk bie në kundërshtim me Kodin Penal. Sipas Rexhepit, risocializimi mund të bëhet edhe nëpër burgje.
“Programi ynë mund të praktikohet edhe përderisa ata njerëz janë në burgje. Megjithatë, në një mënyrë të organizuar, legale dhe legjitime. Ne nuk jemi kundër ligjit. Në të kundërtën, kemi shembuj nëpër Evropë ku ka qendra islamike në të cilat edhe ne marrim pjesë. Imamët tanë të caktuar nga këtu për në ato qendra, gjithashtu janë të pranuara nga qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës dhe ai i cili shkon nëpër burgje atje, merr rrogë. Kjo do të thotë se edukimi bëhet edhe nëpër burgje. Nuk është qëllimi që njerëzit vetëm t’i dënojmë dhe asgjë më tepër”, u shpreh Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.
Ambasadori i Izraelit në vend, Dan Orijan në takimin që zhvilloi me kreun e BFI-së theksoi së Izraeli mbështetë këtë iniciativë. Orijan shtoi se një projekt i tillë është i nevojshëm pasi që si synim ka tolerancën dhe bashkëjetesën.
“Nga gjërat e para që i dëgjova, vura re se ka shumë pak gjëra për të cilat nuk merremi vesh, për metodat që duhet të përdoren , por është koha për të ballafaquar me dukuritë,të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë sepse synimet i kemi te njëjta. është shumë e rëndësishme për ne bashkëjetesa e qetë dhe jeta normale për te gjithë”, deklaroi Dan Orijan, Ambasador i Izraelit.
Në planin e propozuar nga BFI për risocializimin e qytetarëve të cilët marrin pjesë në luftëra jashtë vendit, parashikohet që të njëjtit të punësohen dhe të mbeten pjesë e shoqërisë. I njëjti planë i është i është prezantuar edhe institucioneve shtetërore por edhe përfaqësive ndërkombëtare në vend, prej të cilëve BFI-ja pret mbështetje. Me një ide të tillë kohë më parë doli edhe ish-ambasadori amerikan, Pol Uolers. Ai në emisionin ‘Rruga Drejt’ kishte nënvizuar se ligji për pjesëmarrje në luftëra jashtë vendit, duhet kombinohet duke përfshirë edhe edukimin e të rinjve pasi sipas tij arsyeja për pjesëmarrje në luftëra të tilla në të shumtën e rasteve ka qenë papunësia. Adrian Kerimi





