LSDM-ja ngriti padi penale ndaj Gruevskit
|
LSDM-ja ngriti padi penale ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski nën dyshimin së ka publikuar “sekret zyrtar”. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Oliver Spasovski, tha se kjo padi e dorëzuar në Prokurorinë themelore, është për shkak të publikimit të video incizimeve nga takimi i kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev dhe kryeministri në kabinetin e tij, ndonëse siç theksoi dje Gruevski, Zaev ka qenë nën masa të veçanta hetimore. Padinë e dorëzuan sekretari gjeneral i LSDM-së Oliver Spasovski dhe avokati i kësaj partie Filip Medarski.
“LDSM-ja sot dorëzoi padi penale ndaj Nikolla Gruevski nën dyshimin së ka kryer vepër penale, publikim të sekretit zyrtar duke u bazuar fjalimit të tij të djeshëm në konferencë. Ai dje nxori disa argumente se se Zoran Zaev ka qenë i ndjekur nën masa të veçanta hetimore dhe po ato materiale u publikuan në media. Prandaj edhe ngritëm këtë padi. Padi kemi ngritur edhe ndaj personave të panjohur nga MPB-ja, Gjykata dhe Prokuroria që kanë pasur kontakt direkt me materialet që u publikuar, që në fakt edhe ata llogariten fajtorë për publikim të një sekreti zyrtar”, deklaroi Oliver Spasovski, sekretar gjeneral i LSDM-së.
Spasovki tha se partia e tij nuk beson në një epilog të drejtë të rastit, por gjithsesi e respekton institucionin e Prokurorisë.
“Në Maqedoni sistemi ligjor është i shkatërruar. Kjo u dëshmua me bisedat që i publikuam se nuk mund të kemi besim tek institucionet pasi janë të kontrolluara në mënyrë direkte nga partia. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në mendimin se një pjesë e prokurorëve dhe gjykatësve duhet të kthehen në anën e popullit dhe drejtësisë edhe pse gjithçka është e politizuar dhe në anën e Nikolla Gruevskit”, tha Oliver Spasovski, sekretar gjeneral i LSDM-së.
Një ditë më parë Nikolla Gruevski theu heshtjen disa javore që nga publikimi i përgjimeve nga opozita. Duke iu përgjigjur gazetarëve ai nuk shmangu komentet mbi vërtetësinë e bisedave por theksoi se incizimi në kabinetin e tij gjatë takimit me Zaevin është bërë me leje nga prokurori publik. Ferikan Iljazi










