Ujësjellësi i Nerashtit, mbeti vetëm premtim!
|
Edhe 4 vjet pas fillimit të punëve për ujësjellësin e fshatit Nerasht, banorët e tij vazhdojnë ta sigurojnë ujin për pije nga fshatrat përreth, disa kilometra larg.
“Ujësjellës nuk kemi ende në fshat. Punojnë, kanë punuar por ujë ne mbushim vet në fshat Odër me bidonë. Ujë për pastrim kemi prej çezmës së vjetër”.
“Në Jazhincë mbushim ujë, në Odri, ku na vjen më mbarë”.
“Ujë për pije, ku ka ujë për pije, mbushim në prua nëpër lumenj. Do bëhet ujësjellësi kur të vijnë votimet, ndoshta do lëviz diçka, tani nuk ka gjë”.
“S’ka ujë ende vetëm thonë do e bëjmë sot do e bëjmë nesër dhe s`ka ujë, atyre iu duhen vota sa të ikin zgjedhjet harrojnë”.
Kreu i bashkësisë lokale të fshatit Nerasht, Muhamet Fetishi thotë se pas vendosjes së gypave, një pjesë e madhe e tyre u hoqën, pa ofruar sqarime. Ai dyshon se bëhet fjalë për ndonjë manipulim, ndërsa kërkon sqarime nga organet kompetente.
“Nga fundi i vitit 2011 dhashë një deklaratë që për tre muaj do përfundojë kjo punë, dhe të gjithë që dhanë kontribut i falënderuam, mirëpo çka është puna ku ka ngec puna deri më tani asnjë informatë nuk kam. Puna është tek ai që kryen punët, te firma, dy ose tre herë janë ndërruar gypat, falsifikim gypash ku e di unë çka. Diçka po lëviz. Vetëm mbaruesi i punës vetëm ai që e bën punën. Ka tre apo katër muaj që nuk kanë bë as testim asgjë, thonë që do të vijnë po nuk janë duke ardhur, ku është problemi nuk e di si kryetar i bashkësisë lokale nuk kam informacion”, tha Muhamet Fetishi, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Nerashtit.
“Ekipi i televizionit Alsat kërkoi sqarim edhe nga kreu i komunës së Tearcës Isen Asani se përse një pjesë e gypave që janë larguar nuk janë kthyer më në vend siç thonë banorët, mirëpo për të tretën herë nga zoti Asani morëm prononcim negativ se puna nga komuna e Tearcës është kryer dhe se duhet të drejtohemi tjetërkund”.
Ujësjellësi i fshatit Nerasht ka filluar të ndërtohet në vitin 2011, me premtimin se për tre deri në 4 muaj do të përfundonte, por ai vazhdon tashmë prej vitesh dhe autoritetet i shmangen përgjegjësisë. Bashkim Sulejmani










