Pa dialog na “shqelmon” Evropa - tetova1.com

Pa dialog na “shqelmon” Evropa


maqedonia-be
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Feb 25, 2015





Anulimi i takimit të kryetarit të Komisionit Evropian Zhan Klod Janker me kryeministrit Nikolla Gruevski konsiderohet si porosi për pushtetin se pa nisjen e dialogut politik, vendi vetëm mund të ëndërrojë për integrime evropiane. Sipas analistëve politik, bëhet fjalë për mesazh paralajmërues me porosi të qartë për nisjen e dialogut të brendshëm politik. Por edhe përkundër kësaj porosie, zëdhënësi i Qeverisë Aleksandar Gjorgjiev ka deklaruar se takimi Junker-Gruevski është anuluar pas një marrëveshjeje paraprake. “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të institucioneve evropiane. Duke patur parasysh se vetëm para disa ditëve për vizitë në Maqedoni ishte euro komisari Johanes Han, bashkërisht është konstatuar se për takimin Gruevski-Junker duhet të lihet një hapësirë më e madhe”, ka deklaruar zëdhënësi Aleksandar Gjorgjiev. Ndërkaq, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva në një konferencë për shtyp informoi se kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker, ka anuluar takimin me kryeministrin Nikolla Gruevski. Sipas saj, tani nuk është momenti adekuat për takimin për shkak të zhvillimeve politike në Maqedoni.
Ish ambasadori Blerim Reka thotë se anulimi i vizitës së Nikolla Gruevskit nga ana e presidentit të Komisonit Evropian Junker duhet parë si shenjë diplomatike për këtë të fundit. “Bëhet fjalë për një shenjë diplomatike për ta nxitur kryeministrin e Maqedonisë që të nisë sa më shpejtë që është e mundur dialogun e brendshëm politik me opozitën. Ky është një mesazh se seriozisht duhet menduar për zgjidhjen e problemeve të brendshme në mënyrë që të vazhdojë më pas një dialog në nivelin e lartë politik midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian”, thotë Reka.
Analisti politik Petar Arsovski anulimin e takimit e konsideron si injorim të hapur që Bashkimi Evropian ia bën kryeministrit Nikolla Gruevski. Goditjen finale Bashkimi Evropian pritet shumë shpejtë ta japë në ditët në vazhdim, thotë ai. “Gruevskit iu bë e qartë se më nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë në Maqedoni duke injoruar përgjimet e publikuara. Ky sinjal nuk do të lihet vetëm me kaq”, konstaton Arsovski. Ai më tutje e vlerëson si të pamjaftueshëm propozimin e komisarit Johanes Han për formimin e një komiteti politik midis partive kryesore politike për tejkalimin e ngërçit të thelluar edhe më shumë pas aferës së përgjimeve. “Është jologjike që një krizë kaq e madhe politike, siç dominon në këtë kohë në shtetin tonë, të zgjidhet përmes një komiteti të propozuar nga zoti Han”, vlerëson ai.
Ndërkohë eksperti për çështje evropiane Muhamer Pajaziti, thotë se tani më dialogu i brendshëm politik konsiderohet si kriter më kryesor politik që duhet të përmbushë Maqedonia për të ecur më tutje me procesin e eurointegrimeve. “Maqedonia ka bërë progres në disa fusha, por nuk i ka përmbushur kriteret politike. Nevojitet përforcimi dhe qëndrueshmëria e dialogut politik me qëllim që të arrihet funksionaliteti efektiv i institucioneve politike, posaçërisht Parlamentit”, nënvizon Pajaziti. Më tutje ai e vlerëson si të domosdoshëm një koordinim të të gjithë mekanizmave në vend për përmbushjen e kritereve drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit, pasi që pengesat në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jenë të madha. Pajaziti pret një bllokim të ardhshëm të negociatave nga Bashkimi Evropian nëse Maqedonia nuk do lëviz për të mirë dialogu politik. “Institucionet e vendit duhet të ndërtojnë një kulturë politike e cila prodhon marrëveshje, angazhim të përbashkët dhe energji për të krijuar një rritje më të shpejtë ekonomike. Përndryshe Brukseli zyrtarë do ta bllokoj komunikimin me kreun shtetëror të Maqedonisë, siç edhe ndodhi rasti me anulimin e takimit të paralajmëruar të presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klode Janker ”, thekson eksperti i çështjeve evropiane, Muamer Pajaziti. /KOHA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net