Në muajin maj nis rinovimi i stadiumit të qytetit të Tetovës - tetova1.com

Në muajin maj nis rinovimi i stadiumit të qytetit të Tetovës


stadiumi3
Kategoria: Sport / TOP LAJM

Postuar më: Sat, Feb 7, 2015





Sezoni pranveror sipas gjitha gjasave do të jetë i fundit për tre ekipet futbollistike nga Tetova, Shkëndija, Renova dhe Teteksi që do ti zhvillojnë në stadiumin e qytetit në Tetovë. Pasi fusha e stadiumit të qytetit të Tetovës po ballafaqohet me kushte jo të mira për lojë, nga Komuna e Tetovës, respektivisht udhëheqësi i sektorit për veprimtari publike në komunën e Tetovës, Ahmet Qazimi, për KOHA tha se në muajin maj, respektivisht pas përfundimit të sezonit pranveror në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë, stadiumi i qytetit do të rinovohet. Me këtë bien poshtë shkrimet e mediave se nga sezonin pranveror, tre ekipet tetovare do të jenë të detyruar të kërkojnë stadiume tjera për ti zhvilluar ndeshjet e tyre si nikoqir. “Jemi në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe në rast se harmonizohen punët, atëherë sipas gjitha gjasave nga muaji maj kur do të përfundojë sezoni futbollistik, do ti fillojmë punimet për rindërtimin e stadiumit. Shpresojmë se deri atëherë nuk do ta ngec puna dhe gjithçka do të shkojë sipas planit”, deklaroi Qazimi. Në ndërkohë, nga radhët e skuadrës së Shkëndijës, thonë se janë të njoftuar se ekzistojnë disa lëvizje me rinovimin e stadiumit të Qytetit. “Është e vërtetë se ka disa lëvizje dhe opsione në lidhje me rinovimin e stadiumit të Qytetit në Tetovë, por kjo është vetëm në fazën e bisedimeve, që donë të thotë se asgjë konkrete dhe si rrjedhojë del se nuk është e saktë kjo që shkruajnë gazetat maqedonase. Nuk ka ardhur çështja deri në atë pikë që ne të vendosim për stadium alternativë ku do t’i zhvillonim ndeshjet tona, pasi askush nuk garanton dhe nuk jem datë të saktë për nisjen e punimeve. Do të shohim, ne si klub vazhdimisht ndjekim situatën dhe në pajtueshmëri me zhvillimet do të vendosim për hapat që do ti marrim në lidhje me këtë çështje. Kujtojmë se Shkëndija kërkon të jetë shumë transparente dhe e hapur, posaçërisht me tifozët tanë, kështu që në momentin që do të ketë vendim për cilindo opsion, në kohë reale do të njoftojmë mediat dhe publikun”, deklarojnë për gazetën Koha nga Zyra për Marrëdhënie me Publik e KF Shkëndija. Në ndërkohë, edhe më herët kemi paralajmëruar se Federata e Futbollit të Maqedonisë në vitin 2015 do të përqendrohet në përmirësimin e infrastrukturës me çka nuk do të rinovojë vetëm stadiumin e Qytetit në Tetovë, por edhe tre stadiumet tjera, atë në Manastir, Prilep dhe Shtip. Prej më herët është zyrtarizuar marrëveshja me komunën e Manastirit për stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir, ndërsa në periudhën e ardhshme e njëjta do të behet edhe me Prilepin, Tetovën dhe Shtipin. FFM-ja në projektin inkuadrohet me ndërtimin e fushës si dhe sistemit ndriçues të tërësishëm të stadiumeve, ndërsa komunat e marrin përgjegjësinë për rinovimin e tribunës dhe mbulimin e të njëjtave.

Bujar KURTAJ-Koha

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net