Pse kanë transfere nga jasht, ju ndalet ndihma sociale
|
Këto ditë në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Dibër, ka reagime të shumta nga ana e dibranëve, të cilët me vendim të këtij institucioni u është ndërprerë e drejta për marrjen e ndihmës sociale të përhershme, edhe atë vetëm për shkak të marrjes së parave me transfer nga jashtë. Jozyrtarisht merret vesh se bëhet fjalë për mbi 50 familje me mbi 200 anëtarë, të cilët kanë anëtarë të familjeve që punojnë jashtë shtetit, kryesisht në vendet të UE, e që kanë dërguar para në deviza për të ndihmuar familjarët me probleme sociale për të bërë sanime në shtëpitë të tyre.
Ka pasur ditë kur është ngritur zëri nga ana e dibranëve të revoltuar, të cilët thonë se është absurde që t’u ndërpritet ndihma e rregullt sociale në para që kanë marrë vite me radhë vetëm se anëtarët e familjeve të tyre kanë bërë dërgesa në deviza për të ndihmuar të afërmit e tyre në vendlindje. Janë ata vëllezër, nipër, fëmijë, por edhe të afërm të tjerë, që edhe gjatë viteve të kaluara kur familjet me probleme sociale kanë patur nevojë për para, ata kanë ndihmuar. Kjo ndodh për herë të parë këtë vit, edhe pse situata sociale në familjet që morën vendim për ndërprerje të të drejtës në fjalë, nuk kanë ndryshime në aspektin social.
I.E nga Dibra është një nga ata që ka marrë vendim në të cilin thuhet se i ndërpritet e drejta për ndihmë të rregullt materiale për shkak se ai ka marrë para nga jashtë shtetit, nëpërmjet kompanive për transfer të shpejtë të parave. Në vendim thuhet se bëhet fjalë për një lartësi të hollash prej 1.192.310. denarë gjatë vitit 2014, me çka tejkalohet lartësia që ka parapa Ligji për ndihmë sociale. Bashkëbiseduesi ynë thotë se paratë janë marrë dhe dërgesa është bërë nga motra e tij për sanimin e shtëpisë. Është një vlerë e parave në deviza, të cilët ia kërkova motrës për të bërë sanimin e shtëpisë, me që situata në objektin e banimit ishte problematike. Është krejt absurde që me këto dërgesa të më ndërpritet e drejta e ndihmës sociale që marr me vite. Jemi një familje e cila jeton me ndihma sociale dhe nuk ka drejtësi nëse për këtë shkak humbi të drejtën e ndihmës sociale, thotë I.E., banor i qytetit të Dibrës.
Por, si ky rast ka edhe shumë të tjerë. E.V, po ashtu nga Dibra, sqaron se edhe ai ka marrë një vendim të tillë, vetëm se djali i familjes që jeton në Gjermani e që nuk është në listën e familjes që merr ndihmë ka dërguar pak para për t’i ndihmuar familjes. Edhe në këtë familje janë plot me indinjatë dhe thonë se nuk ka rezon që për shkak të dërgesave nga jashtë shtetit të ndërpritet e drejta e ndihmës sociale. Këta janë masa që nuk shkojnë me logjikën, thonë familjarët e revoltuar. Personat që ankohen, thonë se administratorët e këtij institucioni ku nuk ka juristë ose janë të rrallë, nuk dinë ta komentojnë ligjin, me që bëhet fjalë për dërgesa për ndihma e jo dërgesa të rregullta. Nëse është ndryshe, atëherë ligji është tendencioz shtojnë qytetarët e dëmtuar.
Në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Dibër, nuk japin përgjigje për këtë problem. Ata thonë se nuk kanë të drejtë të japin informata dhe shtojnë se në vendimet për ndërprerjen e ndihmave sociale, janë dhënë sqarime juridike. Por, duke marrë parasysh faktin se Dibra dhe dibranët jetojnë në pjesën më të madhe të tyre me ndihmat e familjarëve që kanë migruar në SHBA, apo shtetet e Unionit Evropian, del që të gjithë dibranëve që marrin ndihma sociale t’u ndërpritet ndihma sociale. Dibra ku një e treta e popullatës merr ndihma sociale, respektivisht mbi 4000 dibranë marrin ndihma sociale dhe pa ndihmën e diasporës nuk mund të mbijetojnë. Shumë shkollime të fëmijëve dibranë, gëzime, por edhe ndërtime, dibranët me probleme sociale i realizojnë fal ndihmave që vijnë nga të afërmit të tyre që jetojnë jashtë shteti.
/Vjollca SADIKU/






