Mehmeti: Politikanët shqiptarë, të punësuar të regjimit të Gruevskit (INTERVISTA) - tetova1.com

Mehmeti: Politikanët shqiptarë, të punësuar të regjimit të Gruevskit (INTERVISTA)


kimmehmeti
Kategoria: Intervista / TOP LAJM

Postuar më: Tue, Feb 24, 2015





I frymëzuar nga idhulli i tij i rinisë, Faik Konica, me të cilin me modesti thotë se nuk pretendon të krahasohet, por mendimet e të cilit i ngjajnë një cingërime që i zgjon nga gjumi edhe mendimet e tij, mendimtari i shquar shqiptar, Kim Mehmeti përpiqet të japë në mënyrë të pakushtëzuar kontributin e tij intelektual, duke cekur problemet e shumta kombëtare, të cilat e bëjnë ende të lëngojë popullin tonë.

Mehmeti, duke e nisur me aktualitetin, si e komentoni shpërthimin me bombë pranë një Gjykate në Shkup? A perceptohet ajo si me prapavijë politike, sikurse ndodh shpesh në Tiranë?

Gjatë më shumë se dy dekadave të fundit, në vendet e kësaj pjese të Ballkanit u ndërtua “stabilitetokraci” e jo demokraci. Pra në këto shtete, edhe faktori ndërkombëtar, e flijoi demokracinë në emër të stabilitetit. Dhe atë stabilitet mund ta ruanin vetëm më të fortët e këtyre vendeve, që do të thotë, edhe ndërkombëtarët më shumë vlerësonin “muskujt” që mund të nënshtronin, se sa mençurinë që do sundonte! Me çka pra në këto vende u toleruan regjime autokrate, që ndërtonin institucione shtetërore që do ishin në shërbim të partive në pushtet, e jo që do i shërbenin qytetarit. Me çka pra në këto shtete u forcuan partitë, por u dobësuan shtetet.

Dhe partitë e forta shkuan një hap më tej: përpos institucioneve të shtetit, ata donin të kontrollonin edhe biznesin si edhe “nëntokën” e krimit. Thënë qartë e shqip, në Maqedoni thuajse plotësisht, e në Shqipëri pjesërisht, elitat politike mirëmbahen duke bashkëpunuar, e madje edhe duke i pasur nën kontroll, qarqet krimogjene të shoqërisë.

Pra, të gjitha shtresat krimogjene në Maqedoni e në Shqipëri, u forcuan duke qenë të vëllazëruara me qarqet politike. Andaj sot nuk është e lehtë të përcaktosh kufirin se vallë shpërthimet e bombave në Tiranë e Shkup, kanë të bëjnë me spastrim hesapesh mes bandave krimogjene, apo kanë prapavijë politike. Andaj mendoj se tani jemi futur në periudhën kur strukturat krimogjene, duan të shpëtojnë nga kthetrat partiake, ngaqë nuk kanë gjithaq nevojë për mbështetjen e tyre, sepse janë forcuar aq sa të mund të veprojnë edhe pa to dhe, nga ana tjetër, edhe strukturat politike ndjejnë nevojë të shkëputen nga “banditët” që ua mirëmbanin partitë. Pra ne tani do e jetojmë periudhën e dhembshme kur strukturat krimogjene duan të shkëputen nga kontrolli politik dhe nga ana tjetër, nëntoka politike, don të “legalizojë” përfitimin që ka nxjerrë në bashkëpunim me strukturat krimogjene.

Maqedonia kohët e fundit është tronditur nga një skandal përgjimesh. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? A i ka dëmtuar shqiptarët një gjë e tillë dhe a kanë gisht ata në të?

Ka vite që e përsëris se ai që ia do të keqen Maqedonisë, nuk duhet atë ta luftojë, por vetëm ta lutë Zotin që sa më gjatë ajo të drejtohet nga regjimi i VMRO-së dhe BDI-së. E kam thënë këtë ngaqë Maqedonia i ngjan një hapësire ku bëhet eksperimenti se sa mundë të qëndrojë një shtet që mbështetet mbi infantilizmin politik maqedonas dhe mbi injorancën politike shqiptare. Përpos kësaj, Maqedonia i ngjan edhe një vendi eksperimental ku dikush don t’i shkrijë në një dy ëndrrat kundërthënëse etnike – atë të shqiptarëve të këtushëm dhe atë të atyre që vetveten e quajnë maqedonase!

E kam përsëritur shpesh se ndërthurja e këtyre dy ëndrrave është në kufi të së pamundurës, shkaku se ato nuk kanë të bëjnë me shtetin, por me etnitetin. Këtë më së miri e dëshmojnë edhe përgjimet telefonike që ditëve të fundit është duke i shpalosur opozita maqedonase, e të cilat për nga përmbajtja dhe për nga të vërtetat që shpalosin, janë monstruoze. Dhe përpos që shpalosin fytyrën e një regjimi monstër të VMRO-së dhe BDI-së e që ka në duar Maqedoninë, ato zbërthejnë edhe mendësinë e qarqeve politike e policore maqedonase që besojnë se “vetëm shqiptari i korruptuar dhe i dëgjueshëm është i përdorshëm për shtet e pushtet”.

Pra shihet qartë se Maqedonia ndërtohet mbrapshtë, se atë e drejtojnë elita me mendësi infantile se realizimi i ëndrrës maqedonase kushtëzohet nga injorimi dhe zhbërja e asaj shqiptare, pra sipas mendësisë se institucionet e shtetit duhen ndërtuar ashtu që ato ta mbrojnë shtetin nga rreziku i natyrshëm – “ai shqiptar”! Gjë që mund të realizohet vetëm duke pasur partner injorancën politike shqiptare, apo duke vepruar si në kohët e Perandorisë Osmane: duke pasur vasalët shqiptarë që do e mbajnë nën kontroll popullin e vet!

Andaj edhe sot shqiptarët e Maqedonisë janë ndarë në ata që janë pro VMRO-së në pushtet dhe ata që përkrahin opozitën maqedonase! Dhe ashtu të ndarë, ndodh për shembull, që kur e kritikon regjimin e VMRO-së, më shumë të të hidhërohen kryesuesit e BDI-së, sesa pushtetarët maqedonas! Gjë që më së miri dëshmon se ata janë të vetëdijshëm për rolin që kanë, andaj edhe i trishton zbardhja e të vërtetës për regjimin të cilit i shërbejnë. Andaj edhe ndaj “bombave” të opozitës maqedonase, pushtetarët e sotëm shqiptarë sillen thuajse ata nuk kanë të bëjnë me qeverinë ku bëjnë pjesë edhe ata, por me qeverinë e ndonjë shteti të huaj.

Dhe sillen ashtu ngaqë realisht ata kurrë nuk kanë qenë pushtetarë, por vetëm të punësuar në regjimin e VMRO—DPMNE-së. Dhe si të tillë, ata me të vërtetë nuk e dinë si ka vepruar ky regjim, gjë që ua shton e nuk ua pakëson mëkatin, ngaqë ky popull ata i ka deleguar të bashkësundojnë, e jo vetëm të mbledhin haraçin e shqiptarisë. Pra si të tillë ata sot japin deklarata absurde se do e ndjekin me vëmendje situatën e krijuar, veprojnë si organizata joqeveritare që vëzhgojnë e regjistrojnë padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, padrejtësi për të cilat më pas informojnë ambasadat e huaja!

Cila është aktualisht gjendja e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi?

E vërteta se edhe pas 13 viteve nga nënshkrimi i saj, shtrohet pyetja se sa është realizuar Marrëveshja e Ohrit, më së miri shpjegon pozitën absurde dhe potencën politike të popullit tonë në këtë vend. Kjo Marrëveshje duhej të mbyllej qysh në vitin 2004. Dhe ajo edhe sot e kësaj dite, u shërben elitave të këtushme politike shqiptare, sa për ta mbuluar patriotizmin e tyre të rrejshëm.

E në ndërkohë, askush nuk e shtron pyetje e logjikshme: mos vallë edhe vetë BDI-së i shkon për shtati mosrealizimi i saj ngaqë kështu garantohet punësimi i përjetshëm i Zv/kryeministrit shqiptar të kësaj partie si drejtues i Sekretariatit për realizimin e MO-së. Mua më vjen turp të flas për këtë Marrëveshje, ngaqë si asgjë tjetër, ajo shpalos paaftësinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe dhuntinë e elitave politike maqedonase që çdo marrëveshje me ne ta kthejnë në favor të tyre.

Nga Marrëveshja e Ohrit fitoi pala maqedonase dhe i humbi të gjitha pala shqiptare. Duke u thirrur në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia ia doli të merr statusin e vendit kandidat në BE dhe të mbulojë deshqiptarizimin e Shkupit, ku tani edhe mbi themelet e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës, do ndërtohet një hotel, si dhe të mbulojë projektet antishqiptare si “Enciklopedinë maqedonase”, rastet e montuara gjyqësore si “Monstra”, etj. Duke kërkuar nga ne që të ulnim kokën, elitat e këtushme partiake shqiptare, ia dolën të mbulonin veprimtarinë e tyre “tenderokrate” dhe “hajdutokrate”, që atyre u solli pasuri përrallore, e popullit varfëri të skajshme.

Dhe duke u thirrur në emër të realizimit të MO-së dhe duke na rrëfyer për të mirat që do na i sjellë anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe NATO, kryetari i BDI-së kurrë nuk pati kohë të na shpjegojë se prej kur na qenkan bërë vlera euro-atlantike korrupsioni, degradimi i institucioneve shtetërore dhe i atij arsimor ku më lehtë bëhesh doktor shkencash se sa saldator…

A i reziston kohës marrëveshja e Ohrit për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet etnive kryesore shtetformuese në Maqedoni?

Kohës i rezistojnë vetëm marrëveshjet që realizohen në afatet e parapara kohore. Sepse vetëm ashtu ato u hapin rrugë proceseve të reja. Përndryshe, Marrëveshjet që kanë për qëllim mashtrimin dhe blerjen e kohës, kalben dhe shndërrohen në të kundërtën e vetë. Marrëveshja e Ohrit qëmoti është dokument që ka vlerë vetëm si eksponat muzeu, që do pasqyrojë injorancën e elitave të këtushme partiake shqiptare.

Maqedonia sot ka nevojë për “Marrëveshjen e Shkupit”, të cilën do e nënshkruanin kryetari i Parlamentit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe ai i Kuvendit Maqedonas, me çka më në fund do definohej se çka do kishin të përbashkëta “Shipëria” jonë në Maqedoni dhe “Maqedonia” e tyre. Mendoj se Maqedonia nuk mund të shkojë përpara duke u thirrur në Marrëveshjen e Ohrit, por vetëm nëpërmjet një ndryshimi të rendit kushtetues, që do definonte demokracinë konsensuale dyetnike – atë shqiptaro-maqedonase!

Kaq e vështirë është që partitë shqiptare në Maqedoni të bashkohen për të mirën e përbashkët të qytetarëve?

Bashkimi nuk është i vështirë nëse ke për qëllim të mirën kolektive, por bëhet thuajse i pamundur kur ke për qëllim vetëm përfitimin personal të elitave partiake. Ajo që i bën jobashkëpunuese mes veti partitë e këtushme shqiptare, është mosdashja e tyre që ta ndajnë mes veti profitin që ua ofron pala maqedonase. Andaj partitë e këtushme shqiptare ngjanë në kompani “kontraktuese” te punëdhënësi i tyre – partia maqedonase në pushtet. Dhe si të tillë, ato bëjnë çmos që të jenë të pëlqyera nga “punëdhënësi” dhe gjithashtu bëjnë çmos që ta diskualifikojnë konkurrencën!

Andaj PDSH-ja i ngjan një kompanie private në pronësi të kryetarit të saj, ndërkaq BDI-ja i ngjan një shoqate aksionarësh, e cila madje funksion si një organizatë mafioze me “kumbarën” në krye të saj dhe me “kryefamiljarët” që kontrollojnë lagjet e veta. Dhe si të tilla, ato ia hanë kokën njëra tjetrës, por duke u kujdesur bashkërisht që të pengojnë forcimin e ndonjë partie të tretë që do mund të dëshmonte se “vasaliteti” i tyre ndaj sunduesit maqedonas, i ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve e këtushëm.

Duke qenë të tilla, ato bëjnë çmos, për shembull, që Lëvizjen e re politike “Besa”, në Tiranë e Prishtinë ta tregojnë si ‘proturke”, por pa rrëfyer gjë për “proeuropianizmin” e tyre që lejoi që investimet turke të shkojnë në vendbanimet maqedonase, e për shqiptarinë të mbeten vetëm donacionet për ndërtimin e disa xhamive në Shkup dhe fshatrat përreth.

A keni një qëndrim lidhur me disa shpresa apo frikëra, sipas të cilave do të ketë një tkurrje të popullsisë maqedonase si dhe një rritje të shqiptarëve në ato anë

Sa do që tingëllon e pabesueshme, në Maqedoni ndodh e kundërta: tkurret popullsia shqiptare, e jo ajo maqedonase. Është e vërtetë se lindshmëria te shqiptarët e këtushëm, ende është e lartë, por shqiptarët lindin e rritin fëmijë, për t’i “eksportuar” ato në vendet Perëndimore. Në Maqedoni, në mënyrë dramatike pakësohet numri i shqiptarëve, por kjo nuk bëhet zhurmshëm si në Kosovë, ngaqë i riu i këtushëm shqiptar nuk ka nevojë që ilegalisht ta kalojë kufijtë, por ulet në avion si zotëri dhe merr rrugën e moskthimit.

Dhe për dallim nga mërgimtarët e dikurshëm që shkonin në kurbet që këtu të ndërtonin shtëpitë ku do ktheheshin, të rinjtë e sotëm shkojnë nëpër metropolet perëndimore me qëllim që të mos kthehen kurrë më në vendlindje. Andaj, ne sot nuk përballemi me rrudhjen e trojeve shqiptare, por me diçka edhe më tragjike – me pakësimin e popullit tonë, me mospasjen e banues nëpër trojet tona!

Si e gjen 7-vjetori i Pavarësisë së Kosovës këtë të fundit, Shqipërinë dhe trevat shqipfolëse jashtë kufijve zyrtarë?

Shtatë vjetori i pavarësisë së Kosovës e gjen atë si një shoqëri ku një pjesë e madhe e banorëve të saj ndjehen si ata të cilëve dikush ua ka tradhtuar ëndrrën shekullore. Pra, Kosova e sotme dëshmon se ka diçka që është më e papërballueshme se varfëria, e madje se edhe vetë robëria: mospasja e shpresës se diçka do mund të ndryshohet! Kosovarët i përballën gjitha vuajtjet gjatë kohës së okupimit serb, ngaqë e kishin të fortë shpresën se do ia dilnin të çliroheshin. Ata e përballën edhe shkatërrimin që ua solli lufta e 1999, ata e mbizotëruan edhe dhembjen për të vrarët e të dhunuarit, ngaqë e kishin gjallë shpresën se tani Kosova do ishte në duart e tyre dhe do e jetonte ëndrrën kolektive.

Por, gjatë dy dekadave të fundit, rinisë kosovare ia vranë shpresën se diçka do ndryshonte në të mirë dhe asaj ia vranë edhe patriotizmin. Kosova sot ka rini që nuk është me asgjë më pak patriotike se gjeneratat e mëparshme, po asaj i është vrarë shpresa se diçka do ndryshojë, ngaqë përballë ka “çlirimtarët” që e shpallën pronë të veten lirinë që ia sollën Kosovës si dhe ndërkombëtarët që në emër të ruajtjes së stabilitetit, mbështetën edhe ata “hajdutokratë” të cilët luftën e tyre disamujore për çlirimin e Kosovës duan ta shpaguajnë me sundimin e përjetshëm të Kosovës.

Nga ana tjetër, Shqipëria assesi të shpëtojë nga kthetrat e “nëntokës politike” dhe të ndërtojë shtetin që e ëndërronte e tërë shqiptaria: shtet që do jetë lokomotivë tërheqëse e të gjithë vagonëve shqiptarë. Duke pasur një Kosovë që shenjë njohëse ka korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga strukturat partiake dhe një Shqipëri ku tritoli përdoret si çakmak për të kallur cigaren, shqiptarët e trojeve të tjera s’kanë si mos ndjehen si pritës të pashpresë se do vijë dita kur mëmëdhe Shqipëria e atdhe Kosova, do e kuptojnë se edhe ne shqiptarët e kudondodhur, kemi kontribuar për mëvetësimin e tyre, me çka nëse asgjë tjetër, ato na e kanë borxh të bëhen shtete nga të cilat nuk do turpërohemi!

A ka më vend në 2015 të diskutohet për bashkim kombëtar, apo është ky një koncept i tejkaluar në kohën e bashkimit Evropian?

Shpesh më duket se ne shqiptarët më shumë e theksojmë atë që nuk jemi të gatshëm ta bëjmë, se atë që kemi mundësia ta realizojmë. Një popull që nuk ka për synim bashkimin e tij – pa marrë parasysh format- ai është i dënuar të dështojë. Por një popull që nuk ia del të realizojë edhe atë pakë “bashkim” që nuk ia pengon askush, atëherë është e kotë të flitet për bashkimin e madh që emërohet si një popull, një gjuhë, një shtet! Kush na pengon neve të kemi sot një federatë të shkrimtarëve shqiptarë, një federatë të filozofëve, të sportistëve…

Me çka ky bashkëveprim është në kundërshtim me konceptet e BE-së. Kush neve na pengon që të bëjmë barazim mbarëkombëtar të sistemit arsimor? Askush. Dhe këtë nuk e bëjmë ngaqë pranuam logjikën e politikanëve tanë që çdonjëri të ketë “Shqipërinë” e vet. Pra e pranuam logjikën e partiakëve tanë që më bashkëpunues të jemi me të huajt, se sa me njëri tjetrin. E pranuam pra logjikën se më e vlefshme është të jesh i pëlqyer nga të tjerët, se sa nga populli të cilit i takon. Gjë që dëshmon inferioritetin tonë ndajë të tjerëve, e që e mbulojmë me arrogancën dhe mosbashkëpunimin me njeri tjetrin!

Në ç’nivel ndodhet bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Maqedoni dhe ç’mund të bëjë më shumë Shqipëria për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të Maqedonisë?

Që të bëjë më shumë për shqiptarët jashtë kufijve të saj, Shqipëria duhet të bëjë të pamundurën që sa më shpejt të konsolidohet si shtet me institucione të mirëfillta shtetërore. Pra, ajo do jetë e dobishme për mbarë shqiptarin, me aq sa do kuptojë se shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut, nuk kanë nevojë as për PS as për PD të fortë, por për një Shqipëri të fortë.

Andaj Shqipëria e sotme bën atë që duhet pritur nga një shtet ku forca e partisë në pushtet është barazuar me atë të shtetit: zyrtarët e Tiranës vijnë në Shkup, ku fotografohen me liderët tanë politikë, duke u mjaftuar me legjitimitetin që ua kemi dhënë atyre ne shqiptarët e këtushëm me votën tonë, por pa shkuar përtej kësaj e të pyesin si ato e përdorin këtë legjitimitet.

Me çka edhe ke përshtypjen se atyre fare nuk u intereson fati ynë kolektiv, por biznes politika. Këtë e ka kuptuar edhe pala maqedonase, andaj ajo, le që nuk e pengon, por e nxit këtë “biznes politikë. Andaj ne assesi nuk ia dalim ta kuptojmë pse zyrtarët e Tiranës vijnë në Shkup, e nuk ndjejnë nevojë, për shembull, të takohen edhe me kryesuesit e lëvizjeve dhe partive më të vogla, siç janë RDK-ja e Rufi Osmanit, apo lëvizja “Besa”. Përgjigjja e logjikshme është se këto subjekte të vogla politike nuk u hyjnë në punë në mirëmbajtjen e bizneseve ndërpartiake mes drejtuesve të BDI-së e PDSH-së dhe “sheikëve” të Tiranës e Prishtinës zyrtare.

Cila mund të jetë zgjidhja përfundimtare e çështjes së emrit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë? A është i interesuar faktori shqiptar nga një zhvillim i tillë?

E kam thënë që moti, se është në favor të atyre që vetveten e quajnë maqedonas, që ky shtet ta ndryshojë emrin. Që ky shtet të ketë një emër që fare nuk do ketë lidhje me këtë të tanishmin. Ja pse. Për shembull, sikur Maqedonia të quhej “Tarzani”, atëherë ne qytetarët e saj, nuk do e kishim problem që të gjithë të identifikoheshin si “tarzanianë”, e jo si deri më tani kur vetëm një etnitet identifikohet nëpërmjet emrit të shtetit. Pra sikur Maqedonia të kishte një emër tjetër do mund të identifikoheshim më lehtë etnikisht si maqedonas, shqiptarë, turq…

Kështu del se ky shtet identifikohet vetëm nëpërmjet emblemës etnike maqedonase. Andaj edhe ne shqiptarët e këtushëm jemi të ndjeshëm kur në disa media të Tiranës na emërtojnë si maqedonas. Andaj kurrë nuk e kam kuptuar pse partitë e këtushme shqiptare nuk e thonë hapur se neve do na konvenonte vetëm një emër: ai i cili nuk do kishte përcaktim etnik, apo emri që do ngërthente në vetvete edhe identitetin shqiptar.

Si do ta komentonit fenomenin shqetësues të rekrutimeve të mjaft myslimanëve nga rajoni në luftën e shenjtë xhihadiste?

Kur keni të bëni me shoqëri ku më lehtë e ke të gjesh një vrasës me pagesë, se sa një donator që do ndihmonte mjekimin e dhjetëra fëmijëve shqiptarë, atëherë vallë duhej të çuditemi pse ka edhe mercenarë që marrin pjesë në luftëra të huaja. Nëse kemi të bëjmë me shoqëri ku hajduti i dhjetëra milionëve e ekspozon pasurinë e vet thuajse e ka trashëguar nga të parët, e në ndërkohë, ai që vjedh një bukë për t’i ushqyer fëmijët dënohet me burgosje, mendoni se në atë shoqëri është e vështirë të manipuloni me të rinjtë!

Mbase edhe gaboj, por mendoj se shoqëritë shqiptare nuk janë të rrezikuara nga xhihadistët, të cilët, në fund të fundit, marrin veten në qafë në luftërat që nuk kanë të bëjnë me shqiptarinë, por nga “xhihadistët” partiakë që zhbënë thuajse të gjitha vlerat që e karakterizonin shqiptarinë, siç janë morali, ndershmëria, patriotizmi! Me këtë nuk dua ta minimizoj marrëzinë e atyre që destruktivitetin e vet, e mbulojnë duke vepruar në emër të Zotit, por dua ta theksoj atë se edhe ata janë prodhim i kohës në të cilën jetojmë.

A përbën feja e shumicës së shqiptarëve një element ndarës apo bashkues për vëllazërimin e së ardhmes me popujt fqinjë?

Nuk merrem me atë se çfarë i ka shtyrë të parët e mi ta ndërrojnë përkatësinë e tyre fetare, por jam i përqendruar në atë që të sotmen time si shqiptar mysliman dhe të ardhmen e pasardhësve të mi si shqiptarë mysliman, t’i shndërroj në vlerë të shtuar të shqiptarisë, të kësaj shqiptarie e cila jo vetëm fenë myslimane, por edhe gjitha të tjerat, i ka trashëguar nga perandoritë që e kanë sunduar popullin tim.

Dhe si i tillë, unë nuk e peshoj përkatësinë time fetare nëpërmjet asaj sa ajo do më bëjë të pranueshëm për popujt fqinjë, por sa ajo do peshojë në kandarin e shqiptarisë. Pse e them ketë!? Ngaqë më duket se ne jemi katandisur rrugës që të arrijmë në udhëkryqin e rrezikshëm kur do duhet të rirreshtohemi fetarisht, kur do e masim se cila fe që u takon shqiptarëve, është më dobishme për ata. Dhe do arrijmë në atë udhëkryq, nëse vazhdojmë të jemi të pakujdesshëm në mbrojtjen e trungut tonë etnik shumëfetar. E dini pse në Prishtinë e Tiranë aq shpejt e aq lehtë u ndërtuan kisha e katedrale, por jo edhe xhamitë e gjatëpritura të komunitetit mysliman!?

Sepse pas komunitetit katolik shqiptar qëndron Vatikani dhe pas atij ortodoks Athina. Pra shkaku se vetëm pas komunitetit mysliman shqiptar, qëndrojnë “Shqipëritë” tona të varfra – Shqipëria e Kosova. Po, pas këtij komuniteti qëndron dhe ndonjë shoqatë arabe, nga ato që nuk janë as hajri i popullit të vet, e lë më e mira e myslimanëve shqiptarë! Dhe përderisa e kam të qartë se Vatikani është kryeqendra e tërë katolicizmit, përfshi edhe atij shqiptar, përderisa pra kamë qindra prova se Vatikani kurrë nuk e ka dëmtuar shqiptarinë, por përkundrazi atë e ka ndihmuar, assesi nuk mund ta kuptoj pse kryeqendra e ortodoksizmit shqiptar duhet të jetë Athina, për të cilën kam qindra fakte se ka shkelur mbi fatin e popullit tim, sa herë që e ka veshur çizmen ushtarake.

Dhe të gjitha këto i them, që të theksoj se trungu shumëfetar shqiptar, nuk do mund t’i mbante degët e veta, sikur të mos ishte i fortë edhe patriotizmi i atyre që përbëjnë shumicën, shikuar për nga përkatësia fetare – ai i shqiptarëve myslimanë. Dhe kuptohet se për mirëmbajtjen e trungut tonë etnik shumëfetar, përgjegjësia më e madhe bie mbi komunitetin mysliman.

Por është e padrejtë që të bëhemi se nuk i vërejmë tendencat e kohëve të fundit, që kanë për qëllim që të nënkuptohet se kryqi vetvetiu të bënë pjesë të botës së civilizuar, e çerekhëna e asaj të prapambeturës. Është e vërtetë se përgjegjësia për ruajtjen e trungut tonë shumëfetar bie mbi komunitetin numerikisht më të madh- atë mysliman, por atë mund ta dëmtojnë edhe komunitete tjera që duke u thirrur në “pakësinë” e vetë, duke dashur të jenë më të pëlqyer nga popujt fqinjë, shpeshherë, kombëtarisht flenë në shtratin e shqiptarisë, por fetarisht shohin ëndrra që nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarinë.

Intervistoi Sokol Kondi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net