Ramadani: Në BE nuk flasin më për integrimin, por për sigurinë e Maqedonisë
|
Rasti “Puç” ka zëvendësuar agjendën e bashkësisë ndërkombëtare, thotë analisti politik Ismet Ramadani. Ai vlerëson se BE do të përqendrojë përpjekjet jo gjithaq te integrimi i vendit dhe zgjidhja e kontestit të emrit, sa te parandalimi i krizave më thella politike dhe etnike.
“Rastet e fundit iu kanë dhënë shumë pak hapësirë edhe dashamirësve evropian të Maqedonisë që do të ndihmonin anëtarësimin në BE. Tani, më shumë bisedohet për sigurinë dhe evitimin e një konflikti mes pozitës dhe opozitës, si dhe implikimin e subjektit shqiptar, sesa për integrimet në Evropë”, shprehet Ramadani për “Zhurnal”.
Në këto kushte, vlerëson ai, zyrtarët e Brukselit e kanë të vështirë të flasin me krerët e shtetit për të përshpejtuar plotësimin e kritereve për në BE.
Analisti thotë se edhe komesioneri Johannes Hahn, i cili pritet të mbërrijë në Shkup më 18 shkurt, do të ndryshojë konceptin e vizitës, e cila paralajmërohej si një impuls për integrimin e vendit.






