Jashari: Zgjidhja politike e situatës me ndërmjetësim ndërkombëtar - tetova1.com

Jashari: Zgjidhja politike e situatës me ndërmjetësim ndërkombëtar


adnanjashari_1
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Fri, Mar 13, 2015





Ministri i drejtësisë Adnan Jashari vlerëson se zgjidhja politike me ndërmjetësim ndërkombëtar është mënyra e vetme për kapërcimin e krizës politike të nxitur nga skandali i përgjimeve. Numri ‘një’ i dikasterit të drejtësisë nuk deshi të komentojë kapacitetin institucional të organeve shtetërorë për të ofruar zgjidhje juridike, madje mediave u sugjeroi që përgjigjen kësaj pyetjeje ta marrin nga qytetarët.

“Unë ndaj bindjen se fillimisht duhet bërë zgjidhje politike të kësaj situate me ndërmjetësim të ndonjë personaliteti kredibil i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët pjesëmarrëse sepse vendimi që do të jetë si rezultat i këtij ndërmjetësimi të jetë i pranueshëm për të gjitha palët, çdo gjë tjetër do të jetë humbje kohe. A kanë kapacitet organet në Maqedoni për zgjidhje juridike..nëse dëshironi të shihni se a kanë kapacitet bëni një intervistë apo anketë me qytetarët dhe do të merrni përgjigje lidhur me besueshmërinë e tyre rreth organeve shtetërore”, u shpreh Adnan Jashari, Ministër i drejtësisë.

Ambasadori i Austrisë Tomas Baer nga ana tjetër përsëriti qëndrimin se BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë për daljen nga kriza, por qeveria më parë duhet të një paraqes kërkesë të tillë. Baer nuk u shpreh i shqetësuar nëse ka qenë i përgjuar pasi siç tha nuk ka zhvilluar biseda që do ta turpëronin, megjithatë shprehu shqetësim të thellë rreth mungesës së kapacitetit demokratik të institucioneve.

“Me sa e di unë nuk kam qenë i përgjuar, megjithatë kjo duhet të hetohet nga autoritetet kompetente, diçka që qeveria premtoi se do ta shqyrtojë. Por për momentin mendoj se ka gjëra të tjera që kërkojnë vëmendje më urgjente. Këtë e them ndoshta për shkak se nuk kam dëshmi se kam qenë i përgjuar, por unë mendoj se çfarë do që kam thënë në telefon apo jashtë, nuk do të më turpëronte mua edhe nëse kam qenë i përgjuar. Gjërat që kërkojnë vëmendje urgjente janë rikthimi i proceseve demokratike, funksionimi i parlamentit, funksionimi i institucioneve demokratike, se sundimi i ligjit nuk do të dalë në pah në këtë gjendje sikurse tani, ka pretendime shumë të fuqishme se sundimi i ligjit nuk është respektuar, këto janë gjëra që ndikojnë në mënyrë direkte në mundësinë për ta pasur marrëdhënie më të ngushta me BE-në” , tha Tomas Mihaell Baer, Ambsador i Austrisë në Maqedoni.

Edhe zv/kryeministri Fatmir Besimi theksoi se nëse agjenda evropiane vazhdon të lihet pas dore për shkak të situatës aktuale, Maqedonia mund ta humb rekomandimin për fillimin e negociatave.

“Nëse proceset nuk shkojnë në drejtimin duhur atëherë nuk dua të paragjykoj por një nga opsionet që mund të diskutohet në Bruksel është edhe mundësia që Maqedonia të mos ketë rekomandim”, u shpreh Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Së fundmi edhe OSBE-ja ka shprehur shqetësimin rreth situatës politike në vend. Përfaqësuesi i posaçëm për Evropën Juglindore Roberto Bateli, u bëri thirrje qeverisë dhe opozitës të mundësojnë që organet gjyqësore të zhvillojnë hetim të shpejtë, të plotë, të pavarur dhe transparent rreth aferës së përgjimeve. Semra Jakupi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net