Bankat në Maqedoni me 51 milionë euro fitim! - tetova1.com

Bankat në Maqedoni me 51 milionë euro fitim!


euro-money-notes
Kategoria: Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 4, 2015





Për dallim nga biznesi që ankohet për vështirësi të shumta, rënie qarkullimi dhe profiti, bankat nga ana tjetër nga viti në vit po shënojnë rritje frapante të profitit të tyre. Fitim të përgjithshëm prej 51 milionë euro kanë realizuar të gjithë bankat në vend, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Kjo paraqet një rritje të dukshme të fitimit të bankave në raport me rreth 38 milionë euro të fitimit të përgjithshëm të realizuar në vitin 2013, ose 23 milionë euro fitim të shënuar në vitin 2012. Një nga faktorët kryesor të profiteve të mëdha të bankave vazhdojnë të mbesin edhe të ardhurat nga kamatat, prej të cilave bankat kanë arkëtuar 287 milionë euro, si dhe nga kompensimet e ndryshme në vlerë prej 67 milionë euro. Ekspertët e bankave dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit vlerësojnë se treguesit pozitiv për punën e sektorit bankar në Maqedoni në raport me trendet e përkeqësuara të punës së biznesit kanë të bëjnë me mënyrat dhe kushtet e ndryshme të veprimit të sektorit real në raport me sektorin financiar. Biznesi, në radhë të parë vuan pasojat e rënies së qarkullimit që ka sjellë edhe më pak të ardhura për afaristët, ndërsa bankat kanë një siguri më të madhe në pasimin e prodhimeve të tyre në treg, shprehen në Biznes Konfederatën e Maqedonisë. “Me një fjalë, kemi rënie të ekonomisë konsumatore dhe zvogëlim të fuqisë blerëse që për rrjedhojë, sjell edhe uljen e profitit të kompanive. Te sektori real shënojmë zvogëlim të vëllimit ekonomik, ku biznesi kryhen vazhdimisht kalkulime për të mbijetuar në treg edhe përmes uljes së harxhimeve dhe synon të jetë ekonomikisht sa më efikas .Vetë kriza ekonomike përshkon edhe në konsum, tregti e kështu me radhë - kështu që edhe përkundër rritjes së eksportit, kemi edhe një konkurrencë të madhe në çmime. Ndërkohë, nga ana tjetër - bankat janë në një situatë stabile të plasojnë prodhimet e tyre, gjegjësisht të holla me një siguri më të madhe”, thotë Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit në Maqedoni. Boshkov thotë se gjithashtu, janë shkatërruar edhe një pjesë e madhe e firmave, ndërsa një pjesë e garancive të dyfishta në fund janë treguar si bilance pozitive për bankat. Ekspertët e bankave vlerësojnë gjithashtu se treguesit pozitiv për punën e sektorit bankar në Maqedoni në raport me trendet e përkeqësuara të punës së sektorit real i detyrohen në një pjesë të madhe edhe problemit të jolikuiditetit dhe vonesave të pagesave të ndërsjella në biznes. “Këto rezultate pozitive të bankave në raport me biznesin tregojnë se bankat - në punën e tyre kanë qenë më rigjide gjatë miratimit të kredive dhe kanë ndërmarrë masa për arkëtimin e tyre. Me fjalë të tjera, shpesh thuhet se borxhet e rrymës dhe bankës i ke patjetër të paguash se përndryshe të bllokojnë, andaj edhe bankat në kohët e fundit vlojnë me para. Nga ana tjetër, sektori real ballafaqohet me punën me kompensime, me borxhe të papaguara, ka shitur mallra që nuk mund ti arkëtojë e kështu me radhë”, thotë profesori universitar, Qenan Idrizi. Një nga faktorët kryesor të profiteve të mëdha të bankave vazhdojnë të mbesin edhe fitimet nga normat e interesit apo kamatat. Vetëm kompanitë në emër të kredive që kanë shfrytëzuar kanë paguar 136 milionë euro, ndërsa qytetarët kanë paguar 126 milionë euro kamata, ndërsa shteti në emër të bonove të thesarit dhe obligacioneve shtetërore ka paguara kamatë të vlefshme 25 milionë euro. Nga provizionet dhe kompensimet e ndryshme janë shënuar neto të ardhura prej 67 milionë euro. Megjithatë, bankat në punën e tyre ballafaqohen edhe me harxhime të ndryshme si harxhime për të punësuarit - 69 milionë euro. Në emër të humbjeve për shkak të rezervimeve në emër të humbjes së vleftës së kredisë bankat kanë pasur minus prej 68 milionë euro. Gjithashtu, edhe bankat - ngjashëm si kompanitë e tjera, kanë edhe harxhime të tjera të përditshme në punën e tyre. Në ndërkohë, raporti i Bankës Popullore të Maqedonisë tregon se në fitim prej 41 milionë euro dominojnë tre bankat më të mëdha në vend që paraqet rritje të konsiderueshme të profitit në raport me 27.5 milionë euro në vitin paraprak. Përmirësim të rezultatit financiar shënojnë edhe bankat e mesme që kanë përfunduar vitin e kaluar me fitim prej rreth 12 milionë euro e që paraqet një rritje prej 1.2 milion euro në raport me një vit më parë. Bankat e mesme vitin e kaluar e kanë përfunduar me rezultat pozitiv që shënon trefishimin e fitimit të tyre në raport me 3.4 milionë euro në vitin 2012. Bankat e vogla kanë zvogëluar dukshëm humbjet e tyre prej 1.2 milionë euro në vitin 2012 në 1.5 milion euro në vitin 2014, përkundër faktit se humbjet në vitin 2013 kanë arritur shumën prej 780.000 euro.

/KOHA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net