Shumica e politikanëve duhet të shkojnë në histori (Intervista)
|
Pas këtyre skandaleve detyrimisht do të ndryshojnë gjerat rrënjësisht në të gjitha drejtimet, në veçanti në përfaqësimin politik dhe në llogaridhënien politike, thotë ish-kreu i RDK-së profesori Rufi Osmani. Sipas tij, është koha që pjesa më e madhe figurave politike në vend të bëhen pjesë e historisë politike duke dhënë llogari për keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes se tyre dhe duke dhënë mundësi të daljes në skenë të politikanëve të ri, pa hipoteka
Besim ILJAZI
KOHA: Z. Osmani, një ndër “Bombat” e para të Zaevit ishte edhe përgjimi ndaj Jush, përgjime këto të cilat sipas LSDM-së janë realizuar nga ana e VMRO-së për kontroll politik. Si e vlerësoni këtë aferë, çfarë synohet të arrihet me të?
OSMANI: Përgjimet janë shkelje e rëndë ligjore dhe satanizim i privatësisë së qytetareve që në vendet e ish-bllokut socialist janë zbatuar pa përjashtim te të gjitha vendet. E veçanta e përgjimeve në rastin e Maqedonisë qëndron në masovitetin e jashtëzakonshëm duke përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, sikur të kishim një situatë të rrezikshmërisë së lartë, në një vend ku po këta funksionarë që kanë porositur dhe bërë përgjimet, organizonin dhe fitonin zgjedhjet politike çdo vit. Pra e jashtëzakonshmja kanë qenë zgjedhjet dhe me këto përmasa të përgjimeve funksionarët më të lartë të qeverisë aktuale kanë manifestuar tiparet e sistemeve diktatoriale të binomit Putin-Erdogan, nga të cilët sisteme me sa duket kanë marrë motivimin për zbatim.
Ky nuk është përgjimi i parë ndaj meje. Përgjimi ndaj meje fillon nga viti 1981 si student i Prishtinës, përforcohet nga viti 1992 me fillimin e pluralizmit politik, për të arritur kulminacionin me ngjarjet tragjike të Gostivarit të vitit 1997, kur edhe burgosem. Në këtë kohë përgjimet janë ekzekutuar nga Zoran Verushevski, si udhëheqës i shërbimit sekret dhe kuadër i LSDM-së, person ky që sot është në bankën e të akuzuarve, që manifeston një ironi të llojit të veçantë për këtë person.
Nga viti 1999 deri ne 2002 unë dhe familja ime përgjohemi me direktivë të PDSH-së, si pjesë e qeverisë, si rezultatit i largimit tim nga PDSH dhe përkrahjes publike të procesit të legalizimit të UT-së. Në vigjilje të përgatitjeve për kandidimin për kryetar të Gostivarit këto përgjime fitojnë intensitet sërish me porosinë e funksionarëve të PDSH-së, kohë kur kjo strukturë ishte sërish në qeveri në vitet 2006-2008.
Nga viti 2009 kur unë zgjidhem kryetar i Gostivarit intensifikohen përgjimet ndaj meje dhe bashkëpunëtorëve të mi dhe arrijnë kulminacionin me themelimin e RDK-së, në vitin 2011.
Pikërisht biseda ime e përgjuar është bërë me gazetarin Bujar Idrizi në vitin 2011, vit në të cilin unë ngrita padi penale për shpifje kundër Llatasit, këtij gazetari me fobi të lindur antishqiptare, dhe përkundër faktit që shkova në dy seanca gjyqësore në gjykatën e Shkupit, ky kontest nuk pati epilog final. Intensifikimi i përgjimeve nga viti 2009 është bërë me porosi të funksionarëve të lartë të BDI-së, me dakordësimin e VMRO-së dhe të PDSH-së.
Mbaj bindjen se përgjimet e bëra publike kanë synuar që të godasin në mënyrë preventive kundërshtarët politik nëpërmjet kërcënimeve, shantazheve, komploteve për eliminim politik, juridik dhe burgosje politikisht të montuara, me qëllim dobësimin e kundërshtarëve politik në të dy kampet etnike, me një specifikë që shoqëron kampin politik shqiptar. Me këtë skenar jam ballafaquar si kryetar i RDK-së në zgjedhjet në vitin 2011, 2013 dhe 2014.
KOHA: Ju në fakt del të keni qenë “problematik” edhe tani në përgjimet që opozita pretendon t’i ketë bërë kreu i VMRO-së Gruevski, por edhe asokohe për LSDM-në në Ngjarjet e Gostivarit. A i dallon diçka këto dy parti maqedonase kur janë në pyetje shqiptarët?
OSMANI: Mbaj bindjen se përgjimet që janë bërë ndaj meje nga viti 1992 deri në vitin 1998 kanë qenë të porositura nga LSDM sepse kam qenë i etiketuar si “armik i shtetit” dhe jo rastësisht u dënova me 14 vjet burg në vitin 1997. Në rastin e përgjimeve të mëvonshme mbaj bindjen se ato kanë qenë të porositura nga PDSH e BDI dhe të ekzekutuara nga qeveritarët e VMRO-së, si parti që efektivisht qeveris vendin nga 2006-ta deri më sot, sepse këto dy parti e kanë parë rikthimin tim në skenën politike si rrezik për pozicionet e tyre politike, dhe në raport me RDK-në kanë qenë të koordinuara maksimalisht. Një retrospektivë e lëvizjes politike shqiptare nga 1992 deri më sot do të konstatojë me objektivitet se në rastin e LDSM, kjo parti deri sa ishte në pushtet nëpërmjet udheheqesisë se saj politike zbatonin skenarin serb për trajtim të përfaqësuesve politik shqiptar, nën sintagmën e personave që rrezikojnë shtetin dhe kombin maqedonas dhe konform kësaj strategjie krijonin kriza politike dhe ndëretnike dhe ndëshkonin “personalitet problematike”.
Pas luftës së vitit 2001 dhe ndërrimit të menaxhmentit politikë të VMRO-DPMNE-së, kjo parti e vazhdoi dhe e avancoi këtë doktrinë, duke trajtuar në veçanti organizatoret dhe pjesëmarrësit e luftës së 2001-shit si persona që, sipas saj, përfaqësonin rrezik nga pozicionet e ekstremizmit shqiptar dhe terrorizmit fundamentalist islamik.
Procesi i përgjimit i zbatuar nga VMRO-DPMNE është gjithëpërfshirës, duke përgjuar jo vetëm armiqtë potencial etnik dhe politik, por edhe funksionarë shumë të lartë të kësaj strukture, që realisht e bën të pakrahasueshëm me përgjimet e kohës së LDSM-së, edhe pse vlerësimi objektiv sot është i pamundur pa pasur informacion të mirëfilltë për të dy periudhat kohore.
Menaxhmenti politik i VMRO-DPMNE-së në raport me atë të LSDM-së është treguar shumë më efektiv dhe ka goditur fuqishëm elementet patriotike shqiptare edhe falë faktit që përfaqësimi i shqiptareve nëpërmjet BDI-së padiskutim është një dështim i rëndë menaxherial, që i kombinuar me krizën e thellë ekonomike-sociale, ka margjinalizuar rëndë përfaqësimin politikë të shqiptarëve. Këto përgjime argumentojnë se përfaqësuesit politik shqiptarë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë marioneta në duart e VMRO-DPMNE-së dhe se ne organet e policisë, sigurimit shtetëror, prokurorisë dhe gjyqësisë, nuk kanë kurrfarë ndikimi, për të mos thënë ndiqen nga këto organe si armiq potencial të shtetit. Kjo është e vërteta e madhe që politikanët e korruptuar shqiptar derisa janë në kolltukët e pushtetit nuk e kuptojnë, ndërsa qytetarët e rëndomtë e kanë të qartë me zbardhjen e mëngjesit dhe nuk u besojnë këtyre institucioneve në asnjë drejtim. Do jetë në dobi të së vërtetës që Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të bëjnë publike dosjet e tyre dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në dekriminalizimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve si proces i cili mban peng jo vetëm të kaluarën por edhe të ardhmen politike të shqiptarëve. Nuk mund të hiqet simetria e përgjimeve aktuale dhe shumë veprave kriminale që zbardhen me këto përgjime me situatën paraprake edhe për një fakt, sepse tashmë në epiqendër të skandaleve vijuese pasqyrohet në rend të parë konflikti ndër maqedonas VMRO-LSDM, përkundër faktit që në periudhat e mëhershme targeti kryesor kanë qenë shqiptarët.
KOHA: A mendoni se do të shthuret ngërçi i tanishëm politik. Cila është rrugëdalja nga ky qorrsokak, a mund të kemi Qeveri teknike që do t’i përgatiste zgjedhjet e parakohshme?
OSMANI: Mbajë bindjen se antagonizmat VMRO-LSDM kanë shkuar shumë larg dhe në horizont nuk duket arritja e marrëveshjes për çtensionim të situatës, që do të ishte e pranueshme për të dy palët në një rrugë demokratike dhe institucionale. Me procesin e bërjes publike të skandaleve të shumta të përgjimit, skenarëve të montuar politik ndaj kundërshtarëve politik që do të kenë epilog final skandalet e shumta korruptive dhe manipulimet e proceseve zgjedhore, është rrënuar në tërësi integriteti institucional dhe moral i të gjitha institucioneve në vend.
Në një vend ku pushteti i përgjithshëm menaxhohet nga Shërbimi sekret dhe Ministria e Brendshme, e koordinuar me prokurorinë dhe gjykatat, është e palogjikshme që pikërisht këto organe të ndajnë drejtësinë dhe të gjykojnë fajtorët kur përfaqësuesit kryesorë të këtyre institucioneve janë në bankën e të akuzuarve. Nëse bëjmë një paralele me krizat politike në rajon, tre janë alternativat e mundshme të tejkalimit të kësaj krize politike.
Rasti i parë më i preferuar do ishte skenari politik që u zbatua në Bullgari, ku mbizotëroi interesi nacional dhe ku liderët politikë arritën kompromisin politik duke i dhënë krizës zgjedhje demokratike. Rasti i dytë është skenari i Ukrainës dhe përmbysjes së pushtetit pro-rus të Janukoviçit me demonstrata gjithë popullore dhe me kosto të lartë politike, pasojat e të cilës sot manifestohen si krizë në rritje dhe vazhdim i konfliktit të armatosur Ukrainë-Rusi.
Rasti i tretë është skenari që ka aplikuar qeveria e Rexhep Taip Erdoganit në Turqi, me përmbysjen e dhunshme të demonstratave popullore dhe opozitare, që në epiqendër kishin skandalet e shumta të përgjimeve dhe korrupsionit të lart të zyrtarëve të Partisë AK të kryetarit aktual turk. Cili nga këto skenarë do të fiton me specifika të veçanta ngel të shohim, sepse aktualisht në sipërfaqe duken simptoma që kanë ngjashmëri me të tre skenarët e apostrofuar. Se qeveria e çeliktë dhe inatçore VMRO-BDI është në një fazë delikate, dëshmon tërheqja e papritur e kësaj qeverie nga projektet e saja që me shumë arrogancë i imponoi për gjoja reformat në arsimin e të gjitha niveleve, ligjin për kompensimin e honorarëve dhe lirimin e gazetarit Kezharoski. Në anën tjetër po kjo qeveri filloi me publikimin e “kundër bombave” dhe zbaton mijëra punësime politike në sektorin publik, pa asnjë argument fiskal, duke lënë të kuptohet se të gjitha opsionet janë në tavolinë. Në çdo vend normal ku politikanët respektojnë normat minimale etike dhe standardet e llogaridhënies, pas këtyre skandaleve të shumta duhet të jap dorëheqje komplet qeveria dhe në konsultime me te gjithë faktorët e rëndësishëm vendor dhe ndërkombëtarë, duhet të arrihet marrëveshja për një qeveri ekspertesh (qeveri teknike) me një mandat 6-12 muaj deri ne organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Në këtë situatë duken naive dhe ironike rekomandimet e përfaqësuesve të Brukselit se këto skandale që shpalosen nga opozita duhet të hetohen dhe të vendosen në institucionet e vendit kur përfaqësuesit kryesor të këtyre institucioneve janë të përfshirë në shkelje të rënda ligjore.
Nëse stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është investim mjaft i kushtueshëm i Brukselit dhe i Uashingtonit, nëse në këtë mozaik Maqedonia është një ekuilibër i brishtë dhe shumë i rëndësishëm, sjellja e institucioneve perëndimore duhet të jetë në nivel të situatës.
Në gjithë këtë katrahurë të skandaleve të pafundme që ia kanë marrë legjitimitetin dhe legalitetin demokrat kësaj qeverie, del në sipërfaqe pozicioni marionetë i BDI-së dhe PDSH-së në raport me VMRO-DPMNE-në. Këto parti shqiptare duken të hutuara dhe të humbura në kohë dhe në hapësirë nga paniku i skandaleve ku janë të përfshirë edhe përfaqësuesit e tyre më të lartë. Përfaqësuesit më të lartë të BDI-së dhe PDSH-së nuk mund t’i ikin përgjegjësisë politike që ia japin legjitimitetin politik shqiptar kësaj qeverie dhe nuk kanë të drejtë morale të lusin ndërkombëtarët për t’i shpëtuar edhe njëherë. Çka kërkojnë këto parti në këtë Parlament dhe Qeveri të dalë nga zgjedhje politike-kriminale?
Definivisht pas këtyre skandaleve në vend detyrimisht do të ndryshojnë gjerat rrënjësisht në të gjitha drejtimet, në veçanti në përfaqësimin politik dhe në llogaridhënien politike. Është koha që pjesa më e madhe figurave politike në vend të bëhen pjesë e historisë politike duke dhënë llogari për keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes se tyre dhe duke dhënë mundësi të daljes në skenë të politikanëve të ri, pa hipoteka.
KOHA: Tani më kur nuk jeni pjesë e politikës aktive, parë nga kjo distancë sa e vështirë është të bësh politikë në Maqedoni?
OSMANI: Skena politike në vendet në tranzicion është një skenë gladiatorësh ku shteti i shkelë dhe komprometon të gjitha rregullat e konkurrimit dhe ku rezultati zgjedhor dihet para fillimit të procesit të votimit, me çka devalvohet demokracia në tërësi si garë politike.
Mbaj shpresë se pas skandaleve të përgjimit do përfundojë kjo kaptinë e errët e demokracisë në vend. Te kontribuojmë të gjithë që të dilet nga ky qorrsokak i rëndë politik me një kosto sa më të vogël dhe të rindërtojmë një demokraci të mirëfilltë ku politika dhe rotacioni i pushtetit nuk do të jetë lajmi kryesor mediatik.










