BDI-ja kundërshton ndryshimet në ligjin për letërnjoftime
|
Ndryshimet lë ligjin për letërnjoftime janë kundër-kushtetuese dhe të papranueshme për BDI-në, thotë koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie, Talat Xhaferi. Ndryshimet e propozuar me të cilët letërnjoftime mund të nxirren në cilin do qytet të Maqedonisë aktualisht kanë marrë vetëm mbështetjen e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve më të vegjël në koalicion.
“Normat që propozohen janë drejtpërsëdrejti në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, gjerësisht me nenin 27 të Kushtetutës, sipas të cilit në paragrafin 1 parashihet dhe njihet e drejta dhe liria e qytetarit të RM që në mënyrë të ligjshme dhe pa ndërhyrje të mund të zgjedhë vendbanimin e tij mbi bazë të kushteve ligjore që parasheh ligji aktual për vendbanim dhe vendqëndrim. Në paragrafin 2 të nenit 27 të Kushtetutës, po ashtu parashihet liria e qytetarëve të RM për të lëshuar territorin e RM dhe për tu kthyer në territor të RM sa herë që dëshirojnë dhe kur do që dëshirojnë të kthehen”, tha Talat Xhaferi, kordinator i BDI-së.
ish deputetit Izet Zeqiri thotë se ndryshimet lënë hapësirë për dhënien e letërnjoftimeve të dyfishta për manipulime zgjedhore dhe fshirjen e mërgimtarëve shqiptare nga numri i përgjithshëm i popullsisë në regjistrimin e ardhshëm.
“Kjo është skandaloze. E para, te qytetarët me dy letërnjoftime mund të jepet mundësia që të ndodhë në të ardhmen që të legalizohen keqpërdorimet e ndryshme në dhënien e letërnjoftimeve ashtu siç ne dëgjojmë kohën e fundit. Dhe e dyta, fshirja me automatizëm e mërgimtarëve”, deklaroi Izet Zeqiri, ish deputet.
Fshirja e mërgimtarëve shqiptarë sipas Zeqirit do të përmbushte një plan që pati dështuar në tentimin e fundit për regjistrimin të popullsisë.
“Me fshirjen me automatizëm nga vendbanimet hapet mundësia për regjistrimin e popullsisë..Kjo do të rrezikojë edhe shumë të drejta të shqiptarëve si popull mbi 20 për qind dhe kjo nuk do të jep mundësinë që të shfrytëzohen edhe të drejtat dhe përdorimi i gjuhës në shumë komuna duke filluar duke filluar nga komuna e Shkupit ku shqiptarët janë në prag të 20 përqindëshit, mos flasim për komunën Butel, Dollnen, Krushevë, Kumanovë, Petrovec, Çuçar Sandevë ku shqiptarët janë diku nga 20-25 për qind”, u shpreh Izet Zeqiri, ish deputet.
Të hënën ndryshimet do të hyjnë në seancë plenare në lexim të parë, ku mund të kalojnë me shumicë të thjeshte, ndërsa në lexim të dytë do të nevojitet shumicë e dyfishtë. Andaj edhe ky ligj ka shumë gjasa që të përfundojë si ligji i branitellave dhe ligji për Avokatin e Popullit që sot e kësaj dite nuk vendosen për votim për shkak të votave kundër nga deputetë të BDI-së. Arben Zeqiri










