Shkëndija gati për të sulmuar Bregallnicën e Shtipit (VIDEO)
|
Xhiroja e 20-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell transfertë të vështirë me Bregallnicën në Shtip. ‘Kuqezinjtë’ janë determinuar vetëm për tre pikë.
Pas dy fitoreve në start të sfidave pranverore, Shkëndija kërkon të tretën. Teteksi dhe Pelisteri u kaluan me sukses, tani është rradha e Bregallnicës dhe ‘kuqezinjtë’ janë gati për të sulmuar Shtipin. Ekipi është rekuperuar me shpejtësi pas ndeshjes të së mërkurës me Pelisterin në Kumanovë dhe ka tempuar formën për duelin me Bregallnicën. Kundërshtar tradicional dhe i papërshtatshëm për Shkëndijën që ka ditur të befasojë edhe në Tetovë, por që jo rrallë herë është dorëzuar para ‘kuqezinjëve’ në mes të Shtipit. Në dy takimet e këtij sezoni pikët i kanë takuar Shkëndijës që në start të kampionatit fitoi 2:1 në Tetovë, ndërsa triumfoi 1:3 në Shtip. Përballja e tretë sjell emocione të reja, por ambiciet e Shkëndijës mbeten të njëjta, vetëm fitore dhe vetëm tre pikë.
“Mirë e dijmë se gjithmonë skuadrat e Bregallnicës dhe Shkëndijës kanë luajtur ndeshje mjaft interesante dhe me paqartësi, ashtu do të jetë edhe tani të dielën në stadiumin e qytetit në Shtip. Na pret ndeshje e vështirë, gjithsesi se edhe Bregallnica do ta dëshirojë fitoren, mirëpo ne nuk do të shkojmë për tu dorëzuar lehtë. Do të luajmë për të fituar tre pikët për të vazhduar serinë e fitoreve që e kemi nisur në dy xhirot e para”, deklaroi mesfushori anësor i Shkëndjjës, Ivan Mitrov, i cili pohon se dëshiron sërisht të dalë me tre pikë nga dueli me ish-skuadrën e tij. “Po mirë, dihet se për secilin klub që luan, secili dëshiron të fitojë. E njejta ndodh edhe me mua, dua të fitoj tani me Shkëndijën”.
Stafi teknik në përgatitjet për sfidën e rradhës përveç pjesës tekniko-taktike, vëmendje të veçantë i ka kushtuar aspektit psikik, duke kërkuar nga futbollistët që mos të nënçmojnë kundërshtarin dhe të kenë një qasje profesionale dhe maksimale para çdo sfide. Jashta kombinimit për shkak të lëndimit të dorës mbetet vetëm Stefan Ashkovski, ndërsa edhe pse janë rekuperuar plotësisht stafi teknik nuk shpejton me rrikthimin e Mevlan Muratit dhe Egzon Bejtullait.
Ndeshja Bregallnica-Shkëndija zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Shtip, me fillim në orën 14:00.
Lista e 18-të futbollistëve të grumbulluar për takimin me Bregallnicën:
Marko Jovanovski, Enes Azizi, Bllagoja Todorovski, Yordan Miliev, Nikolla Vukçeviç, Besir Demiri, Sedat Berisha, Xhelil Abdulla, Muhamed Useini, Artim Pollozhani, Armend Alimi, Besmir Bojku, Victor Nildo Juffo, Stenio Zhunior, Bojan Vruçina, Mohamadou Idrissou, Ivan Mitrov, Hristijan Kirovski.
Linku për ta parë ndeshjen










