Violinisti me famë botërore Shkëlzen Doli të enjten para publikut tetovar - tetova1.com

Violinisti me famë botërore Shkëlzen Doli të enjten para publikut tetovar


Kategoria: Kulturë / TOP LAJM

Postuar më: Mon, Mar 16, 2015





Të enjten më 19 Mars në Qendrën për Kulturë në Tetovë me fillim në ora 19:30 do të mbahet koncerti i maestro Shkëlzen Dolit. me përcjellje të Orkestrës Xheladin Zeqirit dhe pianistit tetovar Shkëlzen Baftijari.

Shkëlzen Doli është I njohur nga publiku shqiptar nga veprimtaria artistike e tij dhe në veçanti nga performanca e “Albanian Soul” në Koncertin tradicional të Vitit të Ri të Filharmonisë së Vjenës i cili u ndoq nga 90 shtete të botës dhe më tepër se 50 milion shikues.

Shkёlzen Doli (i lindur ne Elbasan) Me 11.05.1971 filloi të merrte mësimet e para për violinë në moshën 9-vjeçare në qytetin e tij - Gjakovë (Kosovë).
Fitorja e disa çmimeve në konkurset rajonale bëri që në vitin 1986 të merrte një ftesë për t’u regjistruar në Gjimnazin e Muzikës të Novi Sadit, institucioni më i shquar i këtij lloji në ish-Jugosllavi. Aty ai ishte
nxënës i pedagogëve hungarezë Imre Jambor dhe Csaba Szima. Në moshën 17-vjeçare fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikës për të rinjtë në ish-Jugosllavi dhe pas kësaj u regjistrua në klasën e Ewgenia Tschugaeva-s në Akademinë Muzikore të Novi Sadit. Më 1995 karriera e Shkëlzen Dolit si muzikant shënoi një sukses të ri shumë të rëndësishëm: ai filloi të luante në Orkestrën Filharmonike të Vjenës. Njëkohësisht vazhdonte studimet në Universitetin për Muzikë dhe Arte Figurative të Vjenës. Që atëhere stili dhe ngjyra tingullore e Filharmonisë së Vjenës kanë qenë vendimtare për të si violinist. Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filharmonike të muzikës së dhomës, si p. sh. te “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”,
“The Philharmonics”, e ndihmoi Shkëlzen Dolin të zinte një vend të përhershëm dhe të sukseshëm në skenën muzikore vjeneze. Ka qenë në shumë turne si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Ai bën pjesë edhe në një grup të saporiformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble - Wien”.

Biletat për koncertin “Melosi i bukur shqiptar dhe perlat e klasikës përmes violinës së Shkëlzen Dolit” mund të blehen në biletarinë e Pallatit të Kulturës së Tetovë, me një çmim simbolik prej 100 denarë, ndërsa mjetet e grumbulluara do të dedikohen për qëllime humanitare.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net