Tetovë, emrat e shkollave: Heshtë komuna, heshtin dhe vetë shkollat - tetova1.com

Tetovë, emrat e shkollave: Heshtë komuna, heshtin dhe vetë shkollat


komuna_e_tetoves
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Feb 5, 2015





Komuna e Tetovës dhe drejtorët e shkollave të mesme të këtij qyteti vazhdojnë të heshtin lidhur me ndërrimin e emrave të shkollave të mesme, të cilat mbajnë emra të periudhës së komunizmit. Ekipi i televizionit alsat ka tentuar të kontaktojë sërish komunën e Tetovës lidhur me këtë problematikë, por pa përgjigje. E njëjta gjë ndodh edhe me disa drejtorë të shkollave. Kohë më parë, kreu i këshillit të komunës Hisen Xhemaili, theksoi për Alsat se komuna punon në këtë drejtim por pa precizuar se kur do vihet kjo në rend dite, në këshillin e komunës, dhe përse nuk merret parasysh shkolla tekstile e cila deri tani, e ka iniciuar dy herë këtë procedurë por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.

“Jemi duke analizuar formën më të mirë si mund t’ia arrijmë. Edhe si komunë kemi qëndrimin që të iniciojmë këtë ndryshim prandaj jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me drejtorët edhe me këshillat e shkollave të cilat janë kompetent për propozime konkrete”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i këshillit komunal.

Një iniciativë konkrete, para disa muajsh pati direkt nga Ministri i Arsimit Abdylaqim Ademi, i cili paralajmëroi ndryshim të emrit për shkollën e mesme “Mosha Pijade”. Por, pavarësisht bashkëpunimit me komunën, as kjo shkollë nuk u riemërtua.

“E vetmja që deri më tani ka bërë kërkesë për t`iu ndryshuar emri është Shkolla e Mesme Tekstile ‘Gjoçe Stojçeski”, kërkesa e të cilës ka përfunduar diku në sirtarët e komunës së Tetovës dhe as që është marrë parasysh apo futur në procedurë në këshillin komunal për t`iu ndryshuar emir”.

Nga ana tjetër, nismat mungojnë edhe nga vet këshillat e shkollave të mesme dhe drejtorët e tyre, përveç disave që, nga pamundësia për t’i ndryshuar emrin shkollës kanë hequr tabelat me emrat e heronjve maqedonas, në hyrje të tyre.

“Përderisa drejtorët e shkollave të mesme të Tetovës dhe komuna, vazhdojnë t’i ikin përgjegjësisë, nëpër të gjitha shkollat e mesme në Tetovë vazhdojnë të rrijnë pllakat apo mbishkrimet me emra të heronjve të kohës së komunizmit që nuk përkojnë aspak as me ralitetin e as me përbërjen e popullatës së qytetit të Tetovës”.

Kryetarja e Komunës Teuta Arifi dhe kreu i këshillit Hisen Xhemaili, deri tani kanë premtuar disa herë se kjo iniciativë do të fillojë shpejt, por deri më tani asnjë hap konkret në këtë drejtim nuk është bërë. Bashkim Sulejmani

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net