Një koalicion i mundshëm LSDM –BDI do të provokonte shqiptarët - tetova1.com

Një koalicion i mundshëm LSDM –BDI do të provokonte shqiptarët


zaev-ali
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Mar 5, 2015





Njëra ndër shtyllat kryesore koalicionit qeverisës të Maqedonisë padyshim se është Bashkimi Demokratik për Integrim. Së fundmi, në “bombat” e liderit të opozitës, Zoran Zaev, njëherit edhe lider i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë janë përfshirë funksionarë të qeverisë nëpër skandale kriminale. Mirëpo ky fakt nuk ka qenë i mjaftueshëm që të prishet Qeveria, BDI ende qëndron përkrah VMRO-DPMNE-së. Opinionbërësit vlerësojnë se të qenurit “patericë” e kësaj qeverisje e delegjitimon BDI-në. Sipas tyre një koalicion i mundshëm BDI-LSDM do të dëshmonte se Zaevi nuk është ndryshe nga Gruevski dhe do të konsiderohet si provokim për shqiptarët.

“Pas gjithë këtij dëmi dhe poshtërimi që BDI u shkaktojë shqiptarëve gjatë qeverisjes me VMRO-DPMNE unë nuk besoj se kjo parti do rifitojë besimin e elektoratit shqiptar në zgjedhjet e ardhshme. Arsyeja e parë është se lidershipi i kësaj partie është demaskuar dhe delegjitimuar tërësisht si klasa më e paaftë, më e papërgjegjshme dhe më e korruptuar deri tani te shqiptarët e Maqedonisë. Nuk besoj se shqiptarët janë aq naiv dhe aq të papërgjegjshëm që të tallën me fatin e tyre duke votuar prapë BDI dhe Ali Ahmetin. Prandaj unë jam i bindur se BDI nuk do jetë në gjendje të përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e ardhshme sepse do t’i humb zgjedhjet. E dyta zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen nën monitorimin e ashpër ndërkombëtarë dhe do të jetë e pamundur BDI të vjedhë apo të blejë votat e shqiptarëve”, ka thënë për “Lajm” kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani.

Selmani beson se Zaev e ka kuptuar se BDI ka qenë paterica më e fuqishme e pushtetit të VMRO-DPMNE dhe do jetë i motivuar t’i ndëshkojë. Ai do përpiqet do krijojë aleanca të reja me parti tjera shqiptare. “Nëse Zaev ndjek shembullin e Gruevskit dhe ndihmon rimëkëmbjen e BDI-së, për shqiptarët kjo do të jetë provokim shumë i rëndë dhe akt armiqësorë. Nëse ndodhë kjo atëherë raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve do përkeqësohen dhe shqiptarët me të drejtë do të kërkojnë alternativa tjera për fatin e tyre. Zaev nuk duhet të luajë me durimin dhe krenarinë e shqiptarëve”, thotë për “Lajm” Selmani.

Branko Geroski, botuesi i së përditshmes “Slloboden pecat”, për “Lajm” thotë se përvoja jonë politike tregon se është e pamundshme të formohet Qeveri stabile në Maqedoni, pa participimin e partive politike relevante të maqedonasve dhe shqiptarëve. “Jo vetëm BDI por, por asnjë subjekt tjetër nuk e ka vendin e garantuar në qeveri. Nga ajo se si sillet ekipi i Ahmetit në këtë krizë politike do të varet edhe kredibiliteti i saj në mesin e shqiptarëve. Megjithatë unë parashikojë se në Maqedoni do të duhet të formohet paraprakisht një qeveri e përqëndruar, e cila do ta tërheq vendin nga kjo krizë e rëndë. Shpresojë që Ali Ahmeti të mos fundoset me atë pjesë të elitës politikë maqedonase që është zhytur në krim dhe korrupsion”, thekson Geroski.

Sipas publicistit Arben Llalla, partitë shqiptare gjithnjë janë vasal të partive maqedonase. Të mos harrojmë se BDI është mbështetur dhe fuqizuar nga LSDM dhe njerëz të saj. “Partitë maqedonase janë të interesuar vetëm për parti shqiptare që do jenë besnik të projekteve sllave dhe jo për avancimin e çështjeve shqiptare. Nguliteni mirë se partitë shqiptare janë sajesa të partive maqedonase me anë të vasalëve të tyre shqipfolës por që mendojnë sllavisht. BDI, jo vetëm që do jetë pjesë e koalicionit nesër të LSDM, por edhe do t’i fitojë zgjedhjet sepse ska unifikim të opozitës shqiptare. Shqiptarët ndodhen më të përçarë dhe të hutuar se kurrë”, thotë për “Lajm” Llalla.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net