BDI-ja filloi t’i vardiset Zaevit!
Fejzi Hajdari
Si duket BDI e gjendur në situatë: me VMRO-në ose me LSDM-në, ka filluar ta hedhë karremin (grrepin), për të filluar një flirt më LSDM-në. Ajo që thuhej në media, dalngadalë, por sigurtë, po bëhet realitet. BDI si duket është zënë me “preshë në dorë” ose më mirë thënë: i është “zënë bishti me derë”.
Edhe BDI, por edhe miku i tyre i TV SITEL, Dragan Pavlloviq -LLATAS, po bëjnë akrobacione me anë të të cilave, ia kanë mësyer procesit të vardisjes drejtë “prehërit të LSDM-së”.
Deklarata e fundit të Ali Ahmetit e BDI-së (Kumtesa partiake pas takimit me deputetët gjermanë), se “LSDM-ja e paska vendin e saj në parlament” dhe se atje për “partner do ta ketë edhe BDI-në”, le të kuptohet se Ahmeti dhe BDI-ja, të gjendur në një situatë frikë dhe pasigurie nga “bombat e Zaevit”, po bëjnë përpëlitjet, përpjekjet e fundit për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet në të tilla momente.
Ndërrimi i përnjëhershëm i diskursit politikë kundrejt Socialdemokratëve, të cilët deri para pak ditësh BDI i akuzonte dhe shante nëpërmjet “tellallit nga kabineti i selisë blu”, po hedhë shumë dilema në syprinë, të tipit: nëse BDI dhe Ahmeti, kanë bërë pazarin eventual me kreun opozitar Zaev ose eventualisht nëpërmjet kësaj manovre, po fillojnë zanatin e vjetër: atë të vardisjes ndaj partive maqedonase, i cili eventualisht ka gjasa për t’u bërë bartëspushteti në një të ardhme të afërtë.
Por, kësaj radhe, hapësirë për vardisje dhe servilitet, është tkurrur tejmase për BDI-në, pikërisht për shkak të praktikës së deritanishme BDI-iste atë të manifestimit të “loajalitetit” ekstrem ndaj pushteteve, madje edhe në raste kur pozita e tyre në qeveri ka qenë shumë e fuqishme.
Si duket “zanatin e BDI-së”, partitë maqedonase tanimë e kanë studiuar deri në pikën më të vogël të mozaikut, prandaj mundësia për të shpëtuar e “larë” dhe sidomos për ta ruajtur qoftë edhe këtë rejting tejet të ulët të BDI-së, si dhe për të bërë ndonjë pazar politikë, është skajshëm e vogël. Janë pikërisht veprimet diletantesko-aventuriere, të pamatura në dimensionin e interesit kombtarë, dhe të pakalkuluara mirë në dimensionin politik, ato që BDI-në kësaj radhe do ta sjellin në pozitën e përplasjes me konsekuencat e politikës disfatisto-defetiste. Reagimet e popullatës shqiptare, të qytetarëve të thjeshtë gjatë këtyre ditëve të fundit, janë barometër më i mirë, se pavarësisht manovrave dhe vetbegenisjes së kësaj partie, BDI-ja dhe Alija, nuk janë me atë që ishin dje!














