Punë ka, por studentët s’duan të punojnë - tetova1.com

Punë ka, por studentët s’duan të punojnë


studentet-punojn
Kategoria: Arsim / Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Mon, Mar 2, 2015





Studentët në Maqedoni shumë pak kërkojnë punë përmes agjencive për punësime të përkohshme, të cilat para dhjetë vitesh u zëvendësuan kooperativat e dikurshme studentore. Pronarët e agjencive që ndërmjetësojnë për punësimin e studentëve thonë se punë ka për ata që dëshirojnë të punojnë me një kompensim përkatës, që është solid për kushtet e Maqedonisë. Megjithatë mungon interesimi më i madh i studentëve që përmes punës së përkohshme të plotësojnë buxhetin e tyre mujor. Mungesën e dëshirës së të rinjve që në vlugun rinor dhe me plotë energji të angazhohen të fitojnë së paku paratë e xhepit, sociologët e lidhin me mospasjen e shprehisë së punës te të rinjtë, rolin tepër mbrojtës të prindërve dhe harxhimin kot dhe joracional të kohës së lirë, por edhe mungesës së ofertës që do të balancojë midis obligimeve studentore dhe punës në kohën e lirë. Kooperativat studentore që deri para dhjetë vitesh ofronin punë të përkohshme për studentët tani janë transformuar në agjenci për punësime të përkohshme që ofrojnë angazhime të ndryshme për studentët me mëditje të kënaqshme për kushtet e ekonomisë së Maqedonisë. “Përkundër asaj se ka punë për studentët, ata thjesht nuk janë të interesuar të punojnë. Studentët tanë thënë në përgjithësi nuk shprehin ndonjë dëshirë të madhe të punojnë, edhe përkundër ofertës së ndryshme që ne e kemi si institucion. Përvojat tona tregojnë se përkundër asaj që ofrojmë punë të përkohshme për studentët për disa orë, ditë, apo për një periudhë më të gjatë kohore, mungon interesimi më i madh nga kjo popullatë për të punuar. Tani punë ofrohet ngjashëm me kooperativat e dikurshme studentore, që me ligj nuk funksionojmë më shumë se 10 vite. Tani i vetmi dallim në raport me kooperativat është se të angazhuarve u paguhen kontributet për dallim prej më parë”, thotë Rade Nenadiq, drejtor i Agjencisë për punësime të përkohshme “Partner”. Sipas tij, mungon interesimi edhe për punët njëditore që paguhet me një mëditje prej 500, 600 apo 800 denarë. “Me një fjalë punë ka për studentët, por nuk ka të interesuar për t’u angazhuar. Për shembull nga praktika kemi rastin se shumë vështirë kemi gjetur të interesuar për një punë të shkarkimit të kamionit me pako për letër tualeti të rënda 5 kilogram që është paguar 800 denarë në ditë”, thekson Nenadiq. Sipas tij, të rinjtë në përgjithësi preferojnë të punojnë për paga të mëdha dhe të angazhohen në administratë. “Është humbur në Maqedoni etika dhe vlefta e punës nga një shkak i thjeshtë, se më pak paguhen ato që krijojnë bruto-prodhimin vendor se ato që harxhojnë bruto-prodhimin vendor. Pra, më shumë paguhet administrata se sa punëtorët”, thekson Nenadiq. Për ekspertët e sociologjisë, çështje e mungesës së vullnetit të të rinjve që të punojnë gjatë studimeve të tyre është komplekse dhe shumëdimensionale dhe ndërlidhet me mungesën e shprehisë së punës te të rinjtë, rolin tepër mbrojtës të prindërve, harxhimin e kotë të kohës së lirë të studentëve dhe ofertës në tregun e punës, që do të balancojë midis obligimeve studentore dhe punës në kohën e lirë. “Kjo problematikë nuk mund të përmblidhet vetëm me një shkaktar, por e ka burimin tek më shumë faktorë . E para është mbrojtja e tepërt e të rinjve nga ana e prindërve që imponon mendimin e prindërve ‘mos lodhet fëmija im’, ku prindërit te ne nuk krijojnë shprehi pune për fëmijët e tyre që nga mosha më e re. E dyta ka të bëjë edhe me vetë mënyrën e studimit ku mungon një qasje më fleksibile me qëllim që studentët të mund edhe të punojë disa orë në ditë edhe të vijojnë ligjëratat apo ushtrimet. Shkaku i tretë ka të bëjë me vetë mënyrën e jetesës së të rinjve tanë, që është në atë shkallë e dezorientuar që ata kalojnë kot kohën e lirë qoftë në kafiteri, apo para Fesjsbukut, duke mos shfrytëzuar në mënyrë racionale kohën e tyre të lirë”, thotë profesori universitar Ilija Acevski. Sipas tij, në përgjithësi në nivel të tërë shtetit me një fjalë na mungon një ideologji që nënkupton se fëmijët e kanë patjetër të punojnë.

/KOHA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net