Popull i flijuar në heshtje - tetova1.com

Popull i flijuar në heshtje


vigjilentleka
Kategoria: Opinione

Postuar më: Fri, Mar 13, 2015





Vigjilent Leka

Një lojë politike e flliqtë ka shumë akterë, por kryepersonazhët janë mjeshtërit e intrigave, të cilët i ndjek prapa veprimtaria e dyshimtë, prandaj edhe trajtohen si njerëz të dyshimtë.!
Kur është në pyetje ngjitja në hierarkinë e shtetit, këta bëhen tepër ekzaltiv, euforik, prandaj bëhen konkurrent, pa e vështruar terrenin, pa e analizuar situatën, ku nga euforia po e djegin kartën kombëtare. Po bie poshtë!
Janë bërë si ajo thënia që nusja kishte “vra arushën, ende pa shkuar te burri”. Në të gjithë fushatën parazgjedhore ata vjellin vrerë kundër palës maqedonase, deri sa vjen dita e votimeve dhe gjithë ata fjalë bien poshtë. Nga e hëna fillon përbuzja, mashtrimi, servilizimi e deri në vetëmohim.

“Një popull i tradhëtuar prej kreut të tij, është një popull i flijuar në heshtje”.

Të gjithë heronjtë tanë që kanë vepruar para qindra viteve, ata të rilindjes, e deri te heronjtë e luftrave të fundit, nuk kanë ëndërruar një situatë të këtillë, çfarë na e kanë projektuar dhe ndërtuar pushtetmbajtësit e gjertanishëm.
Gjitha projektet e heronjëve tanë, jo vetëm që nuk janë realizuar, por ata janë nëpërkëmbur nga ata që idealin e lirisë e ndërruan me idealin e pasurisë, duke krijuar pushtete autokratike, të rrethuar nga oligarkë dhe teknoburrokrat që u rrinë afër dhe realizojnë dëshirat e skrupullat e tyre të pafre, larg dorës së drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Nuk kemi asnjë problem me ata që i llogaritim “pushtues” apo “armik”, por institucionet janë kapur nga zaptuesit “tanë”.
Duhet të jemi kundër heshjtës e cila na është bërë natyrë e dytë e jona në shkëmbim të një qetësie dhe “mirëqenie” utilitare, duke na e ka rrëzuar identitetin tonë moral e njerëzor, sepse tashmë është dëshmuar se në një vend ku heshtin intelektualët e mirëfilltë, shtetin e udhëheqin “tregtarët”, ndërsa drejtësinë e ndajnë “çakallët”!

Përse heshtim unë dhe ju?
-Unë dhe ju heshtim ndaj të bëmave të krerëve që vetë i kemi zgjedhur, të cilët zhvillojnë luftë mes vete se cili do të zaptojë më shumë terren në fushën e ekonomisë, tregëtisë, arsimit e shëndetësisë. Dhe në fund të çdo kompromisi të dhimbshëm janë deklaratat e stilit “qëllimi e arsyëton mjetin”.
-Unë dhe ju heshtim për familjet e dëshmorëve dhe për shndërrimin në mbledhës mbeturinash të luftëtarit të djeshëm, ndërsa bashkëluftëtari i tyre ka ngritur “kala” në disa qytete!
-Unë dhe ju heshtim për burgosjen e vëllezërve tanë pa asnjë fakt që dëshmon kriminalitetin e tyre nëpër rastet e montuara!
-Unë dhe ju heshtim për nepotizmin e pafre dhe rehatimin e familjarëve të gjithë soj-sorollapit të tyre. Përderisa familjet e tjera me asnjë të punësuar dhe fëmijët e tyre u ngjajnë “Lulëve të vegjël” të Migjeit!
-Unë dhe ju heshtim për policinë e cila po na sulmon me plumba gome të politikës, që mbron kriminelin dhe rrah e dhunon denoncuesin e krimit.!
-Unë dhe ju heshtim për pronat shoqërore të “shitura” dhe të “blera” nga vetë shitësit dhe shoqëria e tyre, E gjithë kjo në moton se ata janë çlirimtarët ndaj u përket të jenë edhe fituasit, në stilin “Ja te osllobodill, ja te jeb…”!
-Unë dhe ju heshtim për mediat e politizuara që janë bërë më zi se ata në Korenë e Veriut. Në anën tjetër paguajme taksat radiodifuzive në konton e propagandës partiake!
-Unë dhe ju heshtim për racizmin fetar dhe luftën e pakompromis ndërfetare të nxituar nga intitucionet. Ne heshtim edhe për shkuarjen e pakuptimtë të vëllezërve tanë në luftrat e huaja të lindjes.
-Unë dhe ju heshtim edhe për publikimin e përgjimeve para disa ditëve ku u pa qartë se si janë shitur liderët tanë dhe kanë tradhëtuar çdo ideal të popullit!
-Unë dhe ju heshtim në gjumë dhe kur jemi zgjuar, heshtim ditën dhe natën, dimrit dhe verës!
Kemi mijëra arsye për të mos heshtur dhe për tu revoltuar, sepse “Të revoltohesh kundër tiranisë do të thotë t’i bindesh Zotit” (T.Xheferson).

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net