132 milionë euro rrugë anashkalojnë shqiptarët në Maqedoni - tetova1.com

132 milionë euro rrugë anashkalojnë shqiptarët në Maqedoni


rruga-zherovjan2
Kategoria: Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Sun, Feb 1, 2015





Rrugët lokale dhe ato regjionale në vendet e banuara me shumicë shqiptare do të duhet të presin edhe më tej ditë më të mira. Gjithsej 11 akse rrugore regjionale dhe lokale, pjesa më e madhe prej tyre në vendbanimet e dominuara me maqedonas, do të ndërtohen dhe sanohen në gjatësi prej mbi 120 kilometër, ndërsa do të shpenzohen gjithsej 132 milionë euro. Në seancën për pyetje të deputetëve, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit Fatmir Imerovski, ministri i Transportit, Mile Janakievski, zbardhi rrugët që do të kapen me këtë projekt. Por, nga të gjitha rrugët e numëruara - shqiptarët mund ti gëzohen vetëm aksit Trebenishtë- Strugë dhe një pjese të vogël në rajonin e Dibrës. “Me këtë Programë, do të përfshihen më shumë akse rrugore siç është aksi në drejtim nga Shtipi në Koçan në gjatësi prej 26 kilometra, rruga nga Gradsko deri në Prilep në gjatësi prej 28.3 kilometër, pjesa e autostradës nga Trebenishta deri në Strugë në gjatësi prej 8.5 kilometra. Aksi rrugor nga Ohri drejt Peshtanit është në gjatësi prek 14.5 kilometër, rruga Rankovcë-Kriva Pallankë në gjatësi prej 22 kilometër, aksi rrugor Manastir- Resnjë-Bukovë me gjatësi prej 27 kilometër, aksi rrugor në drejtim prej Novo Sellë, Mavrovë, Zhirovnica dhe Dibër në gjatësi prej 21 kilometër”, tha Janakievski. Përveç tyre, ai përmendi se me këto mjete do të ndërtohet edhe aksi rrugor nga Koçani, Makedonska Kamenica deri në Dellçevë në gjatësi prej 30 kilometër, rruga regjionale Dellçevë- Mali Gollak në gjatësi prej 11.5 kilometër, rruga regjionale nga Nov Dojran- Nikoliq në gjatësi prej 6 kilometër, aksi rrugor Mokrino-Smolati në rajonin e Strumicës në gjatësi prej 4 kilometrave, si dhe akse më të vogla rrugore, në të cilat do të bëhet rekonstruimi dhe do të përmirësohet cilësia e tyre. Ndërkohë, edhe përkundër premtimeve të shumta - shumë rrugë të rëndësishme në vendbanimet shqiptare përveç që hidhen nga një buxhet në tjetrin, ato së fundmi kanë filluar edhe të mos përmenden në planifikimet e dikasterit përkatës. Nëpër vendbanime të shumta shqiptare, rrugët lokale dhe ato regjionale që përdoren shpesh edhe si rrugë alternative, kanë mbetur të pasanuara që nga ndërtimi i tyre prej para disa dekadave. Në gjendje më të rëndë duken rrugët e rajoneve malore, por edhe rrugët e tjera nuk janë në gjendje më të mirë. Nëpër vendbanimet shqiptare anashkalohen edhe projekte madhore për ndërtimin e autostradave që kanë edhe rëndësi ndërkombëtare siç është rruga nga kryeqyteti drejt kalimit kufitarë të Bllacës. Rruga Shkup-Bllacë flitet tetë vite me radhë se do të jepet me koncesion sipas modelit privato-publik. Mirëpo, edhe pas gjashtë tenderëve ndërkombëtare për gjetjen e koncesionerëve- deri më sot nuk është paraqitur asnjë kompani. Ndryshe rruga Shkup-Bllacë ka një gjatësi prej 13 kilometra dhe konstrukti financiar shkon në 69 milionë euro. Edhe sot e kësaj dite askush nuk ka një përgjigje të saktë se cili do të jetë fati i kësaj rruge, përderisa Qeveria ende insiston në modelin koncesionit privato-publik edhe përkundër dështimeve të deritanishme. /Arben Zeqiri/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net