Pse përmend Ali Ahmeti ‘djem të sakrificës’
EMAD MEHMETI
Maqedonia ndodhet në një krize të thellë politike dhe juridike. Përgjimet janë duke tronditur spektrin politik, në të gjitha dimensionet, dhe nga kjo krizë me siguri do kemi humbësit dhe fitimtarët e kësaj beteje, që do të ‘shpallen’ pas këtij procesi të publikimit të përgjimeve, të ashtuquajtura si ‘Bomba politike’.
Ndërkohë, është simptomatike se përse në këtë kohë krizash politike lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjeti të godasë me fjalë të mëdha si “s’na dridhet qerpiku, ky popull ka akoma djem të sakrificës”, a mos ndoshta vallë e di se çka e pret pas shpalosjes së tërësishme të ‘Bombave’?! Pra, është e logjikshme të pyesim se a ju dukën pak djemt e sakirificës Ali Ahmetit që ia dha ky popull në vitin 2001?! Nëse vërtetohen që bisedat e deritanishme të shpalosura nga LSDM-ja, se janë tërësisht të vërteta, atëherë shtrohet dilema shumë e logjikshme se ‘këta djem të sakrificës’, pse t’ua japim sërish, që edhe më tutje Musa Xhaferi i BDI-së të vazhdojë të bisedojë me shefin e Shërbimit Sekeret, Sasho Mijallkovin, për ti caktuar se kush do vendoset nëpër gjykata, e çfarë punë t’u mbarojë nëpër gjykata?
Të kthehem pak mbrapsht në kohë. Kur shqiptarët e Nerezit rriheshin e malltretoheshin, si dhe kur digjeshin e bëheshin shkrumb e hi lokalet e shqiptarëve në lagjen Gjorçe Petrov, që në disa raste kam qëlluar aty, i tmerruar e kam parë se çdo të thotë të jesh shqiptarë në këto lagje të përziera. Dhe e di ku qëndron problemi; shqiptarët protestues për thyerje xhamash në rastin ‘Monstra’ përfunduan me 3 vite burg, ndërkaq dhunuesit dhe shkatërruesit e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov u liruan menjëherë. BDI-ja nuk e tha asnjë fjalë të vetme në këtë rast, por me çdo kush tentonte të heshte në njëfarë mënyre mediet, që mos pasqyrohet ai realitet i zymtë i këtyre anëve, ku shqiptarët ishin lënë në mëshirë të fatit. Tashmë, nëse dalin përgjimet e vërteta e pamë se si ishin liruar këta huligan, me paraqitjen e Kryeparlamentarit Trajko Veljanovski te Ministresha e Qeverisë VMRO-BDI, Gordana Jankullovska, e cila e siguron sipas LSDM-së Veljanovskin se do ta ‘menaxhojë këtë situatë, me lirimin e të arrestuarve’.
Huliganët maqedonas, madje morën guximin dhe përpos që rrahën disa shqiptarë të fshatit Llok në Shkup, ata i ndoqën deri në shtëpi të tyre. Kurse, në kthim mbrapsht, kishin thyer disa xhama veturash dhe kamionësh, të cilët i kishin blerë me djersë shqiptarët e Llokës. Këtë ‘trimnillëk’ huliganët, deri në një masë e fituan me heshtjen e pashoq të BDI-së për këto raste. Dhe, e dini se ku qëndron problemi, se edhe për këtë rast BDI nuk e hapi as gojën, që të kërkoj përgjegjësi për atë që ndodhte, nga Qeveria ku janë pjesë tash e disa vite.
Huliganët maqedonas, nuk ka as 2 muaj që një autobus shqiptarë e sulmuan, dhe e dini, partia shqiptare që thirret aq shumë në legjitimitetin e popullit dhe forcën e saj, pra BDI-ja, as gojën nuk e hapi për këtë rast, e jo më të kërkoj përgjegjësi.
Në këtë kohë krize politike kur duhet pritur epilogu, teksa njëkohësisht pritet veprim për të demaskuar, e për t’ua çjerrur tërësisht maskën politikanëve patriot me bateria, shoh se si disave që u shkruan ’Works at Bashkimi Demokratik për Integrim (Punoj në BDI)’, kërkojnë llogari në partitë e tjera, e pra jo zotëri të nderuar kështu nuk shkon! Kërkoni llogari për atë se duke qenë ju në Qeveri: ndodhën rrahjet e përditshme në Shkup, djegija e lokeve shqiptare, Radishani, ndodhi ‘Monstra’, u ekzekutua Komandant Harun Aliu me shokë, stemën e luanit e bëtë shqiptare sepse tagjia do u ndalte, nepotizmin e shohim në katër anë, kurse veteranët e UÇK-së i lini në shi të ju presin mbi 8 orë! Pyetni e mos ngurroni: Pse nuk ndalet edhe helmi nga Jugohromi? Por, pyetjet dërgoni ju lutemi atje ku aktualisht ju shkruan se punoni, te ata që i keni legjitimuar të jenë në Qeveri, te BDI-ja.
Ndërkohë, për ata shqiptarë që thonë se a do ketë ‘Bomba’ të fuqishme për politikanët tanë, çfarë u duken këto raste të mësipërme, asgjë fare! A po, doni t’ua numrëoj edhe disa prej tyre, shkojmë tutje a ka ‘Bombë’ më të madhe se ajo që disa aktivistëve të saj, BDI-ja u ka marrë ryshfet për punësime? A ka ‘Bombë’ më te fuqishme se ajo që BDI përveç se tjetërsoi Shkupin shqiptar, nuk reagoi për rrahjen e shqiptarëve rrugëve të Shkupit, aty na e solli edhe Car Dushanin! Veç Car Dushanit, ata për çdo ditë përkrahin diktaturën e Nikolla Gruevskin me heshtjen e tyre. ‘Bombat’ po na shpërthejnë për çdo ditë si shqiptarë, prandaj, është mirë që të mendohet se: A ia vlen shkaku i ‘shoqërisë’, nëse vërtetohet se janë tërësisht të vërteta përgjimet e publikuara, që disa përfaqësues të BDI-së e PDSH-së kanë me Sasho Mijallkovin të sakrifikosh shqiptarinë?
Prandaj, duhet kuptuar se nuk të bën të madh ajo se sa vite i ke pasur kur ke qenë në vitin 2001, por veprimtaria, pra, a ke punuar në të mirë të popullit, apo je thirrë në emër të populit dhe je fshehur pas tij, vetëm që më lehtë ta vjedhësh e ta manipulosh të njejtin. Koha, padyshim është treguesi më i mirë i shumë gjërave, që së shpejti pritet të dalin në sipërfaqe, ashtu siç kanë ndodhur, të tëra, pa asnjë dyshim. Kurse, ata që kanë keqpërdorur dhe kanë shkelur ligjet, nuk do u përfundoj vetëm karriera politike, por do ta shohim se çfarë do u ndodh edhe në proceset juridike, që pritet të vijojnë, pas këtij procesi politik nëpër të cilin po ec Maqedonia.














