Largimet nga SASHK-u dhe zgjimi i LASH-it, do t’i dridhin shkollat
|
Laura PAPRANIKU
Marrëveshja joparimore e arritur mes Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), po hap, sipas të gjitha gjasave, “Kutinë e Pandorës”. Shkollat kanë nisur të sensibilizojnë zëshëm dukurinë e mos transmetimit të drejtë të shqetësimeve sociale dhe padrejtësive profesionale që kanë mësimdhënësit, sidomos ato që përfaqësojnë shkollimin në gjuhën shqipe. Një dridhje e fuqishme pritet të ndodhë javëve në vijim në arsimin fillor dhe të mesëm, e që sipas nismëtarëve të kësaj lëvizje, do të ketë në fokus faktorizimin e mësimdhënësve shqiptarë.
“Shumë shpejtë do të dalim me hapat dhe kërkesat konkrete, pasi SASHK-u të ketë paraqitur me shkrim deri te të gjitha organizatat sindikaliste raportin me rezultatet e grevës së përgjithshme në arsim. Për momentin jemi duke parë se cilat janë qëndrimet e mësimdhënësve rreth idesë për largimin nga kjo sindikatë”, deklaron Shkumbin Rushaj, profesor i informatikës në Gjimnazin “Drita” të Kërçovës dhe njëkohësisht mësimdhënës në Shkollën Fillore “Sande Shterjovski”, ku angazhohet për të plotësuar fondin e plotë të orëve të mësimit. Rushaj është edhe administrator teknik i Grupit “Mësuesia” që për momentin vepron në rrjetin social “facebook” e, që kohëve të fundit është aktivizuar së tepërmi në sensiblizmin e grevave, testimeve ekstreme, ditarëve elektronik, programeve mësimore dhe çështje të ngjashme të karakterit pedagogjik. “Largimi i mundshëm i sindikalistëve shqiptarë nga SASHK-u, në asnjë mënyrë nuk do të thotë kalimi i tyre në Sindikatën Multi-Etnike të Arsimit apo krijimi i një sindikate të tretë. Të gjitha shqetësimit dhe problemet tona mund të sensibilizohen dhe përmes formave tjera si lidhje apo shoqata të arsimtarëve”, shpjegon ai. Për këtë, sipas Rushajt, duhet të ndodhën edhe “një zgjim i LASH ‘Naim Frashëri’”. Ka një kohë të gjatë, që nuk i dëgjohet zëri LASH-it, plotëson më tej Rushaj. “Madje, nuk dolën me asnjë qëndrim as për grevën e fundit, të cilën, sikurse u dëshmua, e mbajtën mësimdhënësit shqiptarë, pa çka se vendimi për organizimin e asaj greve ishte sjellë nga SASHK-u, ku shqiptarët janë shumë pak të përfshirë në organet vendimmarrëse”, shprehet Rushaj. Ai thotë se i është kërkuar nga kolegët që të mirëmbajë teknikisht Grupin “Mësuesia”, meqë me profesion është informaticient. Ky është grupi i të gjithë mësimdhënësve, të cilët mund të shfaqin mendimet “pro et conta” fenomeneve në arsim dhe ku secili me postimit e veta përfaqëson vetëm qëndrimin e tij individual. Këtu, Rushaj ka hapur edhe sondazhin “Mendoni se duhet të largohemi nga anëtarësia e SASHKU-ut”. Rezultati momental tregon se shumica dërmuese janë pro këtij mendimi. Konkretisht, nga 197 që janë prononcuar për këtë pyetje, 190 janë përgjigjur me PO, kurse vetëm 7 me JO.
Është e fshehtë publike se në Maqedoni gjatë këtyre 25 viteve të pavarësisë, organizmi i shqiptarëve nëpër organizata sindikaliste apo shoqata joqeveritare ka qenë vazhdimisht i vakët. Edhe në rastet kur janë pjesë e formacioneve të tilla si SASHK apo SMA, shërbejnë vetëm si masë për të peshuar në kandarin e interesave formalisht sindikaliste, pasi jo rrallë here është dëshmuar se pas tyre qëndrojnë kauza politike dhe nacionaliste. Vetëm këto pesë-gjashtë vitet e fundit, nëpër protesta apo greva ndodhën të lexohet ndonjë pankartë në gjuhën shqipe, ndërsa e statusi social i mësimdhënësve dhe të punësuarve tjerë në shkollat shqipe nuk trajtohet asnjëherë në vlerën reale të tyre. Tre vite më parë nga SASHK-u u largua nënkryetarja Muzafere Sinani, kurse para saj Ruzhdi Ibrahimi ishte larguan nga Konfederata e Sindikatave të Pavarura, ku mbante postin e nënkryetarit. Nuk mund të jetë rastësi që nëpër formacione të këtij lloji nuk e gjen asnjë shqiptarë në pozitë të kryetari. Kjo, sigurisht flet për problemit kryesor, atë të mos faktorizimit të duhur të mësimdhënësve shqiptarë në organizata sindikaliste apo shfrytëzimin e tyre si mjet për arritjen e qëllimeve të caktuara nga organe (kryetarë e këshille) kryesisht maqedonase.
Në rrymim të iniciativave “largim nga SASHK-u” dhe për “zgjim të LASH-it”, ish-
drejtues të organizatave dhe veteranë të arsimit në gjuhën shqipe, kanë shfaqur publikisht mospajtimet e tyre. Muzafere Sinani, ish-nënkryetare e SASHK-ut, ka shpjeguar se nuk kishte pritur epilog më të mirë të grevës që u organizua nga 20 janar deri në 3 shkurt. “Edhe pse nuk isha dakord me mënyrën si u protestua unë përsëri e mbështeta grevën. Dihej se si do të përfundonte puna”, ka shkruar mes tjerash në Grupin “Mësuesia” që momentalisht numëro rreth 6 mijë anëtarë. Postimi i lajmeve ku kryetar i SASHK-ut Jakim Nedellkov, nuk është në gjendje të tregojë arritje të marrëveshjeve për asnjë prej kërkesave të grevës si dhe postimi i fotografive të ish-kryetarit Dojçin Cvetanovskit në mbrojtje të kauzave qeveritare, janë pasuar me një lum kritikash dhe komentesh anti-SASHK. Si do të rrjedhin më tej punët në drejtim të faktorizimit të mësimdhënësve shqiptarë, varet prej rrugëve që do të merr iniciativa përkatëse. Jehona në rrjete sociale është tejet e madhe, mirëpo si do të shkojnë punët në teren, mbetet të presim marsin. Është koha e fundit, kur shkollat shqipe duhet të mobilizohen për të treguar se nuk janë vetëm faktor numerik, por vendimmarrës në arsim.















