Sa janë dëmtuar bizneset shqiptare? - tetova1.com

Sa janë dëmtuar bizneset shqiptare?


loveci
Kategoria: Ekonomi / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Mar 4, 2015





Qeveria e udhëhequr nga Gruevski por e përkrahur për fat të keq edhe nga partia shqiptare në pushtet BDI kanë shkatërruar bizneset milionëshe të shqiptarëve dhe i kanë dëmtuar rëndë biznesmenët shqiptarë. E gjithë kjo është bërë nga ana e qeverisë për të patur efekt mediatik, siç edhe kishim rast të dëgjojmë në audio-incizimet të cilat i publikoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Në vazhdim Almakos ju përkujton se si janë rrënuar objektet “Cosmos” në Shkup “Lovec” në Gostivar dhe “Muri Kinez” në Shkup i cili aktualisht njihet si “Park Residence”.

Canoski kërkon dëmshpërblim prej 65 milionë eurosh

Para disa ditësh audio-incizimet që publikoi Zoran Zaev e në të cilat thuhet se flasin kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski tregon qartë se kryeministri bën revansh politik ndaj pronarit të ndërtesës “Cosmos”, Fiat Canoski i cili në vitin 2011 ishte deputet i opozitës dhe mik shtëpie me pronarin e Tv A1, Velija Ramkovski.

Incizimet e publikuara tregojnë se kryeministri Gruevski ishte angazhuar personalisht për rrëzimin e objektit “Cosmos” të investitorit Canoski, dhe se kjo është bërë për revansh politik. Në bisedën e publikuar ndërmjet Gruevskit dhe ministrit të Transportit Janakievski shpaloset e vërteta se si Gruevski ka organizuar kohën kur vendimi për rrënimin e objektit t’i dorëzohet Canoskit.

Pastaj në bisedën e radhës shpalosen biseda për atë se çka të bëhet me lokacionin. Gruevski gjithashtu ka kërkuar që sa më shpejtë të realizohet rrënimi, para se procesi të bartet në gjykatë. Gruevski ka kërkuar që rrënimi të bëhet pas seancës parlamentare ku do të zgjidhej qeveria e re. Përfundimisht, Gruevski vendos që rrënimi të bëhet me fillimin e sezonit të pushimeve, përkatësisht më 1 gusht.

Në njërën nga bisedat, Janakievski e njofton Gruevskin për rrjedhën e situatës, përkatësisht rrënimin e objektit “Kosmos”. Janakievski thotë se ka ardhur një gjykatëse e cila mund të ndalojë punën gjatë rrënimeve. Gruevski jep instruksione se si të veprohet më tutje, të kontaktohet me “kryesorin”.

Gjatë bisedave vërehet se kryeministri vazhdimisht ka qenë i informuar për rrjedhën e punimeve gjatë rrënimit të objektit.

Pas këtyre bisedave të publikuara në opinion nga ana e Zaevit, Canoski paralajmëron ndërtimin e kompleksit ndërsa kërkon dëmshpërblim në vlerë prej 65 milionë eurosh. Sipas tij, brenda një muaji fillon ndërtimi i kompleksit banesor “Cosmos” që pushteti e rrëzoi para tre vjet e gjysmë. Pronari Canoski nuk heq dorë dhe shpjegon se leja e ndërtimit ka afat edhe 10 muaj.

Megjithë pohimeve të autoriteteve se rrëzimi i objektit “Cosmos” ka qenë sipas të gjitha procedurave ligjore, Canoski pohon se shembja është bërë për arsye politike. Dëshmi, sipas tij, është që komuna e Gazi Babës nuk ua ka dhënë të gjithë planimetrinë e nevojshme për ndërtimin e objektit. Canoski kërkon dëmshpërblim prej 65 milion eurosh në Strasburg ndërsa së shpejti pret aktvendimin.

Rrënohet objekti “Lovec” në Gostivar për të arsyetuar rrënimin e “Kosmos”-it

Nga përgjimet e publikuara në një pjesë të bisedës ndërmjetë Mile Janakievskit dhe Nikola Gruevskit, ministri i Transportit i drejtohet kryeministrit “Edhe në Gostivar ka diçka për t’u rrënuar”, ndërsa Gruevski i është kthyer: “Nisja, atje me dinamit bëje”.

Në bisedën që opozita e publikoi në lidhje me rastin e objektit “Cosmos” të investitorit Fiat Canovski, vërehet se si Gruevski është munduar të fshehë argumentet që është rrënuar objekti për hakmarrje. Ai kërkon nga Janakievski që të rrënojë edhe ndonjë objekt tjetër, edhe atë me dinamit, sa më shpejtë, që të tregohet se kinse ligji vlen për të gjithë, e jo vetëm për rastin “Cosmos”.

Në këtë rast Gruevski është përpjekur që të japë përshtypje të mirë sepse ndërkombëtarët i kanë reaguar duke thënë se rrënimi i objektit të Canoskit ngjanë në revansh politik. Në atë moment, Janakievski i thotë se ekziston një objekt i madh në Gostivar. Pastaj, Gruevski urdhëron të rrëzohet ai objekt me dinamit.

Objekti “Muri Kinez”, dëmtohet rëndë biznesmeni Enver Maliqi

Në përgjimet e fundit të publikuara në Maqedoni ku dëgjohen kryeministri dhe ministri i Transportit të Maqedonisë bisedojnë në lidhje me rrënimin e objektit “Kosmos” të ish deputetit Fiat Canoski. Në bisedën mund të dëgjohen se si kryeministri e urdhëron dhe udhëheq bashkë me ministrin e Transportit rrënimin dhe shkaktimin e dëmit sa më të madh në objektin i cili është investim disa milionësh.

Në këtë rast kryeministri merret drejtpëpëdrejtë me rrënimin, fazën e rrënimit dhe me dëmin që i është shkaktuar objektit që për të ka qenë jo i kënaqshëm, raporton Almakos.

Por, aty flitet edhe për objektin “Muri Kinez” i njohur tashmë si “Park Residence” ku prej ministrit të Transportit këshillohet kryeministri që të bëjnë përsëri rrënimin e ‘Kosmos’-it për reklamim dhe efekt mediatik ndërsa aty kryeministri përgjigjet se në këtë rast nuk ka nevojë si me “Murin Kinez”, që do të thotë se kompleksi “Muri Kinez” ka qenë i rrënuar për së dyti edhe atë për “Efekt Mediatik!!!”.

Almakos ju përkujton se “Muri Kinez” është pronë dhe investim i biznismenit të njohur shqiptar Enver Maliqi, pronar i kompanisë së mirënjohur “Gemak” në Maqedoni dhe “Gekos” në Kosovë, përfaqësues ekskluziv i “Imperial Tobako” dhe “Johnny Walker” në Kosovë dhe Maqedoni.

Është i njohur si biznesmen me traditë të gjatë në biznesin internacional por edhe si ndihmës i madh dhe sponsorues i eventeve shqiptare në kulturë, art, sport dhe bamirësi ndaj komunitetit shqiptarë.

“Muri Kinez” është investim 25 milionë eurosh, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 2000 dhe shitja prej vitit 2004, në vitin 2006 pas ardhjes së VMRO-së dhe Gruevskit në qeveri ndalohet shitja dhe i merret fleta poseduese objektit dhe prej atëherë deri para 4-5 muajsh ka qenë investim i bllokuar, për 10-12 vite të tëra, mëson Almakos.

Në pjesën tjetër të bisedes mes kryeministrit dhe ministrit të Transportit bëhet fjalë që pas rrënimit të objektit ‘Kosmos’ kryeministri i sugjeron ministrit që të bëjnë ndryshimin e planit urbanistik dhe në mënyrë cinike i thotë që të bëjnë një park të bukur me shatërvan dhe gjelbërim, kurse ministri ia kthen se nuk kishte me qenë mirë për të kthyer gjithë parcelën në gjelbërim por gjysëm-gjelbërim e gjysëm me ndërtim.

Kjo na kthen përsëri te investitori shqiptar ku kompania “Gemak” në vitin 2006 në ankand publik nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka blerë gjithë 3 parcelat veç e veç me sasi totale prej 17.000 metra katrorë, kurse kompania “Gemak” në kohën ligjore bën pagesën për parcelat si dhe tatim në tokë prej 2 milionë euro. Dy vitet e fundit në të njëjtin lokacion ndër Kala janë bërë shitje të parcelave me çmim prej 25 deri 40 euro metra katrorë kurse para 10 viteve çmimin që ka paguar “Gemak” ka shkuar me dy parcelat e fundit deri në 160 euro për metër katrorë, informon Almakos.

Disa muaj më vonë, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, ky i njëjti ministër i Transportit me urdhër të qeverisë kërkon kthimin e tokës në pronësi të shtetit dhe anulimin e blerjes nga ana e kompanisë “Gemak” për arsye se ka qenë në kohën parazgjedhore.

Ndërkohë, fillon gjyqi dhe tek pas 8 viteve nëpër labirintet gjyqësore “Gemak” fiton të drejtën por qeveria dhe ministri bëjnë ndryshimin e planit urbanistik me nënshkrim të ministrit të njëjtë ashtu siç flasin në telefon, 2 parcelat më të mëdha gjelbërim- park kurse më e vogla ndërtim, por me gabarite shumë më të vogla se sa në fillim me P+2, por pa fontana në gjelbërim.

Prej gjitha lejeve fillimtare për hotel, shooping center, zyre dhe objekte speciale bëjnë ndërrimin vetëm në hotel. Ndërkohë kompania “Gemak” kur e merr planin për fillim e kupton se ka ndryshuar në mënyrë drastike plani për ndërtim dhe nuk ka më kurrfarë kalkulimi financiar me vazhdim të ndërtimit kërkon kthimin e mjeteve të investuara si dhe kamatën ligjore, pasiqë mjetet prej 2 milionë euro kanë qenë të shfrytëzuara nga qeveria.

Kompania “Gemak” me kamatën vjetore që është në Maqedoni është dëmtuar me së paku për këto 9 vite afro 2 milionë euro. Qeveria e Maqedonisë edhe sot e kësaj dite nuk iu përgjigjet kërkesave dhe nuk jep kurrfarë përgjegjësie për dëmtinin e kompanisë së mirënjohur dhe dëmtinin e shkaktuar buxhetit të shtetit. /Almakos

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net