Aliu: Komuna anashkalon Shoqërin Kulturore ‘Burimet e Sharrit’
|
Drejtuesit e Shoqërisë Kulturore “Burimet e Sharrit” akuzojnë komunën e Tetovës se nuk mbështet aktivitetet e tyre, për dallim nga dy Shoqëritë e tjera, të cilat, gëzojnë përkrahje të plotë financiare nga pushteti lokal. Kësaj Shoqërie, nuk i janë paguar as aktivitetet e vitit 2013 me arsyetimin se nuk ka dorëzuar raport financiar, gjë që mohohet nga drejtuesit e saj. Kreu i shoqatës Zilfi Aliu thotë se kryetarja e komunës madje nuk i përgjigjet as kërkesave të vazhdueshme për takim.
“Vështirësitë më të mëdha i kemi hasur në vitin 2013-14. Nga ana e kuvendit komunal është anashkaluar i gjithë aktiviteti i ”Burimeve të Sharrit”, është më se e vërtetë, sepse nuk kemi asnjë financim nga ana e komunës për asnjë lloj aktiviteti. Po bëhen disa seleksionime të ndryshme për financim të aktiviteteve. Pra në mënyrë selektive janë duke i financuar disa aktivitete ose disa grupe në nivel të komunës por “Burimet e Sharrit” në këtë drejtim janë zero të financuar, arsyet le ti jep vet kryeplaku i qytetit apo kryetarja aktuale”, deklaroi Zilfi Aliu, Drejtor i Sh. K. ‘Burimet e Sharrit’.
Komuna e Tetovës, nuk e ka përfshirë këtë shoqëri kulturore as në programin e vitit 2015, edhe pse ka konkurruar me tre projekte. Përgjegjësi për kulturë në komunën e Tetovës Ahmet Qazimi, për mos financimin e “Burimeve të Sharrit” fajin ia hedh komisionit i cili sipas tij ka vendosur se cilat shoqëri do angazhohen me aktivitete.
“Vlerësimi ka qenë i komisioneve për ofertën që ka pas komuna për vitin 2014, dhe programet që kanë qenë të parapara për vitin 2014, dhe varësisht prej programit që ka pas komuna e Tetovës është bë edhe përzgjedhja e shoqërive kulturore artistike”, tha Ahmet Qazimi, përgjegjës për kulturë në komunën e Tetovës.
Për shkak të vështirësive financiare, Shoqëria Kulturore “Burimet e Sharrit”, nuk arrit të organizoj as manifestimin e 20 vjetorit të themelimit të saj. Bashkim Sulejmani










