Ademi ngriti flamurin e bardhë, studentët fituan betejën
|
Provimi shtetëror shkoi si një flluskë sapuni, pavarësisht 4 muajve të gjatë me përplasje të ashpra mes ministrit të arsimit, që mbronte qeverinë në synimin e saj për “provim shtetëror,” si dhe studentëve - të tubuar në plenume së bashku me një pjesë të profesorëve. Tema tabu e cila nuk u mësua dot nëse ishte vepër e qeverisë për shmangie të vëmendjes së opinionit publik, siç komentohet nga analistë dhe media, apo thjesht e nisur nga qëllimi i mirë për reformimin e arsimit, gjithsesi tani u la të pushojë. Për 4 muaj, ministri Ademi rezultoi si njeriu më kundërthënës, jo vetëm për deklaratat e tij por edhe për qasjen finale ndaj ligjeve për arsimin e lartë, e veçanërisht atë që etiketon “privimin shtetëror” për studentët. Ai luaji jo vetëm me tezën e refuzimit të uljes në bisedime, me atë të mos njohjes së palës së studentëve, idesë se ata mbështeteshin nga opozita, e deri tek shpresat që jepte me pikatore se gjoja për ligjin do kishte debate, mundësi amendimi etj.
“Nuk do të tërhiqemi nga provimi shtetëror sepse konsiderojmë se i nevojitet arsimit të lartë. Atë që do ta propozojmë ne, sigurisht se do të diskutojmë me të gjitha palat e përfshira, nëpër çdo universitet, kuptohet edhe nëpër debate publike dhe emisione”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (25.11.2014).
Ademi mohoi të takonte studentët, i akuzoi si vegël e opozitës bashkë me kryeministrin, duke luajtur vetëm me kartën e luftës propagandistike dhe duke konsumuar kohën për debate në komisione tashmë, të cilat edhe ashtu ishin jo efektive për shkak të mungesës së opozitës.
“Sa i takon çështjes së dorëheqjes, përsëri do të kthehem te e para. Nëse deri më tani nuk kemi një model dhe ka protesta që i organizon dikush në prapavijë, mund të jetë edhe kërkesa e tyre për dorëheqjen e ministrit me prapavijë”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (18.11.2014).
“Nuk do të doja të besoj që studentët janë të manipuluar dhe do të jenë të manipuluar nga asnjë subjekt politik”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (02.12.2014).
“Kjo pjesa që ka mbetur tani dhe që do të protestojë, është e motivuar nga partia. Një pjesë e tyre janë pjesëtarë të LSDM-së dhe partive tjera opozitare apo edhe të motivuar nga institucionet të cilat financohet nga Sorosi, gjegjësisht Vladimir Milcin”, deklaroi Nikolla Gruevski, Kryeministër (03.12.2014).
“Nëse jeni të aftë, organizoni mitingje, mos u fshihni pas fëmijëve. Mendoni ndonjë arsye, organizoni miting. Pse frikoheni gjithë ata burra? Pas fëmijëve fshihen. Kinse ata do t’i mbrojnë studentët, që mos të kalojë provimi shtetëror”, tha Nikolla Gruevski, Kryeministër (08.12.2014).
Kur presioni u shpreh rrugëve me protesta, Ademi dhe qeveria i hapën rrugën debatit të përbashkët, kur në fakt, ishte tepër i vonuar dhe i panevojshëm. Ademi ritheksoi rishikim të modelit të provimit shtetëror” i cili ishte moderuar nga termi “testim ekstern”.
“Më vjen mirë që protestat ishin të qeta e që kishin të bëjnë me çështjen e arsimit. Ne kur do dalim me konceptin dhe modelin tonë për provimin shtetëror, këtë do e bëjmë publik dhe do i thirrmi të gjithë që të kyçen në debatin publik”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (11.12.2014).
Kreu i shtetit tregoi se me cilën palë ishte, duke e kursyer veten nga komentet, pavarësisht faktit se përveç si president, roli i derimësotëm i tij ishte “profesor”.
Debati publik filloi në formë dinake. Takimi i caktuar për në fakultetin e pedagogjisë mbajt në ministrinë e arsimit. Studentët bllokuan hyrjen dhe Ademi i quajti “mysafir të paftuar”. Gruevski përdori sërish metodën e ndërhyrjes në aktivitetin e profesorëve që kundërshtonin provimin, duke ia behur në mes të konferencës për shtyp.
Dhe vetëm një ditë më vonë, flluska e sapunit që kishte ngritur qeveria, nisi të çahej. Vetë kryeministri lëshoi pe, për ligj krejtësisht të ri. Kuvendi megjithatë miratoi ndryshimet ligjore, ligji u firmos me të shpejtë edhe nga presidenti.
“Parimi i parë ka qenë që të mos cenohet autonomia e universiteteve. E di për cilët studentë mund të jetë ngarkesë, për ata që nuk janë të rregullt, për ata që regjistrohen për të marrë një dokumentacion dhe për studentët që janë të interesuar për një diplomë”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (16.01.2015).
Zbatimi i provimit shtetëror u shty për një vit, pas takimit në Qeveri mes përfaqësuesve të universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Plenumit Studentor, Plenumit të Profesorëve dhe Ministrisë së Arsimit. Edhe pas kësaj studentët nuk u ndalën. Filloi okupimi i fakulteteve dhe shpallja e Zonave Autonome.
“Nuk arrij t’i kuptoj deri në fund studentët, sepse ne me kërkesë të tyre prolonguam ligjin për një vit, me qëllim që të lëmë hapësirë për bisedime konstruktive. Prolongimi i ligjit nënkupton edhe anulim i përkohshëm, deri në miratimin e një ligji të ri”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit (13.02.2015).
Pas kësaj loje të gjatë hidh e prit mes Ministrisë së arsimit, qeverisë, dhe studentëve, ende mbeten të pashuara shumë dilema. Përse ra ligji, përse u iniciua, përse u luajt me nervat e studentëve dhe popullit kur nuk kishte një studim të mirëfilltë para ideimit të tij. Megjithatë, përveç shumë dilemave, provokimi me “provimin shtetëror” të paktën vërtetoi diçka, aktivizimin e studentëve. Adrian Kerimi










