“Bombat” e Zaevit e “tymosin” rritjen ekonomike të Stavrevskit! - tetova1.com

“Bombat” e Zaevit e “tymosin” rritjen ekonomike të Stavrevskit!


Kategoria: Opinione

Postuar më: Thu, Mar 5, 2015





Abdylmenaf Bexheti

Përderisa bota normale dhe e zhvilluar në qendrën e ekonomisë globale në Davos tërhiqte vërejtjen për trendet pesimiste, në “qendrën” lokale të Shkupit (si zakonisht duke menduar se bota rrotullohet rreth tij!) shpallen “rezultatet më të mira” në Europë për rritjen ekonomike. Përralla të këtilla dëgjojmë tash e 8-9 vite dhe jo vetëm nga ky zotëri, por edhe nga shumë “ekonomistë” tanë që gravitojnë tash e një dekadë në qeveri!

Entuziazmi euforik i ministrit të Financave për të shpallur që në janar 2015 rritjen ekonomike më të “lartë të Europës” për vitin 2014, akoma pa u shpallur edhe statistikat preliminare për atë vit, sikur parandjeu që vonesa e këtij lajmi do të tymoset nga bombat e para të opozitës. Ky publikim i z. Stavreski u bë duke apostrofuar kritikët më të mëdhenj të politikave ekonomike në vend, përfshi edhe autorin e këtyre rreshtave! Nuk është hera e parë kjo gjendje emocionale e pushtetarëve, kur janë në pyetje ata që nuk pushuan të lansojnë të vërtetat, si ato teorike, ashtu edhe praktike, rreth zhvillimeve ekonomike në vend. Po çka se shumë shpejt lëpijnë po atë pështyme të tyre, ndoshta ju bënë mirë sa nuk është tharë ajo. Po ky zotëri ekspert ishte ai që nuk pushoi së lavdëruari dhe arsyetuari Ligjin për “honorarët” dhe akoma pa e përjetuar praktikimin e muajit të parë shpejtoi ta ndryshojë atë, bile me procedurë të përshpejtuar. Të mos e elaborojmë këtu edhe procesin e “pështymës dhe lëpirjes” politike për pakon e Ligjeve të arsimit – krejt kjo për më pak se një muaj!
Përderisa bota normale dhe e zhvilluar në qendrën e ekonomisë globale në Davos tërhiqte vërejtjen për trendet pesimiste, në “qendrën” lokale të Shkupit (si zakonisht duke menduar se bota rrotullohet rreth tij!) shpallen “rezultatet më të mira” në Europë për rritjen ekonomike. Përralla të këtilla dëgjojmë tash e 8-9 vite dhe jo vetëm nga ky zotëri, por edhe nga shumë “ekonomistë” tanë që tash e një dekadë gravitojnë në qeveri! Megjithatë standardi jetësor “nuk i dëgjon” këta ekspertë qeveritarë, por ai, fatkeqësisht, vazhdon të bie. Maqedonia është në vend të fundit në Europë me nivelin e pagave mesatare neto, që është indikatori më real i matjes së mirëqenies ekonomike në vend, bile edhe me fuqinë blerëse të tyre sipas nivelit mesatar të çmimeve dhe vëllimit e strukturës së shportës së konsumit. Mjerë vendi dhe shoqëria ku një flokëtare në parukeri ka pagën më të lartë se një mjek-psikiatër ose psikolog shkolle, e lëre më një profesor të matematikës në shkollë të mesme.
Gjithnjë sipas “ekonomistëve” të qeverisë sonë, nëse aq mirë na shkon ekonomia, e me atë edhe financat publike në Maqedoni, pse me ligje të dhunshme, gjithnjë e më tepër, ajo i ngarkon kompanitë me kosto sociale, që edhe sipas nomenklaturës bazike i takojnë qeverisë t’i subvencionojë ato. Me ligje dhe vendime të imponueshme (bile kundërkushtetuese) qeveria i ngarkon kompanitë me punësime të invalidëve ose, në mënyrë alternative, me taksa për invalidë, e pastaj u imponon pagesë të kompensimit për pushim vjetor (K-15), madje deri te imponimi i shlyerjes së borxheve të qytetarëve me status social ndaj kompanive.
Ajo nuk ndalet këtu, por i vazhdon aventurat me propozimet e reja për shkurtimin e moshës për pension, por në ngarkesë të punëdhënësve – për femrat në 59 dhe meshkujt në 61, në kushte kur gjithë Europa lëviz ne kah të kundërt me këtë! Këto tregojnë paaftësinë fiskale të qeverisë – ajo s’ka më hapësirë fiskale për këso aventura populiste dhe sociale, andaj detyrimisht ua imponon kompanive edhe ashtu deri në fyt me telashe të jolikuiditetit. Prandaj shtrohet pyetja se pse qeveria brengoset për detyrimet kontraktuale dhe marrëdhëniet detyrimore të vetë kompanive?!
Të gjitha këto, dhe jo vetëm, janë indikatorë që në “mes të rreshtave” e tregojnë gjendjen ekonomike në vend, por që i vërejnë vetëm disa, e më pak janë ata që marrin guximin t’i elaborojnë këto. Mua personalisht s’më pengon fare ajo që më “sfidon” Stavreski, madje dikur edhe vetë Gruevski, por po më pengon ajo që këtë e bëjnë në monologë vetëm me mediumet e tyre. Sa herë i kemi ftuar publikisht të debatojmë për këto gjendje aq “të mira ekonomike” sipas tyre, por kurrë nuk na e kanë dhënë këtë mundësi tash e një dekadë të tërë. Ata e dinë se në debate nuk do ta imponojnë temën dhe argumentet, por duhet t’u përgjigjen edhe fenomeneve abnormale, si p.sh. ato të derdhjes së mbi 520 milionë $ mesatarisht në vit nga Maqedonia në vendet e treta (shih studimin e Global Financial Integrity – USA) ose edhe kontot me qindra miliona franga zvicerane ne bankën e dytë më të madhe në botë – HSBC ose edhe ato shpenzime buxhetore joproduktive për projektin fantom “Shkupi 2014”, e deri te kostot dhe investimet për blerje të pajisjeve më të sofistikuara për përgjime masive, “produktivitetin” e të cilëve e përjetojmë kohëve të fundit.
Në të gjitha debatet publike në javët e fundit theksi vihet në analizat politike, ideologjike, juridike, sociale,…të “bombave” të Zaevit, ndërsa shumë pak janë trajtuar aspektet “ekonomike” të këtyre turbulencave. Në analizat tona shpesh e kemi trajtuar edhe ndikimin e “korpusit” të faktorëve politiko-demokratik në ekonominë e një vendi. Këto faktorë janë edhe më përcaktues se ato ekonomikë, posaçërisht në vendet me resurse të limituara ekonomike, duke filluar nga madhësia e tregut, e deri te fuqia blerëse e konsumatorëve, siç është rasti me Maqedoninë. Prandaj këto ngjarje do të kenë edhe impakt më të madh negativ se që mund të parashikohet në këto momente. Ja disa aspekte të këtyre ndikimeve:
Së pari, zhvendosja e vëmendjes së politikëbërësve nga problemet ekonomike në ato pastër politike. Kjo do të ndikojë në politikat ekonomike në disa dimensione, duke filluar nga ato fiskale e deri te ato sektoriale. Në politikat fiskale prioritet edhe më të lartë do të marrin shpenzimet publike joproduktive, posaçërisht ato që destinohen për neutralizim të pakënaqësive masive sociale. Pastaj vjen dimensioni dominues social i buxhetit për vitin 2015, i cili shkon për transfere sociale prej 603 mil. euro dhe 741 mil. euro për të gjitha llojet e programeve pensionale, ndërsa kur t’i shtohen edhe 203 milionet e subvencioneve tjera fiskale, ato përbëjnë mbi 50% të gjithë buxhetit të këtij viti. Këto destinime do të jenë prioritet i lartë i qeverisjes, duke u pasuar nga pagat dhe kompensimet në paga të administratës shtetërore dhe publike, e cila vazhdon të fryhet pa kurrfarë produktiviteti, ndërsa në fund të listës do të mbeten investimet kapitale, që edhe ashtu më pak janë të projektuara këtë vit (vetëm 345 mil. euro). Pra, vetëm në suaza të këtyre politikave, duke iu referuar brengës dhe oportunitetit politik për shpërthim social, do të mbeten nën hije të gjitha programet ekonomike të buxhetit.
Së dyti, në rrethana të krizave të thella politike dhe institucionale, ku siguria dhe institucionet publike janë rrezikuar deri në palcë, spostohen planet e investimeve vendore, e lëre më të priten investitorë të huaj, me përjashtim të ndonjë investimi me riskmarje të lartë (të kalkuluar paraprakisht), por me kosto shumë të ulët, sa për të dëshmuar ndonjë rezultat! Përsëri “fajtor” do jenë bombat e Zaevit dhe opozita destruktive. Të gjitha “sfilatat” e premierit dhe përcjellësve të tij deri në Lindjen e Largët do të dështojnë për shkak të opozitës armiqësore ndaj shtetit të vet! Vendi edhe në kushte (ab)normale ka qenë në fund të listës me tërheqjen e investimeve të huaja direkte, kurse në këto rrethana të krijuara, ku shteti është privatizuar nga dy persona fizikë, më mirë thënë është shndërruar në shoqatë aksionare me dy aksionarë dominues dhe ca të tjerë minorë përreth, bile nga pozitat më përgjegjëse për mirëfunksionimin e tij. Në këto rrethana edhe kapitali i investuar do të kërkojë forma për “dalje” nga kjo rrëmujë politiko-juridike e tregut vendor.
Së treti, të gjitha projektet kapitale të paralajmëruara për realizim me model koncesioni me investitorë të huaj (por edhe të vendit), do të bien në ujë, ashtu siç të gjitha tjerat deri më tani. Fatkeqësisht këto “modele” realizimi kanë qenë të “rezervuara” për projektet kapitale në rajonet shqiptare, nga Kumanova e deri në Strugë. Qëkur janë vendosur si të tilla, që parashihen të realizohen me këto forma financimi, kemi paralajmëruar se s’do bëhen kurrë ose do ta pësojnë fatin e projekteve të “Çebrenit dhe Galishtës”, që zvarriten për së shtati herë në tenderë të dështuar ndërkombëtarë! Prandaj nga të gjitha këto do rezultojë një hiç i madh, si gjithmonë dhe qeveritarët (shqiptar) “do t’i kujtojnë” deklaratat e tyre naive e premtuese.
Së katërti, por jo për nga rëndësia, edhe ky vit do shkojë në përgatitje zgjedhore me shumë gjasë me një qeverisje teknike ose eksperte! E vetmja shpresë “ekonomike” nga viti elektoral mund të jetë logloringu (tregtimi i votave) për mbijetesë politike. Bursa politike pritet të rritet me indeks marramendës, sepse vihet në pyetje mbijetesa, e shoqëruar nga pamundësia për të “blerë lirë” përmes kërcënimeve dhe premtimeve. Nuk do mund të kolektohen vota me sistem premtimi se nuk u beson kush më këtyre, bile pritet të ndodhë zhgënjimi i madh pas votimit kur do të shohin që edhe “militantët” dhe familjarët e vet nuk i kanë votuar! Atëherë do ta shohin sa i paska dashur populli tash e sa vite. Rrugaçërisë politike të atyre që bëjnë selfie me skulptura të panjohura, për t’i shitur si shqiptare, u ka ardhur fundi. Janë vetë ata që i “pensionuan” vlerat dhe parimet për të risjellë në skenë atributet “SS” (servilitetit dhe sterilitetin) të rrugaçërisë politike!

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net