Analistët nuk përjashtojnë inskenime të incidenteve ndëretnike
|
Analistët politikë thonë se sa herë që pushteti aktual është ballafaquar me probleme të mëdha dhe situata të palakmueshme, ka inskenuar incidente ndëretnike për të defokusuar vëmendjen e opinionit.
Memeti dhe Dimovski, duke folur për Alsat, nuk përjashtojnë mundësinë që receta e njëjtë të përdoret pas publikimit të bombave të opozitës.
“Marrëdhëniet ndëretnike ose incidentet ndëretnike të themi më saktë, gjithmonë janë përdorur në Maqedoni kur partitë politike ose Qeveria, ka pas ndonjë nevojë për ta përdredh situatën, kur ka pas situate të ngushta dhe s’ka pas argument të tjera, gjithmonë kjo është gjet si një xhoker i cili i ka mundësuar ose të përfitojë në kohë ose ta defokusojë opinionin krejtësisht në anën tjetër. Mirëpo tek ne kemi një situatë ku tentohet të parandalohet shpalimi i fakteve dhe argumenteve sipas reagimit duket se ka argument të cilat e kanë frikësuar koalicionin qeveritarë ose partinë më të madhe në pushtet dhe një mundësi e këtillë nuk duhet të injorohet”, tha Memeti.
Sinjalet e para për një tendencë të këtillë, sipas analistit Vllado Dimovski janë vërejtur që në konferencën për shtyp të kryeministrit Nikolla Gruevski, për rastin “Puçi”. Dimovski thotë se mund të inskenohen incidente të kontrolluara për aq sa do t’ju nevojiten partive.
“Ditëve të fundit deklaratat e politikanëve janë shumë të këqija. Pres konferenca e kryeministrit ishte thirrje në luftë qytetare, që vlerësoj se në Maqedoni një gjë e tillë nuk guxon të ndodh por edhe as nuk mund të ndodh. Populli është aq i mençur për të mos rënë në skenare të tilla. Sipas mendimit tim priten paralajmërime, zhvillime të caktuara, por në përmasa që do të jenë të kontrolluara, sepse përplasjet ndëretnike në Maqedoni gjithmonë kanë qenë të kontrolluara. Ndoshta do të ndodhë diçka në ndonjë rrugë, por ajo do të jetë rreptësisht e kontrolluar siç ishin ngjarjet në Kala, zhvillimet e Monstrës, siç ishin në Gjorgçe Petrov e kështu me radhë”, deklaroi Dimovski
Analistët politik shprehen optimist se qytetarët kësaj radhe do të jenë më vigjilent dhe bëjnë apel që të mos bien pre e provokimeve eventuale nga siç thonë, militantët partiak. Shqetësime për pasoja eventuale në marrëdhëniet ndëretnike shprehën edhe ambasadat e huaja në vend./Alsat















