“Bombat” e Zaevit do të djegin edhe ministra nga Kosova?
|
Lajmi për “Bombat” e paralajmëruara nga Zoran Zaev, lideri i opozitës në Maqedoni dhe i LSDM-së, ka zgjuar interes si në politikën e brendshme ashtu edhe gjetiu. Në mesin e informacioneve që po qarkullojnë lidhur me “Bombat” e opozitës, ka edhe të tilla sipas ta cilave disa prej tyre përmbajnë informacione komprometuese edhe për funksionarë nga Kosova dhe Shqipëria, që janë të afërt me pushtetarët e BDI-së në Maqedoni.
Afërsia në mes pushtetarëve të këtushëm me ata të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe vizitat e fundit në Maqedoni kanë bërë të forcohen dyshimet se bombat mund të kenë ndikim edhe tek pushtetet jashtë Maqedonisë.
Njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, nga Kosova për gazetën “Lajm” vërteton se krimi dhe korrupsioni në vendet Ballkanike nuk është lokal! Është regjional! Ai thotë se nuk do të deklarohet për raste individuale sepse sipas tij kjo nuk është punë analistësh por gjykatash.
“Shumat marramendëse të cilat lidhen me emrat e politikanëve apo biznesmenëve të lidhur ngushtë me politikën tregon se ato janë rezultat i një bashkëpunimi me jashtë dhe marrëdhëniet e biznesit e të politikës në mes Kosovës e Maqedonisë, përkatësisht pozitës dhe opozitës në të dy vendet është shumë e rrjetëzuar dhe intensive. Kjo natyrisht nuk vlen vetëm për këto dy vende, sepse rrjeti i merimangës ka një shtrirje të gjerë prej Turqisë, e deri në Moskë. Ky rrjetë është një manifestim dhe thurje e interesave biznesore e politike shumëdimensionale dhe vështirë se mund të perceptohet si e ligjshme krejtësisht” ka thënë Lepaja.
Lepaja cilëson se vetëm BE ka një interesim të vejë një kontroll të ligjit në këto aktivitete, dhe krejt kjo prej njohësve evropian konceptohet si angazhim kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë në vende veç e veç, qoftë në nivel regjioni.
“Procesi i integrimeve euro-atlantike hedh dritë mbi këto veprimtari shpesh të paligjshme dhe integrimet e vendeve të caktuar i kushtëzon me masat e ndërmarrura nga ato për të prerë këto lidhje dhe për të ndëshkuar pjesëmarrësit, të cilët shpesh janë te veshur me pushtet,” përfundon Lepaja.
Lidhur me mundësinë e përfshirjes së politikanëve jashtë shtetit në aferat e paralajmëruara nga opozita “Lajm” ka kontaktuar me zëdhënësin e Lidhjes Social Demokrate, Petre Shilegov. Ky i fundit, ka thënë se nuk donë të japë detaje rreth “bombave, sepse, sipas tij, shumë shpejt opinioni do të njoftohet me dëshmitë e paralajmëruara.















