Hahn pritet të lëshojë ‘bombën’ e sjellur nga Brukseli
Evrokomisioneri për politika fqinjësore dhe zgjerim, Johanes Hahn po vazhdon takimet me krerët e lartë shtetëror.
Evrokomisioneri për politika fqinjësore dhe zgjerim, Johanes Hahn po vazhdon takimet me krerët e lartë shtetëror.
Evrokomisioneri Hahn deri tani nuk ka pasur ndonjë prononcim publik, ndërsa institucionet qeveritare kanë lëshuar komunikatat nga takimi duke theksuar se cilat çështje ishin pjesë e bisedimeve.
“Qëndrimi im dhe qëndrimi i BE-së është se të gjitha partitë politike duhet të kenë debat politik në Parlament, e jo jashtë parlamentit. Këtu jamë për të ndihmuar në daljen nga kjo gjendje politike. Opozita të kthehet në Parlament, dhe aty të zgjidhen të gjitha çështjet politike”, deklaroi evrokomisioneri Johanes Hahn në takimin me presidentin Gjorgje Ivanov.
Presidenti Ivanov theksoi se Maqedonia mbetet tërësisht e përkushtuar në hapjen e negociatave aderuese dhe zbatimin e reformave për anëtarësim në BE, duke kërkuar angazhim më aktiv dhe mbështetje nga komisari Hahn. Presidenti Ivanov tha se pritja e stërgjatur për hapin e radhës në integrimet evroatlantike shkakton frustracione në shoqërinë tonë, jostadilitet në jetën politike dhe tensione në marrëdhëniet ndëretnike.
Hahn takoi zëvendëskryeministrin për evrointegrime Fatmir Besimi, kabineti i së cilit ka informuar përmes një komunikate se në takim u diskutua për përpjekjet e vendit në drejtim të realizimit të reformave dhe prioritetet e tjera për hapjen sa më të shpejt të negociatave për anëtarësim.
“Mes tjerash temë diskutimi ishin edhe liria e shprehjes dhe mediat, gjyqësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet ndëretnike, reformat në administratën publike, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal, rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimeve”, nënvizohet në komunikatën e kabinetit të zëvendëskryeministrit Besimi.
Evrokomisioneri Hahn do të takojë edhe kryeministrin Nikola Gruevski në një drekë pune në rezidencën e BE-së në Shkup, ndërsa në kuadër të vizitës janë paraparë edhe takimet me krerët e partive politike. Në mbyllje të vizitës zyrtari i lartë evropian pritet të zhvillojë një konferencë me gazetarët në selinë e BE-së në Shkup, ku ai do të shpalos qëndrimet dhe vlerësimet lidhur me zhvillimet aktuale në Maqedoni, sidomos pas shpërthimit të aferës së përgjimeve dhe tensioneve politike në vend. (INA)




