Kongresi tematik, tentim i BDI-së për tu mbrojtur nga “bombat” e Zoran Zaevit - tetova1.com

Kongresi tematik, tentim i BDI-së për tu mbrojtur nga “bombat” e Zoran Zaevit


ali-ahmeti-kongresi
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 4, 2015





Më 18 dhe 29 mars Bashkimi Demokratik për Integrim ka caktuar datat e mbajtjes së Kongresit tematik, ku do të trajtohen temat si “Integrimet Euro-Atlantike dhe fqinjësinë e mire”, “Qeverisja e mirë dhe demokracia konsensuale” dhe “Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale”. Analistët e kanë konsideruar këtë Kongres si të pa vlerë. Madje e vlerësojnë si qesharak. Sipas tyre, ky akt është tentim për të kamufluar përgjegjësinë që i takon kësaj partie si pjesë e koalicionit qeverisës, raporton “Lajm”.

Analisti Bekim Buçi cilëson se lajmi se BDI do të mbajë Kongresin e ashtuquajtur tematik në këtë kohë kur shteti dridhet nga mega-skandalet e shumta i ngjan proverbës së urtë “Fshati digjet, plaka krihet”.

“Kjo edhe njëherë dëshmon pafuqinë, paaftësinë dhe hipokrizinë në të cilën gjendet partia e Ahmetit. BDI në këtë kohë më së paku ka nevojë të mbajë çfarë do lloj kongresi, sepse i njëjti nuk do të ketë kurrfarë vlere, madje do të dilnin qesharak para opinionit.

Nuk mund të na flasin për integrime euro-atlantike, për qeverisje të mirë apo për demokraci konsensuale ministrat e BDI-së të cilët dyshohen për korrupsion dhe keqpërdorim të funksionit publik. Parashtrohet pyetja: për çfarë demokracie do të na flasë BDI-ja e cila është bashkëpjesëmarrëse e një qeverisje e cila instaloi diktaturë dhe e ngulfati demokracinë, qeveri e cila varfëron popullin çdo ditë e më shumë. Për çfarë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie sociale flet BDI-ja kur çdo e treta familje shqiptare jeton në skamje dhe varfëri ekstreme, ndërsa viset shqiptare nuk kanë parë me sy asnjë investim”, thekson për “Lajm” Buçi.

Analisti Xhelal Neziri është i mendimit se Kongresi i paralajmëruar nga BDI është një tentim për të treguar një normalitet të paqenë brenda partiak, në një kohë kur BDI pritet të tronditet nga përgjimet që do të shpalosen nga lideri i opozitës.

“Ky Kongres duket se është formalitet dhe me prapavijë propagandistike. Kjo është sikur të bësh dasmë në vrullin e luftës. Mendoj se BDI duhet të presë shpalosjen e të gjitha bombave, që me pas të mbajë një kongres për ndryshime rrënjësore kadrovike, kuptohet nëse dëshiron të ngelet politikisht gjallë, thotë për “Lajm” Neziri.

“Me këtë kongres kjo parti vetëm se dëshmon joseriozitetin dhe vulos qasjen e saj të papërgjegjshme në kohën kur qytetarët me të drejtë presin dorëheqjet nga funksionarët e korruptuar të partisë në pushtet”, shprehet Buçi. Sipas tij, Kongresi i BDI-së është edhe një tentativë e turpshme e Ahmetit për të mashtruar edhe ato pak militantë të verbër që ende besojnë në përrallat e tij për integrime në BE dhe NATO, fraza nga të cilat janë lodhur edhe fëmijët e vegjël.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net