Gostivar, komuna iu fal 1 milion euro borxh qytetarëve
Komuna e Gostivarit iu ka falur mbi 1 milion euro borxhe, qytetarëve të saj, të cilat trashëgoheshin prej vitesh, deri në 2005-ën, viti kur Nevzat Bejta për herë të parë u zgjodh kryetar i komunës. Lajmi u bë i ditur nga Shyret Elezi, e departamentit për Financa dhe Buxhet të komunës së Gostivarit, e cila iu bëri thirrje që banorët që kanë borxhe të trashëguara, të paraqiten në komunën dhe të marrin vërtetimet për shlyerjen e tyre. Nga komuna e Gostivarit, njëkohësisht, ftuan të gjithë qytetarët që nuk kanë paguar borxhet ndaj komunës pas vitit 2005, t’i shlyejnë ato, pasi këto para do t’iu kthehen me investime dhe shërbime më të mira për vetë qytetarët.
“Këshilli i komunës së Gostivarit në seancën e 17 të mbajtur në 12 shkurt të vitit 2015, për çregjistrimin e përhershëm të detyrimeve tatimore nga evidenca e komunës së Gostivarit shkaku i vjetërsisë, deri më 31 dhjetor të vitit 2005. Në vlerën totale prej 63 211 782 denarë sipas llojit të tatimeve në vijim. Tatim në pronë në vlerë prej 21 552 000 denarë, tatim në qarkullim për trashëgimi dhe dhurata në vlerë prej 4 730 000 denarë dhe për firma në vlerë prej 28 928 000 denarë”, tha Shyret Elezi, Përfaqësuese e Komunës së Gostivarit.
Përndryshe në vitin 2005, Nevzat Bejta u zgjodh kryetar i Gostivarit në zgjedhjet lokale. Mandati i tij i parë si kryetar komune zgjati deri në vitin 2009 kur në zgjedhjet lokale fitoi Rufi Osmani i cili udhëhoqi me komunën deri në vitin 2013.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, Nevzat Bejta përsëri u zgjodh kryetar komune dhe ky mandat pritet do të vazhdoj deri në vitin 2017.









