Skandal: Synohet fshirja adresës së mërgimtarëve!
|
Qeveria e Maqedonisë përmes dy propozim ligjeve, njëri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim dhe tjetri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit synohet të fshihen mërgimtarët si banorë rezident të Maqedonisë. Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit, shtetasi i cili do të qëndron jashtë vendit për periudhë më gjatë se 3 muaj, me automatizëm MPB-ja do t’ia fshijë vendbanimin e përhershëm në Maqedoni. Sipas ndryshimeve ligjore, qytetari i cili ka ndërmend të qëndrojë jashtë shtetit më shumë se tre muaj obligohet që qëndrimin ta paraqesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në vendkalimin kufitar nga i cili e ka lëshuar vendin ose në përfaqësinë diplomatike në vendin ku shkon, edhe atë në afat prej 30 ditëve. “Nëse pas kontrollin në teren nga e pjesëtari i MBP-së konstatohet se shtetasi nuk banon në vendbanim me shumë se tre muaj, atëherë me automatizëm fshihet vendbanimi i tij”, tha Anastasia Ilievska, sekretare shtetërore në MPB gjatë arsyetimit të propozimeve në Komisoni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive.
Të dy ligjet janë kundërshtuar në lexim të parë në komision nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërkaq për miratimin e këtyre dy ligjeve në lexim të parë në seancë plenare nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve respektivisht parimi i Badenterit.
Për deputetin e BDI-së, Talat Xhaferi, miratimi i ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit ka vetëm një qëllim, t’i fshijë nga evidenca të gjitha shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit. “Me çfarë të drejte e kufizoni lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda territorit të Maqedonisë dhe në vendet e jashtme, me të cilët Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje për liberalizmin e vizave. Gjithashtu të dy ligjet janë në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë ku saktë përcaktohet se çdo qytetarë i Maqedonisë ka të drejtë lirshëm të lëviz në territorin e saj dhe te jetojë në atë zonë ku ai dëshiron të jetojë. Prandaj, ne si grup parlamentar në seancën plenare nuk do ta mbështesim miratimin e këtyre dy ligjeve”, tha Xhaferi.
Ndërkaq, sipas Anastasija Ilievskës, sekretare shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftime mes tjerash parasheh se qytetari që do të dorëzojë kërkesë për herë të parë letërnjoftim, detyrohen te dorëzojë edhe dokument dhe adresën e saktë se banesa apo shtëpia ku jeton është pronë e tij. Gjithashtu në të ardhmen të gjithë qytetarët që do të dorëzojnë kërkesë për letërnjoftim për shkak të skadimit të afatit, do të duhet dorëzojnë po ashtu edhe dokument, me çka vërteton se vendbanimi i paraqitur është prone e tij. “Gjithashtu ndryshimet ligjore japin mundësinë që nëse qytetari përveç vendbanimi të përhershëm jeton me qira në ndonjë komunë tjetër, apo posedon pronë, ka të drejtë të dorëzojë kërkesë për letërnjoftim të ri me adresën e re. Poashtu nëse qytetari bën kërkesë për letërnjoftim për shkak se ka humbur letërnjoftimi më shumë se dy herë, atëherë MPB-ja do t’i jep letërnjoftim të ri me afat skadimi për një vit”, tha Ilievska.
Para se të konstatohet rendi i ditës nga kryetari i Komisionit për sistem politik, deputetët e BDI-së kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës të dy ligjet me arsyetim se synojnë në radhë të parë që qytetarët i Maqedonisë të këtë dy letërnjoftime dhe të fshihen nga evidenca e vendbanimit mbi 100 mijë mërgimtarë që kanë vendbanim të përkohshëm në shtet e huaja.
“Ligji përveç që në të ardhmen legalizon keqpërdorimet me dhënien e letërnjoftimeve, gjegjësisht qytetarët të kanë dy letërnjoftime, gjithashtu krijon mundësi që me automatizëm të fshihen nga evidenca e vendbanimit rezident në Maqedoni më shumë se 100 mijë mërgimtarë. Këto ligje, kështu siç propozohen, edhe më tepër do të risin mosbesimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, tha Rafis Haliti, deputetet i BDI-së. Ai gjithashtu theksoi se është absurde që Qeveria të propozon ligje që nuk janë urgjente përderisa vendi po ballafaqohet me krizë të thellë politike.
Qytetarët bëhen me dy letërnjoftime!
Me ndryshimet ligjore dhe plotësimet parashikohet që detyrimet për qytetarin gjatë çdo kërkese të parashtruar për zëvendësimin e letërnjoftimet të parashtrojë dokument mbi bazën e të cilit ka parashtruar vendbanimin. Kjo nënkupton që qytetari për çdo parashtrim të kërkesës për zëvendësimin e letërnjoftimit do të parashtrojë dokumentin juridik mbi bazën e të cilit ka marrë të drejtën për paraqitje të vendbanimit, respektivisht parashtrimin e argumentit për pronësi, shtëpi me qira, shërbim etj. Pikërisht kërkesa e këtij dokumenti për pronësi, sipas koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, mund të shkaktojë pasoja politike dhe për këto arsye partia e tij nuk do të përkrahë ligjin. “Nga dy milionë njerëz do të kërkohet edhe një dokument që të konfirmohet vendbanimi”, tha Xhaferi. Deputetët Roza Topuzovksa Karevska dhe Kenan Hasipi treguan rrezikun e keqpërdorimeve të mundshme të letërnjoftimeve dhe dhënien e tyre të dyfishtë duke pasur parasysh se ndryshimet parashikojnë që ato të jepen në vendet ku qytetarët mund të qëndrojnë. Gjithashtu duhet që të saktësohet edhe një herë se ku do të bëhet dorëzimi i letërnjoftimeve.
Parapërgatitje për regjistrim?
Nëse miratohen këto propozime të Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit, atëherë hapet rruga që mërgimtarët mos të kenë të drejtë te regjistrohen si banorë rezident të Maqedonisë. Ky ndryshim prek mërgimtarët tanë që kanë vendbanim të përkohshëm jashtë vendit, të cilëve u fshihet adresa e këtushme. Ndryshe, gjatë regjistrimit të vitit 2011 pikërisht mospërfshirja e mërgimtarëve shkaktoi pakënaqësi që shqiptarët ta bojkotojnë atë.
/KOHA/










