Njerëzit e shitur nuk janë të denjë të përkujtojnë 2001-shin - tetova1.com

Njerëzit e shitur nuk janë të denjë të përkujtojnë 2001-shin


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Feb 17, 2015





Edhe pse gjendja politike e shqiptarëve të Maqedonisë aspak nuk është ashtu siç do të kishin dashur dëshmorët, kanë filluar manifestimet për shënimin e 14 vjetorit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rënia e Dëshmorëve të Kombit. Zakonisht, këto manifestime më të intensive janë në vitet kur mbahen zgjedhje, ndërsa vitet kur nuk mbahen zgjedhje anashkalohen gati në tërësi. Me këtë rast, të hënën u bënë homazhe tek varrezat e Dëshmorëve në fshatin Tanushë, ndërsa në hotelin “Aleksandar Palace” të hënën pasdite duhej të mbahej Akademia Qendrore përkujtimore. Në kuadër të këtij manifestimi në Komunën e Çairit u promovua edhe libri “Tanusha në rrjedhat e Historisë”, autori i të cilit është Feri Arifi.

Mirëpo mjerimi në të cilin jetojnë familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, nga njëra anë, si dhe luksi në të cilin jetojnë “profiterët” e luftës, nga ana tjetër, pashmangshëm e imponon pyetjen: A janë të denjë të festojnë sot përvjetorët e vitit 2001, ata që i kanë uzurpuar këto përvjetorë dhe që janë në koalicion me Gruevskin dhe Mijallkovin? Këtë pyetje edhe më tepër e imponon statusi i pazgjidhur i dëshmorëve, invalidëve dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, statusi i pazgjidhur i gjuhës shqipe, projektet diskriminuese të qeverisë nacionaliste maqedonase, VMRO-BDI, si dhe bisedat e publikuara që tregojnë sjellje nënçmuese të politikanëve maqedonas ndaj atyre politikanëve që i voton shumica e shqiptarëve.

Deputeti i vetëm i cili në vitin 2001 iu bashkëngjit UÇK-së, Hysni Shaqiri, thekson se dëshmorët e të gjitha luftërave duhet të kujtohen, “se ua kemi borxh këtij gjaku të derdhur për liri”.

”Njerëzit më të korruptuar, njerëz më të komprometuar, njerëz që kanë shkelur idealet e tyre në të gjitha format, tash organizojnë akademi përkujtimore në momentin kur u rrezikohet posti politik, u rrezikohet autoriteti. Kredibiliteti u ka ardhur në pikëpyetje dhe për këtë organizojnë akademi përkujtimore. Kjo strukturë ë organizon përvjetorë, nuk ka pasur asnjë lidhje me dëshmorët e luftës së 2001-shit, sepse tërë kohën kanë qenë në Prizren. Dhe çka është më e keqja, gjithë ata që janë vrarë për idealin, lirinë, pavarësinë e këtij vendi, aspak nuk kanë të bëjnë me politikën që e drejton sot Ali Ahmeti”, thotë për “Lajm”, Shaqiri.

Ai shton se kur të kujtohen njerëz serioz, duhet të kujtohen nga njerëz serioz, që t’ju shprehin ngushëllime familjeve të cilat i kanë humbur pjesëtarët e tyre në luftë.

Gazeta “Lajm” ka pyetur edhe ish deputetin Mersel Bilalli se sa është etike të manifestohet 14 vjetori i luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rënia e Dëshmorëve të Kombit, kur gjendja politike e shqiptarëve të Maqedonisë nuk është e lakmueshme e aspak ashtu siç do të kishin dashur dëshmorët? Njësoj si Shaqiri edhe Bilalli konteston kredibilitetin e atyre që po organizojnë manifestimet.

“Përvjetoret e tilla duhet të nderohen dhe të respektohen. Megjithatë faktikisht shumica e njerëzve me arsye mendojnë se janë të shmangura idealet kryesore me të cilat nisi lufta”, thotë Bilalli

Ai më tej shton se devijimi nga idealet vlen në çdo segment, si në aspektin ekonomik dhe në aspektin social, si në aspektin e barazisë reale, përdorimin e gjuhës, në çdo segment kemi retrogradë, më e dhembshmja çështje nga të gjitha është çështja e shpërnguljes.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net