Lëvizja BESA i ndan “mirënjohje” ministrit Ademi - tetova1.com

Lëvizja BESA i ndan “mirënjohje” ministrit Ademi


besa-abdilaqim
Kategoria: Arsim / TOP LAJM

Postuar më: Sat, Mar 7, 2015





Lëvizja BESA në ditën e mësuesit 7 marsit, ka organizuar një event, për ta nderuar ministrin e Arsimit, Abdilaqim Ademin për të gjitha sukseset e kësaj ministrie dhe të tij personalisht. Mirënjohje ministrit Ademi është ndarë për arritjen e këtyre sukseseve “Buxheti i USHT-ës është për dhjetë herë më i madh se buxheti i universitetit të Shtipit, premtimin e mbajtur për ndërrimin e katër emrave të shkollave në Çair, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve më në fund e ka objektin e ri të saj, për hedhjen e themeleve dhe ngritjen e katër shtyllave të shkollës së mesme në Komunën e Sarajit, për shkak të kushteve të mira në konviktet e studentëve në Tetovë, studentët e USHT-së kanë falëmendëruar ministrin Ademi…” dhe shumë suksese tjera të arritura në këtë periudhë në arsimin shqip.

Sipas Lëvizjes BESA, këto “suksese të arsimit shqip janë më të mëdhatë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”.

Aktivistët e Lëvizjes BESA poashtu kanë dhuruar ehde një Sistem Periodik të Elementeve ministrit Ademi, “që ta mbajë mend si dhuratën më të çmuar dhe më të rëndësishme për 7 Mars, e cila mund ta shpëtojë nga pyetjet e pakëndshme që mund t’ia bëjnë gazetarët në të ardhmen”.

sistemiperiodik

Mirënjohjet, plaketa e certifikata do t’i dorëzohen Ministrit sot në kabinetin e tij.

Ja dhe të gjitha mirënjohjet që do t’i jepen ministrit Ademi:

“Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi që tash Universiteti Shtetëror i Tetovës ka buxhet dhjetë herë më shumë se universiteti i Shtipit dhe pesë herë më shumë se Universiteti “Shën Cirili e Metodi”, si dhe duke qenë mirënjohës që USHT-ja – me reformat e reja – e fiton statusin e universitetit më të privilegjuar në Maqedoni, unë – si rektor, por edhe Senati i Universitetit Shtetëror të Tetovës – sot më 7 Mars – kam nder që ta nderojë me këtë: MIRËNJOHJE, Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Me rastin e festës së arsimit shqip – 7 Marsi, drejtoria e Shkollës Fillore “Imri Elezi”, e lumtur që ministri i Arsimit e mbajti premtimit dhe kësaj shkolle ia ndërroi emrin, ia ndan këtë: FALËNDERIM, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Me rastin e festës së arsimit shqip – 7 Marsi, drejtoria e Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, e lumtur që ministri i Arsimit e mbajti premtimit dhe kësaj shkolle ia ndërroi emrin, ia ndan këtë: FALËNDERIM, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

mirenjohje-abdilaqim

 

Shkolla Fillore “Vasil Gllavinov” e f. Slivnik – Komuna e Velesit, me rastin e 7 Marsit ia ndan këtë: MIRËNJOHJE Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi Për mbajtjen dhe realizimin e premtimit për rindërtimin dhe meremetimin e kësaj shkolle.

Drejtoria e SHF “Drita” të f. Rashçe, me rastin e 7 Marsit – festës së madhe të shkollës shqipe, dëshiron ta nderojë me këtë: MIRËNJOHJE Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi Për kontributin e madh dhe vetëmohues që ka dhënë Ministri, që shkolla jonë të rindërtohet pasi u dogj. Për këtë i mbetemi mirënjohës gjithmonë.

Komuna e Çairit ka nderin që sot – më 7 Mars – ta nderojë me këtë: MIRËNJOHJE Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi Për ndërtimin e objektit të Universitetit Shtetëror të Tetovës në territorin e Komunës së Çairit, pikërisht pranë shtëpive të veteranëve të arsimit shqip të kësaj komune në ish pronën e kazermës së Shkupit. Përfundimisht kazamatet e JNA-së po bëhen vatra të arsimit shqip.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, me rastin e ditës së shkollës shqipe, e nderon me këtë: PLAKETË: Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi, Për ndërtimin e objektit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup pikërisht pranë shtëpive të shkencëtarëve më të njohur shqiptarë në ish pronën e kazermës “Ilinden”. Shkenca shqiptare përfundimisht po lulëzon.

Komuna e Sarajit ka nderin që më 7 Mars t’ia ndajë këtë: MIRËNJOHJE Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi: Për hedhjen e themeleve dhe ngritjen e katër shtyllave të shkollës së mesme në Komunën e Sarajit. Mbetemi mirënjohës dhe falënderues që me këtë dinamikë kaq të shpejtë, në shekullin e ardhshëm Saraji do ta ketë vatrën e saj arsimore.

Në emër të studentëve dhe profesorëve shqiptarë, ndërsa me rastin e 7 Marsit, si dhe në shenjë nderimi që sot kemi libra universitare që nuk janë përkthyer me google-translate, por që janë me gjuhën më të bukur shqipe, me sintaksë shqipe dhe me terminologji shqiptare, natyrisht të botuara edhe nga botues shqiptarë, ia japim këtë: MIRËNJOHJE: Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Në emër të arsimtarëve shqiptarë të shpërblyer nga testi ekstern, si dhe në emër të arsimtarëve shqiptarë që nuk morën pjesë në grevë, se nuk kishin asnjë arsye pse të protestonin, ngase arsimi shqip në Maqedoni po lulëzon, ndërsa arsimtarët shqiptarë janë të kënaqur nga shpërblimet e testimit ekstern dhe nga rritja e rrogave, ia ndajmë këtë: MIRËNJOHJE: Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Për kontributin e madh në shqipërimin e teksteve shkollore për shkollat shqipe, për përfshirjen e historisë shqiptare në tekst-librat e historisë, të muzikës shqiptare në librat e muzikës, si dhe për inkuadrimin e Abetares kombëtare në shkollën shqipe në Maqedoni, ne, nxënësit e shkollave fillore shqipe, me rastin e 7 Marsit ia ndajmë këtë: MIRËNJOHJE: Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Për shkak të kushteve të mira në konviktet e studentëve në Tetovë, ne studentët e USHT-së – në këtë ditë të madhe të arsimit shqip, dëshirojmë t’i themi: FALEMINDERIT: Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.

Për ribotimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, ku janë hequr të gjitha deformimet e historisë kombëtare shqiptare, në emër të akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë – me rastin e Ditës së Shkollës Shqipe – ia ndajmë këtë: MIRËNJOHJE: Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.”

 

Foto nga Konferenca për shtyp dhe ndarja e “Mirënjohjeve” mund të shikoni duke klikuar KËTU

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net