Pranohen ‘volunterë’ partiak, anashkalohen nëpunës me kontrata
|
Janë shfaqur reagimet e para lidhur me Ligjin për punësimin në marrëdhënie të rregullt pune në Maqedoni.
Një pjesë e të punësuarëve me kontrata pune përmes agjencive për punësim janë përjashtuar nga ligji i ri të votuar dje që planifikohet punësimi në marrëdhënie të rregullt pune i mbi 3 mijë vetave në administratën dhe institucionet buxhetore.
Qindra të punësuar me kontrata përmes agjencive për punësim ‘partner’ me një përvojë disavjeçare nëpër institucione kanë mbetur të përjashtuar me këtë ligj.
Ata theksojnë se pas konsultave me drejtoritë ku janë të angazhuar atyre u është thënë se nuk janë të përfshirë.
“Ne nuk mund të kuptojmë se si ne që jemi nëpër disa institucione me kontrata në vepër të punësuar përmes agjencive për punësime nuk pranohemi dhe nuk na zgjidhet statusi ynë, ndërsa punësohen volunterët që janë kyçur në institucione para dy tre muajve. Kjo shihet se bëhet fjalë për një ligj propagandues për përfshirjen e aktivistëve partiak. Ata e dijnë mirë se kë kanë lënë pa përfshirë dhe kjo është me qëllim”, kanë thënë të punësuar që kanë mbetur pa vendime të rregullta të punës. Disa prej tyre kanë një përvojë prej 8 deri 10 viteve dhe se ata frikësohen se me pranimin e këtyre volunterëve në marrëdhënie të rregullt pune, mund të rrezikohet e ardhmja e tyre.
“Kjo edhe mund të ndodhë, sepse institucioni përkatës mund të thotë se nuk ka nevojë më për ne, edhe pse jemi të profesionalizuar në fushën e caktuar”, theksuan për INA, disda të punësuar. Ata dyshojnë se me këtë ligj kryesisht përfitojnë aktivistë dhe militantë të VMRO-DPMNE-së.
Parlamenti dje votoi këtë ligj të ashtuquajtur Ligji për transformim të statusit të punës të të gjithë personave të angazhuar në shërbimin publik nga statusi i tyre i pazgjidhur në status të rregullt të punës. Qeveria planifikon se me këtë ligj përfshihen mbi 3 mijë të punësuar që punojnë siç thuhet me vite në institucionet shtetërore përmes kontratave të ndryshme të punës. Por me këtë krijohet edhe konfuziteti se nuk bëhet fjalë për kontrata të ndryshme dhe se ligji përjashton një kategori të caktuar të të punësuarëve nëpër disa institucione me status të pazgjidhur. (INA)















