Shqiptarët pas materiales, harrojnë shpirtëroren në biznes
|
Frika nga investimi në idetë e reja dhe niveli i ulët i vetëdijes për dobitë që sjellin inovacionet në zhvillimin dhe rritjen e bizneseve janë shkaqet kryesore pse firmat në Maqedoni pak investojnë në risi të procesit të punës. Sipas ekonomistëve, niveli i ulët i vetëdijes së bizneseve të cilat shumë pak aplikojnë inovacione në punën e tyre ndërlidhet jo vetëm me mungesën e mjeteve financiare, por edhe me mungesën e kuadrit të specializuar për zhvillimin e ideve, prodhimeve dhe shërbimeve të reja, që bizneset hezitojnë t’i punësojnë. “Mungesa e inovacioneve te kompanitë e mesme dhe të vogla në Maqedoni është një sublimim i mungesës së të hollave dhe nivelit të ulët të vetëdijes për nevojën e investimit në kuadrot njerëzore dhe në inovacionet e ndryshme. Gjithashtu, kjo është pasojë edhe e momentit financiar dhe frikës së bizneseve që të investojnë pasi kanë frikë sa do të kenë dobi prej kësaj”, thotë konsulenti i biznesit Sinisha Pekevski. Sipas tij, pjesa më e madhe nuk shikojnë funksionimin e tyre afatgjatë, por janë të orientuara të mbijetojnë. “Bizneset për momentin janë më shumë të orientuara që të mbijetojnë, edhe pse ekzistojnë shembuj të suksesshëm të firmave që funksionojnë sipas biznes parimeve të vërteta. Pra, bizneset nuk e shikojnë zhvillimin e tyre në mënyrë afatgjatë, por në mënyrë afatshkurtër, ku shikojnë që të zvogëlojnë çdo harxhim të tepërt që e kanë për biznesin, e jo të investojnë në fusha të caktuara”, thotë Pekevski.
Mendim të ndryshëm nga ai ka ekonomisti Visar Ademi, sipas të cilit mendësia apo niveli i vetëdijes për nevojën e investimit në resurse njerëzore që do të avancojnë punën e kompanisë, është shkaku kryesor i nivelit të ulët të inovacioneve në biznesit vendor. “Çështja kryesore pse kompanitë vendore nuk investojnë më shumë në risi të ndryshme qëndron te niveli i ulët i vetëdijes për nevojën e investimit në burimet njerëzore. Pra, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme e shohin investimin në kapitalin njerëzor si harxhim dhe jo si investim që do të sjellë përfitime të shumta në të ardhmen sa i përket produktivitetit , kreativitetin e kështu me radhë”, thotë eksperti ekonomik Visar Ademi. Lidhur me biznesin shqiptar, ai thotë se niveli i ulët i inovacioneve ndërlidhet edhe me vlerësimin më të madh të teknologjisë në raport me investimet në resurse njerëzore. “Ne si shqiptarë jemi më shumë të lidhur me vlerat materiale karshi vlerave shpirtërore, që ndërlidhet edhe me nivelin tonë arsimor. Pra, më shumë çmohen asetet apo makineritë dhe teknologjitë e ndryshme se sa kapitali njerëzor, ndërkohë që përvojat e suksesshme botërore tregojnë se duhet të ndodhë e kundërta. Pra të parat duhet të jenë idetë inovative, ndërsa makina nevojitet të jetë vetëm mjet ndihmës dhe jo makina të jetë gjithçka”, thotë Ademi. Ekonomistët shpjegojnë se inovacionet nuk nënkuptojnë vetëm shpikje të mëdha dhe të shtrenjta, apo prodhime dhe shërbime të reja, por risi mund të jetë edhe përmirësimi i procesit prodhues, vendosja e sistemit të ri menaxhues e kështu me radhë. Vlerësohet se vendosja e inovacioneve ndikon edhe në rritjen e eksportit, fuqizimit të bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ndryshe, prej vitit të kaluar kompanitë në vend kanë në disponim edhe fondin për inovacione dhe zhvillim teknologjik, ku mund të aplikojnë për disa instrumente financiare. Ky fond ka për qëllim të ndihmojë të gjithë afaristët që kanë ide të mira dhe inovacione që të njëjtat t’i materializojnë dhe t’i komercializojnë. Ndërkohë nivelin e ulët të vendosjes së risive te kompanitë e vogla dhe të mesme e vërtetojnë edhe të dhënat zyrtare të Entit të Statistikës. Këto tregues udhëzojnë se në inovacione udhëheqin kompanitë e mëdha përkundër faktit se në tregun e Maqedonisë me 90 për qind veprojnë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Së këndejmi, në periudhën 2010-2012, vetëm 43 për qind e firmave në Maqedoni kanë realizuar ndonjë lloj inovacioni në punën e tyre, ndërsa 57 për qind e tyre janë frikuar që të vendosin inovacione. Përqindja më e madhe e inovacioneve është te kompanitë e mëdha që marrin pjesë me 75.8 për qind, ndërsa më e paktë kjo praktikë është te firmat e vogla ku vetëm 40 për qind e tyre kanë vendosur inovacione. Sipas veprimtarive, në përqindje numri më i madh i firmave që vendosin inovacione janë ato nga sektori i veprimtarive financiare dhe të sigurimit me 89 për qind. /Fisnik Pasholli/










