Sot përkrahin Gruevskin, nesër do të kërkojnë post në qeverinë e Zaevit
Fejzi Hajdari
Atë që ke mbjellur, atë do të korrësh!. Miliona e miliona herë është cituar kjo fjali në të kaluarën, por edhe shumë miliona herë ja vlen të citohet në të ardhmen. Posaçërisht ja vlen të përsëritet kjo fjali e urtë popullore në këto momente, kur kryetari i LSDM-së Zoran Zaev me të ashtuquajturat “bomba”, ka filluar luftën për të rrëzuar qeverinë e Nikolla Gruevskit, i cili gjatë këtyre viteve me bashkëveprimtarët e tij shqipfolës, realizoi projekte të shumta në dëm të shqiptarëve.
Dhe për çudi, shqiptarët në vend se të bëhen protagonistë në rrëzimin e një pushteti që e vlerësojnë se është i dëmshëm për ta, i kanë hapur sytë aq shumë drejt Zoran Zaevit dhe presin t’ju pikë molla e gatshme nga dega?
A thua, sa kanë të drejtë dhe a kanë shumë të drejtë morale, të sillen si puna ose logjika e lypsët, me dorën e zgjatur! Nuk e kuptoj pozitën tepër dembele dhe injoranteske të më shumë shqiptarëve në Maqedoni, sidomos pas këtyre rrethanave të reja të krijuara - “POSTBOMBË”. Pse shtiren sikur nuk e kuptojnë se për rrëzimin e kësaj qeverie antishqiptare (BDI-VMRO), me vulën e së cilës janë me qindra projekte të realizuara antishqiptare, nevojitet një impenjim gjigandesk dhe mobilizim i energjive politiko-intelektualo-qytetare. Mënyra se si sillen shqiptarët, qofshin partitë politike opozitare RDK-BESA-Lëvizja për Reforma e Selës, por dhe një pjesë e qytetarëve opinionbërës, është me tamam shembulli se si nuk duhet të sillen. Paraqitjet e partive të këtij blloku opozitar, janë qyqare - “Kërkojmë nga Zaev t’i publikojë të gjitha ‘bombat’ që kanë të bëjnë me shqiptarët’! Këtë të gjithë e dinë dhe e kërkojnë, madje edhe një banorë që jeton thellë në Malësinë e Karadakut! A mjafton kjo kukuvajkë dhe klithje stereotipe serivile, sa për ta luajt rolin e atij që gjoja shqetësohet shumë për fatin e shqiptarëve. Vallë, te bllokut politik opozitar shqiptar, pas publikimit të “bombave”, më thoni a është mbajtur qoftë edhe një press-konferencë e hajërit lidhur me këtë zhvillim dhe shqetësim që po trondit rajonin? Përgjigja është Jo. Me siguri arsyet i dini vetë ata! Sjellja e tyre lë përshtypjen ose të mungesë së guximit ose lidershipi i opozitës shqiptare (RDK-BESA-Lëvizja për Reforma), është i kënaqur nga aktivitetet e formimit të nëndegëve, ku ju mjaftojnë fotot nga mbledhjet të cilat i postojnë në ‘facebook’ duke lënë impresionet medemek të politikanëve të mëdhenj! Turp, sinqerisht turp. Këta, që tani dëshmojnë mungesë eksperience për të mos thënë papjekuri politike.
Nga ana tjetër edhe shiptarellat (fundërrinat e shoqërisë shqiptare) kanë filluar të shohin ëndrra syçelë se nesër-pasnesër do të jenë pjesë e qeverisë së Zaevit edhe pse vite të tëra janë shtylla kryesore e mbijetesës së qeverisë së Gruevskit. Nuk duhet të habitemi nëse ata që në vitin 2014 fituan (dhe vodhën) 150 mijë vota të shqiptarëve dhe “shiptarellave”, në zgjedhjet e ardhshme fitojnë 180 mijë vota. Nëse ndalemi dhe analizojmë më hollësisht, 90 për qind e funksionarëve të tyre vijnë nga familje ose qarqe kriminele dhe tradhtare. Megjithë këtë potencial kriminel dhe tradhtar që kanë në radhët e tyre, ata nuk ndalen dhe vazhdojnë të rekrutojnë edhe struktura tjera kriminele dhe tradhtare, që të kenë sa më tepër potencial për të ushtruar presion ndaj votuesit shqiptar dhe për të mbushur kutitë. Nëse kemi parasysh nivelin e lartë të tolerancës që tregon policia ndaj kriminelëve dhe tradhtarëve në pjesën shqiptare, nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme ata të sigurojnë edhe 200 mijë vota për subjektin e tyre të preferuar me bekgraund tradhtar dhe kriminel. Çështja e tyre duhet të jetë një sfidë e posaçme për Zaevin. Ata deri tani në shumë momente kyçe, u radhitën krah për krah me Gruevskin dhe Mijallkovin, duke shkelë edhe interesat e qytetarëve që pretendonin se i përfaqësojnë edhe parimet e përgjithshme demokratike (kujtoni vetëm 24 dhjetorin e vitit 2012). Nëse dëshiron Zaev të formojë një qeveri të mirëfilltë demokratike dhe multietnike, assesi nuk guxon të përfshijë këtë strukturë të përbërë nga kriminelët dhe tradhtarët shqiptarë (ua dimë emrin po nuk mund t’ua përmendim, sepse edhe vetë ministri Adnan Jashari ka thënë se nuk kemi gjyqësor të pavarur). Nëse përfshin këtë strukturë, atëherë Zaev vetëm do të vazhdojë traditën e vendosur që në kohën e Millosheviqit për bashkëpunim me shqiptarë të ndershëm (sa më të këqinj për shqiptarët, aq më ët mirë për shtetin). Arsye tjetër logjike nuk ekziston. Aq më tepër që botërisht dihet se shtabi kryesor i VMRO-së tani vite me radhë nuk është në Shkup, por në Reçicë të Vogël. Zaev duhet të bashkëpunojë me ata shqiptarë që më së miri dinë të përfaqësojnë dhe artikulojnë interesin e qytetarëve shqiptarë, e jo me ata që më së miri dinë se si të blejnë dhe vjedhin votat e shqiptarëve.
Nëse Zaev vazhdon bashkëpunimin me këtë strukturë të tradhtarëve, kriminelëve dhe vjedhësve të votës shqiptare, atëherë ai me vetëdije apo pa vetëdije ka vendosur të amnistojë Gruevskin dhe Mijallkovin, që aq shumë i akuzon për involvim në krim.








