Pagat e mësimdhënësve vonohen prej tre deri në 10 ditë
Pesë muaj me radhë të punësuarit në arsim, në kundërshtim me Ligjin, marrin pagat me vonesë. Pjesa më e madhe e shkollave madje dje morën pagën e janarit, derisa punëtorët e arsimit në shkollat e mesme të Shkupit, pagën e morën sot. Të dhënat e siguruara nga të punësuarit në arsim tregojnë se pesë muajt e fundit rrogat e punëtorëve arsimorë vonojnë prej tre deri dhjetë ditë.
Rroga e muajit shtator - 20 tetor
Rroga e muajit tetor – 19 nëntor
Rroga e muajit nëntor – 18 dhjetor
Rroda e muajit dhjetor – 22 janar
Rroga e muajit janar - 24 shkurt
Ligji për pagesën e rrogave thotë se ato duhet të paguhet më së voni deri më 15-tin e muajit, apo rroga e janarit të paguhet më së voni deri më 15 shkurt. Por, për shkeljen e ligjit, nuk është i njoftuar kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
“Unë mendoj se janë paguar. Nuk kam informacion të tillë. Sipas meje ato janë dërguar, e nëse ka ndonjë problem do të shohim sot me sektorin për arsim dhe do të paguhen sa më shpejti të jetë e mundshme. Që sot”, deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Për Ministrinë e Financave nuk ka shkelje të Ligjit. Prej atje shprehen se ka para për rroga dhe se gjithçka paguhet deri më 15-tin e muajit:
“Në trezorin e Maqedonisë në këtë moment nuk ka borxhe të papaguar. Siç mbërrijnë urdhëresat, ashtu edhe menjëherë procedohen. Së pari, paguhen pensionet dhe rrogat, e më pas vijojnë të gjitha urdhëresat tjera për pagesë“, shprehen nga Ministria e Financave.
Ata thonë se ngecja ka ndodhur gjatë transferimit, gjegjësisht shpërndarjes së parave nëpër komuna, apo nëpër llogaritë e shkollave dhe për shkak të këtij transaksioni në mënyrë shtesë mund të shtyhet pagesa e rrogës.













