Videot për Boshkovskin, heshtje totale në Prokurori
‘Prokurori Publik Marko Zvërlevski, i cili ishte protagonist në njërën nga bisedat e publikuara nga opozita, nuk ka përgjigje për asnjë nga pyetjet aktuale të cilat u interesojnë mediave dhe opinionit. Heshtje për rastin “Puç”, heshtje për bombat e Zaevit, dhe së fundmi heshtje edhe për videot që publikohen në rrjetet sociale’.
Të kontaktuar nga Alsat M, nga ky Institucion thonë se në interes të hetimeve nuk mund të zbulojnë se si xhirimet e fundit të Ljube Boshkovskit duke negociuar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë kanë përfunduar në media dhe përdoren për qëllime politike. Nuk kanë përgjigje gjithashtu nëse pamjet janë xhiruar nën masa të posaçme hetuese ose jo, dhe pse nuk janë shkatërruar pas një afati të caktuar, siç e parashikon ligji. Ndërkohë sot janë publikuar edhe katër video tjera të Ljube Boshkovskit, ku shihet se si merr para nga person i panjohur, në këmbim të premtimit për ndryshimin e emrit të shtetit. Prokuroruia akoma nuk ka përgjigje për videot nga takimi mes kryeministrit Gruevski dhe kreut të LSDM-së Zoran Zaev, që u shfaqën 3 javë më parë në rrjetin Youtube. Lidhur me këtë rast, ditë më parë reagoi edhe LSDM-ja, e cila akuzonte Zvërlevskin se është vënë në shërbim të agjendës politike të VMRO DPMNE-së. Ndryshe, gjatë “bombës” së dytë të opozitës që kishte të bënte me emërimet në gjyqësor, Zaev publikoi një bisedë telefonike mes ministrave Zoran Stavrevski dhe Gordana Jankullovska, duke biseduar për një proces gjyqësor të cilin prokurori Marko Zvërlevski, siç thotë opozita me porosi të Jankullovskës, e ka mbyllur në favor të Stavrevskit.
BISEDA:
Gordana Jankullovska: Unë ia përmenda Markos, i thashë shiko andej-këndej, jo direkt hidhe poshtë akuzën, por shiko ta përfundojmë më shpejtë, por ai e di çfarë do të thotë ajo.
Zoran Stavrevski: Aha
Gordana Jankullovska: Në mëngjes e kërkova, pastaj më lajmëroi, ishte në gjykim dhe nuk mundte të fliste, por më tha ‘atë që më dhe detyrë, është e kryer’.
/alsat/





