Arsimtarët në fillim humbën lirinë, pastaj cilësinë
|
Kushtet e vështira në të cilat mësohet në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe të parë nga mungesa e hapësirave, mjeteve dhe kuadrit të kualifikuar, ashtu si dhe politizimi i skajshëm i segmentit arsimor, vlerësohen përgjithësisht dy prej arsyeve kryesore që ndikojnë në cilësinë e dobët të shkollimit. Mirëpo, janë edhe disa arsye tjera në sfond të padukshme, si ngufatja e hapësirës për kreativitet dhe vetëkorrigjim në punën e mësimdhënësve që në mënyrë konstante - kontribuojnë në rënien e cilësisë. “Mësuesit më nuk e kanë mendjen se si ta bëjnë lëndën më interesante për nxënësit, apo të mundohen të gjejnë tek vetja gjërat që nuk shkojnë dhe të njëjtat ti zëvendësojnë me forma më produktive”, thotë Ruzhdi Ibraimi, profesor i gjeografisë në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup, Gjithë vëmendja e mësimdhënësve, sipas tij, fokusohet në përpjekjet për të shmangur dënimet dhe për të bërë sa më shumë të pëlqyer nga Ministria. Ai madje thotë se Askush nuk ka kohë të mendojë për çështje të avancimit të metodave mësimore apo rritjes së cilësisë. “Nuk je i lirë në krijimin e orës së mësimit, nuk ke mundësi të shprehësh më të mirën e asaj që di përpara nxënësve. Mendja duhet të punojë gjithmonë se çfarë kërkon Ministria, pra se si ti përshtatet asaj. Arsimtari nuk është i lirë të zhvillojë orën e mësimit, sepse duhet të jetë gjithnjë në përshtatje të politikës centralizuese të MASH-it. Kështu, mësimdhënësit nuk mendojnë më për lëndën, ose nxënësit apo cilësinë, por se çfarë do të bëhet më të, do të dënohet apo sanksionohet për diçka”, thotë ai. Ibrahimi, në prag të pensionimit, deklaron se arsimi është skajshmërish i politizuar dhe nuk është si më parë, kur vetë mësimdhënësit kërkonin mënyra se si të jenë më të suksesshëm. Gjërat, për Nexhmedin Saliun, profesor në paralelet shqipe të shkollës së mesme të teknikës në Kumanovë, janë të lidhura zinxhir. “Krahas mungesës së kushteve, mungojnë rezultatet e nxënësve në mësim. E, krahas të dyjave bashkë, mungojnë gjithnjë e më shumë edhe kuadrot e kualifikuara”. Aty ku mungojnë kushtet e mira për punë dhe nxënësit e mirë me të cilët mund të zhvillohet mësimit, edhe mësimdhënësit janë të dekurajuar, plotëson Saliu. Të gjithë kërkojnë të angazhohen në shkolla me kushte të mira, sepse këtu janë edhe nxënësit më të mirë, e për pasojë, është kënaqësi të punohet. “Por, nuk mund të thuhet kjo për shkolla profesionale ku regjistrohen nxënës me sukses të dobët të notave, por të cilët janë për zanate dhe jo për shkollë”, plotëson ai, ndërsa thotë se fajet për këtë qëndrojnë në obligimin ligjor. “S’kanë faj as nxënësit. Edhe pse nuk janë për shkollë, e kanë patjetër të regjistrohen që tu shpëtojnë dënimeve”, nënvizon Saliu. Mungesa në përgjithësi e kushteve të mësimit, për fat të keq, vazhdon të mbetet problem tepër i rëndë në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Kumanovë. Megjithëse ishte tentuar dhe flitet vazhdimisht për decentralizim të arsimit, me reformat e viteve të fundit në shkollat fillore dhe të mesme, MASH, sipas Ibrahimit dhe Saliut, është duke e centralizuar gjithnjë e më shumë atë. “Prej qendrës, respektivisht MASH-it, dirigjohet gjithçka”, shprehet Ibrahimi, ndërsa për politizimin mjafton të kujtojmë faktin se në 10-15 vitet e fundit, nuk mund të emërohet asnjë drejtor shkolle apo edhe të punësohet një mësimdhënës pa dhënë për këtë “lejen” partia në pushtet. Cilësia e arsimit ka pësuar rënie në përgjithësi, jo vetëm te shkollat me mësim në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën maqedonase, në përjashtim të disave që ia kanë dalë të mbajnë ende në punë kuadrin e vjetër dhe të ruajnë standardet që dikur ishin të përafërta me gjithë shkollat tjera. Bëhet fjalë për shkollat elite, të cilat u mungojnë krejtësisht shqiptarëve. Sikurse dihet, në të gjitha rangimet për suksesin e nxënësve dhe cilësinë e notimit, shkollat me mësim në gjuhën shqipe janë në pozita dëshpëruese. Vendi më i mirë i pozicionuar prej tyre fillon nga 19-ta e poshtë. “Zef Lush Marku” dikur simbol i vlerave të arsimit shqip, në rangimin e fundit të publikuar nga MASH qëndronte në vendin e 50-të. Numri i nxënësve që mësojnë këtu, ka kaluar 2000-shin prej vitesh.
/Laura PAPRANIKU/










