Afera e përgjimeve, Gruevski mbron Jankullovskën në Kuvend
|
Afera e përgjimeve hyri edhe në Kuvend. Në seancë për pyetje të deputetëve u shfaq edhe ministrja e brendshme Gordana Jankullovska e cila u ballafaqua me kërkesën për dorëheqje, në shenjë përgjegjësie për përgjimet. Shefi i saj Nikolla Gruevski e mori në mbrojtje duke thënë se duhet pritur zbardhja e plotë e rastit.
“Dëgjuam atë që më së shumti na shqetëson se jemi dëshmitarë në rrënimin e plotë të sistemit të sigurisë. Domethënë na është shembur sistemi i sigurisë. Në çdo shtet normal, krerët e institucioneve të tilla në radhë ta parë, pa pritur edhe 5 minuta të kalojnë japin dorëheqje”, tha Sollza Gërçeva, deputete e pavarur.
“Mendimi im është se në këtë moment nuk duhet shpejtuar me çfarëdo qoftë vendimi në atë plan, por duhet të pritet që në një procedurë transparente të vërtetohen faktet, detajet, të mos gjykohet askush paraprakisht. Të shihet çfarë ka ndodhur saktësisht, cilat janë të gjitha analizat dhe në fund të merren vendimet”, u përgjigj Nikolla Gruevski, kryeministër.
Në këtë situatë amullie, PDSH-ja akuzoi BDI-në se ka lënë çështjet që prekin shqiptarët në kufijtë e prioriteteve.
“Ka disa çështje që duhen zgjidhur e nuk guxojnë gjithnjë të ngelen në fund të prioriteteve, në margjina. Këta të BDI-së e kokat e ftohta të tyre, jo që I kanë lënë margjinave por I kanë në faqen e pasme të fletës së prioriteteve”, theksoi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Në seancën për pyetje të deputetëve, Fazliu kërkoi përgjegjësi edhe nga ministri Nurhan Izairi për ndotjen e ajrit në Tetovë, si dhe paketë ligjore për përmirësimin e arsimit shqip nga Abdilaqim Ademi. Meqenëse dy ministrat shqiuptarë nuk ishin në parlament, zëvendësit e tyre thanë se do të përgjigjen me shkrim. Nga ministri Nikolla Todorov u kërkua dorëheqje për vdekjen e Tamarës së vogël, por ai tha se e ka sqaruar tashmë rastin.
“A do të jepni dorëheqje? Përveç mirëkuptimit për rastin e Tamarës, duhet të dëshmuar edhe përgjegjësia, sepse nga ministri nuk pritet të ketë mirëkuptim. Mirëkuptim mund të kem unë, fqinjët e Tamarës, mundet opinion më i gjerë të ketë edhe shqetësim edhe keqardhje, por ai ka përgjegjësi”, deklaroi Sollza Gërçeva, deputete e pavarur.
“Gjatë periudhës së kaluar, disa herë u përgjigja në këtë pyetje dhe sqarova gjithë procedurën për kompetencën në këtë procedurë dhe cili është roli gjatë vendimmarrjes për shërim jashtë vendit”, tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.
Deputetët pyetën edhe për informatat e fundit për izolim diplomatik të Maqedonisë pas anulimit të takimit mes komisarit Junker dhe kryeministrit Gruevski. Por, Kreu i Qeverisë e mohoi një gjë të tillë. Deputeti i BDI-së, Artan Grubi ndërkaq u interesua për mbledhjet e përbashkëta me qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilat ministri Nikolla Popovski tha se do të mbahen gjatë 2-3 muajve të ardhshëm. Ai nuk pati përgjigje për hapjen e kalimeve kufitare Llojan-Miratov dhe Bellanoc-Stançiq, duke thënë se për to, do të përgjigjet me shkrim. Arben Zeqiri










