Me dy golat e Izair Eminit përsëri fiton Renova
|
Skuadra e Renovës ka vazhduar serinë e fitoreve, të dytën në sezonin pranveror. Pas fitores me 3-1 kundër Metalurgut, viktima e radhës e “gjipspunesve” ka qenë skuadra e Bregallnicës, të cilën e mundi me rezultatin 2-1. Në ndeshjen në të cilën u zhvillua në një fushë jashtëzakonisht të rëndë në stadiumin e qytetit të Tetovës, djemtë e trajnerit Qatip Osmani u treguan më të shkathët, dhe për 13 minuta paralajmëruan se pikët do të shkojnë në konton e tyre. Ndryshe, autor i të dy golave ka qenë futbollisti më i mirë i ekipit, Izair Emini (9 dhe 13), i cili njëkohësisht vazhdoi serinë e golave, pasi edhe ndaj Metalurgut shënoi dy gola. Në ndërkohë, duhet përmendur faktin se, nga minuta e 24, bardhekaltërit ngelën pa një futbollist, pasi mbrojtësi Jasmin Mecinoviq u ndëshkua me karton të keq, mirëpo e tëra që kanë arritur ta bëjnë mysafirët nga Shtipi, ka qenë goli i nderit të cilin e shënoi Zdravkov në minutën e 39 të ndeshjes. Deri në fund “gjipspunuesit” arritën të ruajnë epërsinë duke mos i lejuar kështu që në asnjë moment të vjen në shprehje fitorja. Ndryshe, autori i dy golave, Izair Emini për KOHA, shprehet i lumtur për fitoren e arritur, golat që i shënoj, por edhe komentoi kartonin e kuq të bashkëlojarit të tij Mecinoviq. “Ndeshja u zhvillua në një fushë jashtëzakonisht të rëndë, mirëpo falë dy golave të shpejtë të cilët i shënova unë, arritëm fitore. Jam i lumtur për këtë fitore dhe për golat e shënuara, shpresoj se me këtë temp do të vazhdoj edhe në ndeshjet e ardhshme. Pas 2-0, ngelëm pa një lojtar, Mecinoviqin, i cili për mendimin tim bëri një gjest të pahijshëm duke e goditur pa top një futbollist të Bregallnicës. Nuk e di se pse e bëri këtë, mirëpo me atë gjest ai na i vështirësoi punët, por për fat të mirë, arritëm të ruajmë epërsinë e krijuar në 13 minutat e para deri në fund. Fatmirësisht kur fiton harrohen të gjitha, megjithatë në takimin që do ta kemi sot, sigurisht se do të analizohet loja, por edhe kartoni të cilin e mori Mecinoviq”, pohon Emini. Pas kësaj fitore, Renova mbetet në pozitën e katërt, me 29 pikë të grumbulluara, pozitë të cilin sipas Eminit ka qenë synimi kryesor i ekipit. “Dy ndeshje dy fitore, një start të cilin në fakt e dëshironim, njëjtë siç e dëshironim pozitën e katërt. Me rëndësi ka qenë ta fitojmë Metalurgun dhe kur e bëmë atë, ndaj Bregallnicës kemi hyrë me një vetëbesim të madh dhe ja që vazhduam serinë e fitoreve. Kemi një orar të volitshëm, ku nga 9 ndeshje, shtatë i luajmë para tifozëve tanë me çka do të mundohemi që të arrijmë sa më shumë fitore”, shtoi më tej futbollisti më i mirë në radhët e Renovës. Ndryshe, kundërshtari i ardhshëm i “gjipspunuesve” në kuadër të javës së 20 do të jetë rivali lokal, Teteksi. “Prej kur kam ardhur në Renovë, kundër Teteksit nuk kam asnjë humbje, kam vetëm një barazim. Besoj dhe jam i sigurt se kjo seri do të vazhdoj edhe në fundjavë dhe se nuk do ta kemi problem ti mposhtim”, deklaroi Izair Emini, autori i 11 golave deri më tani duke u radhitur kështu në vendin e dytë në listën e golashënuesve bashkë me Altiparmakovskin, teksa me 13 gola listën e kryeson futbollisti i Shkëndijës, Bojan Vruçina.
/Bujar Kurtaj/










