Rritet numri i fëmijëve të tretë! - tetova1.com

Rritet numri i fëmijëve të tretë!


femijet4
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Feb 25, 2015





Parakushti themelor që një vend të ec drejtë ndryshimeve është përqendrimi në zona dhe shtresa të pakënaqura dhe të lënë anash. Hartimi i politikave sociale, të përshtatshme për shoqërinë dhe krijimi i një sistemi stabil, do të sigurojë mbështetje financiare për anashkalimin e vështirësive. Sanimi i gjendjes ekzistuese të familjeve me vështirësi ekzistence, zbutja e varfërisë dhe ngritja e mirëqenies sociale për vendin duhet të jetë në plan të parë.
Mbrojtja sociale është tejkalim i rreziqeve themelore sociale, në të cilat është i ekspozuar qytetari gjatë jetës. Zvogëlimi i varfërisë rrit mirëqenien ekonomike. “Me masa dhe aktivitete të preventivës sociale, pengohet shkaktimi i rreziqeve sociale, kryhet zbulim dhe trajtim i hershëm i qytetarit të ekspozuar në rrezik social, me qëllim për tejkalimin ose zbutjen e pasojave të dëmshme. Qeveria e përcakton, sipas programit të vet (që parashihet në nenin 4 të Ligjit për mbrojtje sociale ), ndërsa komunat dhe Qyteti i Shkupit, në suaza të kompetencave të tyre, miratojnë programe adekuate dhe sigurojnë mjete”, thotë neni 24 i Ligjit për mbrojtje sociale.
Sipas Ministrisë së Politikës dhe Punës Sociale, numri i shfrytëzuesve është trefishuar gjatë viteve 2010-2013. Regjistrimet e fundit tregojnë se janë 8.878 familje që marrin ndihmën për fëmijët, kurse 14.138 familje kanë marrë shtesën për fëmijën e tretë.
Para tre vjetëve ishin 13.886 shfrytëzues që morën shtesat e fëmijës, kurse 5.256 shfrytëzues morën ndihmë për fëmijën e tretë. Arsyeja e zvogëlimit të numrit të familjeve që marrin ndihmën për fëmijët, është mosplotësimi i kushteve dhe nuk kanë të drejtë të marrin kompensim të tillë. Nga ministria përkatëse thonë se e drejta nuk mund të realizohet nëse nuk bëhen vaksinimet e detyrueshme te fëmija në pajtim me ligjin dhe nëse fëmija nuk regjistrohet dhe rregullisht nuk ndjek mësimet në shkollë, në pajtim me ligjin. Të gjitha detyrimet duhet të përmbushen për të qenë konform rregullave. Përjashtim nga e drejta e shtesës është bërë ata fëmijë, që për shkak të sëmundjes apo lëndimit, janë penguar rregullisht të marrin pjesë në mësim
E drejta për shtesa fëmijërore nuk mund të realizohet nëse nëna në kohën e paraqitjes së kërkesës jeton dhe punon jashtë vendit. Shtesa fëmijërore për fëmijën e tretë paguhet çdo muaj, për një periudhë prej dhjetë vjetësh dhe arrin vlerën prej 8.048 denarë. Shuma rregullohet në përputhje me rritjen e kostos së jetesës për vitin paraprak të publikuar nga Enti shtetëror për statistikë. Nga Qendra Sociale në Strugë informojnë se vitet e fundit numri i shtesave fëmijërore për fëmijën e tretë është rritur dukshëm. “Ndihmat për fëmijën e tretë vitin e fundit është rritur. Përfituesit janë ata të cilët i përmbushin rregullat dhe dokumentet e parapara. Nuk ka pasur problem as vonesa, përpos problemeve teknike që u theksua edhe nga ministria”, thotë drejtori i Qendrës sociale në Strugë, Mugni Dalipi. Ndërsa në Dibër, brenda vitit është rritur numri i kërkesave për këtë të drejtë ligjore. “Numri i shtesave fëmijërore është rritur dukshëm. Mesatarja është 60-80 shfrytëzues brenda vitit. Si përfitues të ndihmës për fëmijën e tretë viteve të fundit janë regjistruar 432 nëna. Ndërsa për fëmijën e 4 vetëm 24, të cilët gëzojnë të drejtën e ndihmës 15 vjet sipas miratimit të ligjit më 1 janar, 2009. Ndërsa në prill të vitit 2010, ky ligj u shfuqizua dhe nuk mund të regjistrohen familjet për të fituar të drejtën e ndihmës”, thotë Ejup Rexha, përgjegjës i qendrës për shtesat fëmijërore, Dibër dhe Komunës Zhupë.
Ndërsa në Qendrën sociale në Strugë për fëmijën e katërt marrin shtesë 30 familje, që do të përfitojnë ndihmë 15 vjet. Punonjësit në qendrat për punë sociale nxisin ata që i plotësojnë kushtet për t’i marrë formularët e përgatitur për t’i plotësuar dhe të paraqesin ato në kohë në mënyrë që të mos përballen me probleme në realizimin e mëtejshëm të të drejtës që u takon.

Numri i shfrytëzuesve për shtesat fëmijërore dhe ndihma për fëmijën e tretë në nivel të shtetit
Viti Shtesat fëmijërore Ndihmë për fëmijën e tretë
2010 13.886 5.256
2011 11.450 8.249
2012 9.423 11.216
2013 8.878 14.138

/Koha/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net